Eliminim i hershëm për Kukën, Kosova mbetet pa medaljen nga Kampionati Botëror i Xhudos

  • 25 September 2018 - 10:29
Eliminim i hershëm për Kukën, Kosova mbetet pa medaljen nga Kampionati Botëror i Xhudos

Kosova ka mbetur pa medalje nga Kampionati Botëror i Xhudos në Baku të Azerbajxhanit, pasi xhudistja e fundit e mbetur në garë në këtë turne, Loriana Kuka, u eliminua në rundin e dytë në duelin e saj debutues në Botëror.

Kuka u mposht në rundin e dytë nga Klara Apotekar e Sllovakisë të martën në Baku, pasi rundin e parë e kishte kaluar pa luftë.

Majlinda Kelmendi mbetet e vetmja xhudiste kosovare në të dy konkurrencat që ka fituar medalje në një Kampionat Botëror të Xhudos.

Suksesi më i madh i Kosovës në këtë Kampionat Botëror ishte Nora Gjakova, e cila zuri vendin e shtatë dhe fitoi plot 520 pikë të vlefshme për kualifikimet në Lojërat Olimpike Verore Toky 2020.

Megjithëse performoi më mirë dhe ishte më pranë medaljes së dy xhudistët tjerë kosovarë, Nora u mposht në Repechage nga Këon në kategorinë deri 57 kilogramë, duke e humbur mundësinë e mirë për ta marrë medaljen e bronztë.

Pasi e kaloi rundin e parë pa luftë, Nora pati paraqitje fenomenale në dy rundet e radhës, dy dhe tre, të cilat i fitoi me Ippon, kundër marokenes Soumiya Iraoui dhe Gneto Priscillan, përkatësisht. 

Por, në një ndeshje çerekfinale ku i mungoi përqendrimi, Nora u mposht nga Christa Deguchin e Kanadasë, duke mbetur në garë vetëm për medaljen e bronztë.

Kosovarja dëshpëroi edhe në duelin e radhës, pasi u mposht nga jugkoreania, duke u kthyer në shtëpi pa medalje por jo duarthatë, pasi ka fituar pikë të vlefshme për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Më herët gjatë ditës dëshpëroi edhe Akil Gjakova që u eliminua në rundin e katërt të Kampionatit Botëror të Xhudos, por edhe ai ka marrë pikë të rëndësishme olimpike. Akili i ka fituar 320 pikë olimpike.

Ndërkohë, të enjten garoi Distria Krasniqi dhe u mposht qysh herët në rundin e dytë.

(Kosova Sot)