“PSG ka superyje, por nuk e shoh si ekip të bashkuar”

  • 19 September 2018 - 12:39
“PSG ka superyje, por nuk e shoh si ekip të bashkuar”

Legjenda e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka thënë se përkundër faktit që në skuadrën e Paris Saint-Germainit ka shumë superyje, ata nuk luajnë si një ekip i bashkuar. Për më tepër, Ferdinandi ka thënë se ka mbetur shumë i zhgënjyer me performancën e francezëve.

PSG-ja u mposht mbrëmë në Anfield nga Liverpoolit, me rezultat 3-2. Edhe pse shumë njerëz kishin pritur që yjet si Kylian Mbappe dhe Neymar të shkëlqenin në këtë ndeshje, ishte skuadra e Jurgen Kloppit ajo që në fund doli si triumfuese

Kjo ndeshje u konsiderua si testi më i vështirë për të dy skuadrat gjatë këtij sezoni deri më tani, pasi që të dyja kanë arritur t’i fitojnë të gjitha ndeshjet në ligat e vendit të tyre. Megjithatë, PSG-ja u humbi ndeshjen e parë, ndërsa Liverpooli vazhdon me rekord të përsosur.

Duke folur për BT Sport, ish-qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka thënë se, sipas mendimit të tij, performanca e PSG-së ishte shumë e keqe pasi që ata nuk luanin si një skuadër e bashkuar.

“Liverpooli ishin siç i prisnim. Energjia, intensiteti me të cilën luajtën, duke e sulmuar PSG-në në çdo moment. Do të jem i sinqertë me ju, jam shumë, shumë i zhgënjyer me PSG-në”, ka thënë Ferdinandi, i cili e kishte fituar trofeun e Ligës së Kampionëve me Manchester Unitedin në sezonin 2007/2008/

“Si individë, si ekip i bashkuar, nuk kishin aspak intensitet. Plotësisht të kundërt me skuadrën e Liverpoolit. Për mua, në disa raste, dukej si të ishin në një ndeshje amatore. Sulmuesin nuk përfshiheshin aspak në mbrojtje. Nuk e di nëse një gjë e tillë u ishte kërkuar ose thjesht nuk dëshironin të mbronin”.

“Kur vjen në Anfield, 11 lojtarët duhet të performojnë mirë dhe sot, kjo skuadër e Liverpoolit ishte më e mirë se ajo e Paris Saint-Germainit. Ata kanë ndërtuar një skuadër me superyje, kanë shumë të tillë në skuadër por nuk i shoh si ekip të bashkuar”. 

(Kosova Sot)