Bologna e mund Romën, e thellon edhe më shumë në krizë

  • 23 September 2018 - 17:23
Bologna e mund Romën, e thellon edhe më shumë në krizë

Bologna e ka fituar ndeshjen kundër Romës, duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjet e klubit kryeqytetas, të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë fitore në katër ndeshjet e fundit të Serie A-së.

Roma u mposht me rezultat 2-0 nga Bologna si mysafire, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të këtij sezoni të Serie A-së.

Pas 36 minutave pa asnjë gol, skuadra e Pippo Inzaghit arriti ta shënojë golin e avantazhit ndaj skuadrës së Romës. Goli erdhi në minutën e 36’ pas një goditjeje të fortë nga Mattielo brenda zonës, i cili e festoi golin duke e imituar rivalin e tij tani në Juventus, Cristiano Ronaldon.

14 minuta pasi filloi pjesa e dytë e ndeshjes, në minutën e 59-të, Bologna arriti ta dyfishojë rezultatin përmes golit të shënuar nga Federico Santander. Ai arriti ta shënojë golin përmes një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës së tij dhe mbeti ballë për ballë me portierin Robin Olsen.

Skuadra e Bolognas nuk kishte arritur ta shënojë asnjë gol deri në këtë ndeshje në këtë sezon të Serie A-së, megjithatë këtë gjë, si dhe sigurimin e trepikëshit të parë, arritën ta bëjnë kundër Romës.

Ndërsa, Roma tani është në gjendje edhe më të keqe, pasi që kjo është humbja e dytë e tyre për këtë sezon në ligën italiane. Nga gjithsej pesë ndeshje të zhvilluara, ata kanë arritur ta fitojnë vetëm një, ndeshjen e parë të sezonit kundër Torinos.

Javën e ardhshme të Serie A-së, Roma do të përballet me klubin që ka hyrë këtë sezon në Serie A, Frosinone. Ndërsa, Bologna do ta ketë një test edhe më të vështirë para vetes, pasi që do të përballet me Juventusit, të cilët kanë fituar të gjitha ndeshjet që i kanë luajtur deri më tani. 

 

(Kosova Sot)