“Salahu duhet ta fitojë çmimin e FIFA-s, e jo Modrici apo Ronaldo”

  • 23 September 2018 - 12:16
“Salahu duhet ta fitojë çmimin e FIFA-s, e jo Modrici apo Ronaldo”

Trajneri egjiptian, Hany Ramzy, ka thënë se ai mendon që bashkëkombësi i tij, Mohamed Salah, duhet ta fitojë çmimin për lojtarin më të mirë të vitit të FIFA-s, pasi që ka dhënë më shumë sesa Cristiano Ronaldo apo Luka Modrici.

Sulmuesi egjiptian, Salah, kishte arritur t’i shënojë 44 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar dhe ai do ta kuptojë nesër nëse do të jetë fituesi i këtij çmimi.

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, e ka fituar këtë çmim gjatë dy viteve të kaluara, dhe tani ai do të kërkojë ta fitojë atë përsëri, pas largimit të tij nga Real Madridi. Ndërsa, deri më tani, çmimet e ngjashme i ka fituar kroati Luka Modrici.

“Arsyeja pse unë mendoj se Salahu duhet ta fitojë këtë çmim është për shkak të rrugëtimit që ka bërë deri te këto arritje”, ka thënë Ramzy.

“Ai u kthye në Angli pas një zhgënjimi me Chelsean dhe u bë golashënuesi më i mirë i Premierligës, si dhe arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve dhe e dërgoi Kombëtaren e tij në Kupën e Botës për herë të parë pas 28 viteve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë”.

“Për më tepër, nëse FIFA do ta shikonin këtë çështje më gjerësisht dhe do t’i konsideronin vështirësitë dhe barrierat kulturore që kanë pasur lojtarët gjatë jetës së tyre, atëherë Salahu duhet të fitojë pa asnjë dyshim”.

“Ai ka arritur t’i tejkalojë ndarjet kulturore dhe ka pasur një ndikim me të vërtetë pozitiv në lidhjet e njerëzve të ndryshëm me prejardhje të ndryshme”.

 

(Kosova Sot)