Ndërrimi i trajnerëve, zgjidhje apo dështim?

  • 19 September 2018 - 08:46
Ndërrimi i trajnerëve, zgjidhje apo dështim?
Trajnerët vazhdojnë të mbesin viktima më e madhe 

"Pronarët e klubeve i kanë duart e lira të veprojnë si të duan në klub, pasi trajneri nuk ka kurrfarë mbrojtje. Kontratat nuk vulosen në Federatë, derisa as federata nuk i kushtëzon klubet me gjoba. Me keqardhje them se deri në javën e 10-të do t'i kemi 10 trajnerë të larguar", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Bekim Shotani

Futbolli i Kosovës është njohur vazhdimisht më ndërrimet e trajnerëve që bëhen nëpër klubet tona, megjithatë sivjet duket se kjo gjë e ka kaluar çdo kufi. Pas vetëm katër javëve të kaluar, tri skuadra kanë ndryshuar trajnerë, në javën e pestë fatmirësisht nuk patëm asnjë të shkarkuar edhe pse u kërkua dorëheqja e Mirel Josës së Prishtinës. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë java e 6-të, por nëse ecën me këtë trend gjasat që të kemi edhe ndonjë trajner të shkarkuar janë të mëdha. Analistët vlerësojë se kjo assesi nuk është zgjidhje por dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një jo profesionalizëm. Madje shumë prej tyre nuk hezitojnë t'i akuzojnë drejtuesit e klubeve të cilët duke dështuar në menaxhim, fajin  mundohen ta mbulojnë me shkarkimin e trajnerin. Pra momentalisht në futbollin kosovar viktima më e madhe del të jetë trajneri i cili nuk ka mbështetje nga askush dhe fajësohet për gjithçka.

Shotani: Trajnerët nuk i mbron askush
Trajneri i njohur vushtrrias, Bekim Shotani, i cili këtë edicion udhëhoqi Ballkanin, por që u largua nga posti i trajnerit pas vetëm tri xhirove të zhvilluara, ka thënë se kjo dukuri e largimit të trajnerëve pa u vlerësuar si duhet punën e tij po e shëmton dhe po e dëmton futbollin tonë. Sipas tij, asnjë trajner nuk mund të vlerësohet me 3-4 ndeshje. "Në asnjë mënyrë nuk mund ta vlerësohet trajneri pas 3-4 xhirove. Arsyeja pse po ndodhin kaq shumë largime të trajnerëve është jo profesionalizmi i shefave që japin paga dhe presioni i tyre krijon situata që trajneri ose ta mbrojë dinjitetin e vetë ose të pranojë nënshtrimin e shefave", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Bekim Shotani. "Pronarët e klubeve i kanë duart e lira të veprojnë si të duan në klub, pasi trajneri nuk ka kurrfarë mbrojtje. Kontratat nuk vulosen në federatë, derisa as federata nuk i kushtëzon klubet me gjoba. Përveç kësaj edhe ligji nuk funksionon si duhet kështu që këta shefa të klubeve bëjnë çfarë të duan", ka vlerësuar Bekim Shotani.

Fajësojnë edhe veten
Gjithsesi, ish-trajneri i Ballkanit skuadër të cilën sivjet e inkuadrojë në Superligë, por që u largua pas vetëm 3 ndeshjeve në elitën e futbollit, ka thënë se një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe vetë trajnerët. "Ne duhet ta shikojmë pak edhe vetën, pasi bëjmë marrëveshje me njerëz që nuk i përmbahen aspak kontratës e leje më fjalëve. Pra në shumë raste merremi vesh me fjalë. Gjithsesi, të gjithë e dimë që kjo mënyrë nuk është profesionale por jemi të kushtëzuar të veprojmë kështu ndryshe mbetesh pa punë. Shumë trajnerë janë të varur nga pagat e futbollit dhe në njëfarë forme janë të detyruar të pranojnë çfarëdo kushte", ka thënë Shotani për gazetën "Kosova Sot", sipas të cilit këso shkarkimesh do të kemi edhe në vazhdim të kampionatit. "Presidentët e klubeve i vënë në poste njerëzit e tyre, duke ua besuar edhe detyrën e drejtorit sportiv dhe unë them se derisa në postin e drejtorit sportiv nuk emërohet një njeri që vjen nga fusha e futbollit, i cili e njeh shumë mirë punën e trajnerit dhe të lojtarit, nuk do të ketë rehati nëpër klube. Me keqardhje them se deri ë javën e 10-të do të bëhen 10 trajnerë që do të shkarkohen", ka përfunduar Bekim Shotani.

(Kosova Sot)