Goditje e madhe për basketbollin e Kosovës

  • 17 August 2018 - 08:17
Goditje e madhe për basketbollin e Kosovës
Superliga do të jetë e mangët pa verdhezinjtë  

Peja zyrtarisht nuk do të jetë pjesë e garave për edicionin e ri, pasi nuk ka arritur t'i paguajë borxhet ndaj FIBA-s dhe FBK-së. Për këtë arsye, Federata e Basketbollit nuk e ka licencuar dhe nuk do të garojë në edicionin e ri. Kjo vlerësohet një humbje e madhe për basketbollin e Kosovës, duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo skuadër për Superligën e Kosovës 

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se Peja nuk është licencuar për edicionin e ri në basketboll. Sipas FBK-së, klubi pejan nuk i ka paguar borxhet ndaj FIBAs dhe FBK-së, dhe për këtë arsye kanë qenë të detyruar të marrin këtë vendim. "Anëtarësia e KB Peja në Federatën e Basketbollit të Kosovës do të mbetet e pezulluar derisa të përmbushen të gjitha kushtet për pjesëmarrjen e saj në garat e FBK-së. Kështu, KB Peja suspendohet dhe çregjistrohet nga çdo veprimtari në Federatën e asketbollit të Kosovës. FBK-ja po ashtu dëshiron të sqarojë para opinionit se në vazhdimësi ka komunikuar me KB Peja tash e dy vjet prejse FIBA e ka njoftuar FBK-në për rastet e paraqitura në BAT (Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit) dhe për shqiptimin e BAN-it (ndalesa e regjistrimit të lojtarëve të rinj)", thuhet në njoftim.

Grusht i madh për basketbollin Sipas Federatës, vendimi për Pejën ka qenë i obliguar. "Po ashtu Zyra Ligjore e FIBA-s ia ka bërë të qartë se nëse KB Peja nuk i kryen obligimet ndaj FIBA-s deri në afatin e regjistrimit të caktuar nga FBK-ja, atëherë do të jetë Federata e Basketbollit të Kosovës që automatikisht do të sanksionohet nga FIBA". Pavarësisht të gjitha këtyre ngjarjeve, mospjesëmarrja e Pejës në garat vendore, si dhe ndërkombëtare, do të dëmtojë shumë basketbollin e Kosovës. Kështu shprehet trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi. "Edhe më herët e kam thënë se nëse Peja, Bashkimi, Prishtina e Trepça nuk do të jenë pjesë e Superligës, atëherë garat në elitën e basketbollit nuk do të jenë njësoj. Superliga nuk do të ketë cilësinë e duhur dhe rivalitetin që ka pasur deri më tani. Ky është një grusht i madh për basketbollin e Kosovës në tërësi. Në këtë rast jemi duke folur për Pejën dhe e dimë se sa e rëndësishme dhe sa do t'i mungon Superligës kjo skuadër. Me vite të tëra ka qenë njëra nga skuadrat që gjithmonë ka luftuar për titull e Kupë. Gjithashtu, rivaliteti ka qenë i madh ndërmjet katërshes së madhe, dhe tashmë po e humb atë rivalitetin që ka pasur dikur", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot"

Mungesë e madhe Peja jo vetëm që ka luftuar për trofe, por gjithashtu ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare, si dhe ka pasur shikueshmëri të lartë. "Prezantimi në arenën ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm, si në Ligën Ballkanike apo në FIBA Europe Cup. Promovimi dhe shikueshmëria që e përcillnin këtë skuadër ishte mbresëlënëse. Vërtet do të jetë një mungesë e madhe. Gjithashtu, kjo skuadër i ka dhënë shumë basketbollit të Kosovës, si lojtarë ashtu edhe trajnerë, që kanë dalë pikërisht nga kjo skuadër. Gjithashtu e dimë se Peja është identifikuar si 'qytet i basketbollit', pasi tifozët e kanë dashur shumë këtë sport. Definitivisht do t'i mungojë basketbollit, si dhe dashamirëve të basketbollit te ne", theksoi tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Peja edicionin e kaluar mezi arriti të shpëtojë, pasi nuk mundi të bënte asnjë përforcim, duke luajtur tërë kampionatin me lojtarë të rinj, derisa përkundër përpjekjeve të fundit, nuk arriti të shlyejë borxhin, dhe tashmë ka ardhur goditja përfundimtare për të.  

(Kosova Sot)