De Gea u përgjigjet kritikuesve: Nuk dëgjoj gjëra të kota

  • 19 September 2018 - 12:57
De Gea u përgjigjet kritikuesve: Nuk dëgjoj gjëra të kota

Portieri spanjoll i Manchester Unitedit, David de Gea, ka insistuar ai nuk është ndikuar nga kritikat që ka marrë pas performancave me Kombëtaren e Spanjës gjatë turneun të Kupës së Botës. Për më tepër, këto kritika ai i ka quajtur të kota.

Spanjolli ka performuar më mirë për klubin e tij, Manchester Unitedin, që nga fillimi i sezonit të ri. Ai edhe ia siguroi skuadrës së tij fitoren në ndeshjen e fundit të Premierligës, kundër Watfordit, ku e bëri një pritje të jashtëzakonshme në fund të ndeshjes.

De Gea mori më së shumti kritika pas ndeshjes kundër Portugalisë në fazën e grupeve të Kupës së Botës. Ai, gjatë këtij turneu, arriti ta mbrojë vetëm 1 nga 11 gjuajtjet drejt portës së tij. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se nuk është ndikuar aspak nga kritikat që ka marrë.

“Normalisht, unë nuk i dëgjoj asnjëherë njerëzit që flasin për mua. Unë fokusohem në punën time dhe tentoj t’i ndihmoj skuadrës në çdo stërvitje. Unë mundohem të jap maksimumin tim, kështu që asnjëherë nuk i dëgjoj gjërat e kota që të tjerët i thonë”, ka thënë De Gea.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Young Boys në Zvicër, De Gea u pyet edhe për të ardhmen e tij, pas spekulimeve se ai do të nënshkruante kontratë të re pesëvjeçare me “Djajtë e kuq”.

“Ndiej shumë dashuri nga tifozët dhe nga të gjithë njerëzit e këtij klubi. Jam me të vërtetë i lumtur që jam këtu, në një prej klubeve më të mira në botë, kështu që, për mua, është një gjë shumë e mirë që jam pjesë e kësaj skuadre”, është shprehur De Gea.

 

(Kosova Sot)