Mesut Ozil e publikon reagimin e dytë në lidhje me takimit me Erdoganin

  • 22 July 2018 - 18:32
Mesut Ozil e publikon reagimin e dytë në lidhje me takimit me Erdoganin

Futbollisti turk i Kombëtares së Gjermanisë, Mesut Ozil, e ka publikuar deklaratën e dytë si reagim ndaj kritikave që ai dhe bashkëlojtari i tij turk, Ilkay Gundogan, morën pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Cak i reagimit të mesfushorit të Arsenalit këtë herë ishin mediat dhe sponsorët e pabesë.

Ozil e publikoi deklaratën e parë trefaqëshe sot në mëngjes, duke theksuar se në takimin e tij me Erdoganin nuk kishte agjendë politike dhe se ai thjesht po e respektonte liderin e vendit nga e ka prejardhjen, transmeton Gazeta Express.

29-vjeçari tani e ka publikuar një deklaratë tjetër, të dytën, në të cilën e kritikon ashpër, siç thotë, hipokrizinë e mediave gjermane dhe disa nga sponsorët e tij që e kanë braktisur pas atij takimi.

Deklarata e dytë e plotë e Ozilit 

Unë e di se jam futbollist që ka luajtur mbase në tri ligat më të forta në botë. Kam qenë me fat që kam marrë mbështetje të madhe nga shokët e ekipit tim dhe stafi i trajnerëve gjatë karrierës sime në Bundesligë, La Ligë dhe Premierligë. Dhe përveç kësaj, gjatë gjithë karrierës sime, kam mësuar sesi të përballem me media.

"Shumë njerëz flasin për performancat e mia - shumë të tjerë duartrokasin dhe shumë prej tyre kritikojnë. Nëse një gazetë ose ekspert gjen të meta në një ndeshje ku luaj unë, atëherë unë mund ta pranoj këtë - Unë nuk jam futbollist perfekt dhe kjo shpesh më motivon të punoj dhe të stërvitem më shumë. Por ajo që nuk mund ta pranoj janë mediat gjermane që vazhdimisht e fajësojnë trashëgiminë time të dyfishtë dhe një fotografi të thjeshtë për një Botëror të dobët në emër të një skuadre të tërë.

"Disa gazeta të caktuara gjermane po e përdorin prejardhjen time dhe fotografinë me presidentin Erdogan si propagandë të krahut të djathtë për ta shtyrë agjendën e tyre politike. Për çfarë arsyeje tjetër do t’i përdornin fotografitë dhe titujt me emrin tim si shpjegim të drejtpërdrejtë për humbjen në Rusi? Ata s’i kritikuan paraqitjet e mia, nuk i kritikuan paraqitjet e ekipit, ata thjesht e kritikuan prejardhjen time turke dhe respektin për edukimin tim. Kjo e kalon kufirin personal që nuk duhet të kalohet kurrë, pasi gazetat po përpiqen ta kthejnë kombin e Gjermanisë kundër meje.

"Ajo që më duket më zhgënjyese janë standardet e dyfishta që i përdorin mediat. Lothar Matthaus (kapiten nderi i ekipit kombëtar gjerman) u takua me një udhëheqës tjetër botëror pak ditë më parë dhe nuk u kritikua pothuajse fare nga mediat. Pavarësisht rolit të tij në DFB (ekipi kombëtar gjerman), ata nuk i kanë kërkuar atij t’i shpjegojë publikisht veprimet e tij dhe tani ai vazhdon t’i përfaqësojë lojtarët e Gjermanisë pa u qortuar fare. Nëse mediat mendonin Gjermania është dashur të më lërë jashtë ekipit gjerman për Kupën e Botës, atëherë natyrisht atij duhet t’i hiqet titulli kapiten nderi? A më bën trashëgimia ime turke cak më të denjë mua?

"Gjithmonë kam menduar që 'partneriteti' nënkupton mbështetje, si në kohë të mira ashtu edhe gjatë kohëve më të këqija. Kohët e fundit kam planifikuar ta vizitoj ish-shkollën time në Berger-Feld në Gelsenkirchen, Gjermani, së bashku me dy nga partnerët e mi bamirës. Kam financuar një projekt për një vit, ku fëmijët imigrantë, fëmijët e familjeve të varfra dhe çdo fëmijë tjetër mund të luajnë futboll bashkë dhe të mësojnë rregullat shoqërore për jetën. Sidoqoftë, disa ditë para se të shkonim, të ashtuquajturit 'partnerë' të mi më braktisen, sepse nuk donin më të punonin me mua. Për më tepër, shkolla i tha menaxhmentit tim se ata nuk donin më që unë të isha shihesha atje në këtë kohë, pasi ata 'kishin frikë nga mediat' për shkak të fotografisë sime me Presidentin Erdogan, veçanërisht me 'partinë e krahut të djathtë në Gelsenkirchen në rritje’. Të jem shumë i sinqertë me ju, kjo  më ka lënduar vërtet. Pavarësisht se isha student i tyre kur isha i ri, më bënë të ndihesha i padenjë për kohën e tyre.

"Përveç kësaj, edhe një partner tjetër më braktisi. Pasi që ata janë gjithashtu sponsor i DFB-së, më kërkuan të merrja pjesë në videot promocionale për Kupën e Botës. Megjithatë, pas fotografisë sime me presidentin Erdogan, më larguan nga fushatat e tyre dhe i anuluan të gjitha aktivitetet promovuese që ishin planifikuar. Për ta, nuk ishte më mirë të shihesh me mua dhe e quajtën këtë situatën 'krizë menaxhimi'. Kjo është ironike, sepse një Ministri gjermane deklaroi se produktet e tyre kanë pajisje të paligjshme dhe të paautorizuara softuerike, gjë që i vë konsumatorët në rrezik. Qindra mijëra prodhime të tyre po tërhiqeshin nga tregu. Përderisa unë u kritikova dhe m’u kërkua t’i arsyetoja veprimet e mia nga DFB, sponsorit të DFB-së nuk iu kërkua sqarim i tillë zyrtar dhe publik. Pse? A kam të drejtë të mendoj se kjo është më e keqe se një fotografi me Presidentin e vendit të familjes sime? Çfarë ka për të thënë DFB-ja për të gjitha këto?

(Kosova Sot)