Kurzawa zyrtarisht te PSG deri në vitin 2020

  • 27 August 2015 - 18:10
Kurzawa zyrtarisht te PSG deri në vitin 2020

Layvin Kurzawa është zyrtarisht një futbollist i Paris Saint Germain. Kampionët e Francës arritën marrëveshjen me Monacon për të bërë të mundur kalimin në Parc Des Princes të 22-vjecarit. Mbrojtësi  i majtë firmosi një kontratë të vlefshme deri në vitin 2020 me skuadrën pariziene, ndërsa kartoni i tij i kushtoi klubit kryeqytetas plot 25 milionë Euro. Kurzawa, i cili numëron edhe 2 paraqitje me përfaqësues e Francës për faqen e klubit u shpreh shumë i lumtur që nga tani e tutje do të jetë pjesë e Paris Saint Germain. “Shpresoj të rritem akoma edhe më shumë si futbollist dhe të fitoj trofe me Parisin“, deklaroi mbrojtësi 22-vjecar. Te ekipi i drejtuar nga Luarent Blanc, Kurzawa do të mbajë veshur fanellën me numër 20.

E Enjtja rezultoi një ditë zyrtarizimesh në Ligue 1 pasi edhe Olympique Marseille bëri të ditur transferimin në “Stade Velodrome” të mesfushorit Lucas Silva. Braziliani kaloi te skuadra e trajnerit Michel në formë huazimi për një sezon nga Reali i Madridit, duke marrë në ekip vendin e Gianelli Imbulas i cili rreth një muaj më parë u bë pjesë e Portos. Mungesa e hapësirave në formacionin e Realit e detyroi Lucas Silvën të zgjidhte Marsejën për të vijuar karrierën gjatë sezonit futbollistik 2015-2016. Te Los Blancos futbollisti 22-vjecar luajti në total vetëm 396 minuta që pas transferimit të tij nga Cruzeiro në Janar të këtij viti për shumën e 14 milionë Eurove.