Investime të kota

  • 26 September 2018 - 09:06
Investime të kota
Të huajt po sjellin shumë risi, por jo edhe cilësi

"Mendoj që përzgjedhjet e lojtarëve të huaj po bëhen shpejt dhe pa ndonjë analizë të theksuar në përgjithësi. Duke mos i analizuar përforcimet sa duhet, këta lojtarë të huaj nuk po dalin shumë të 'hairit'. Gjithsesi, po flas për një pjesë të madhe të tyre, pasi ka edhe disa prurje që kanë treguar elemente të mira", ka thënë ish-portieri i njohur pejan, Valmir Bytyçi

Futbolli ynë në afatin kalimtar të verës nuk mund të ankohet sa u përket investime. Shumë prurje nga jashtë kanë ardhur si nga ana e lojtarëve ashtu edhe te trajnerëve, por ndryshimet nuk po shihen. Kjo edhe po bën që njohësit e mirë të futbollit kosovar investimet e fundit mos t'i vlerësojnë sa duhet, duke i quajtur shpesh edhe si investime koti. Pothuajse 90 për qind e futbollistëve të zbarkuar gjatë afatit të fundit kalimtar në Kosovë nuk kanë sjellë shumë cilësi. Kur kanë kaluar 6 javë nga starti i kampionatit diferenca e lojtarëve të huaj karshi atyre vendorë është shumë e vogël, për të mos thënë nuk dallon fare. Ish-futbollisti i Besës dhe Kombëtares së Kosovës, Valmir Bytyçi, ka thënë se klubet tona si kurrë më parë kanë nevojë për lojtarë të huaj, kjo pasi tash jemi pjesë e garave ndërkombëtare dhe duhen rezultate, ja që tash për tash lojtarët e ardhur nuk mund të premtojnë sukses në arenën ndërkombëtare,madje nuk mund të premtojnë sukses as në garat kampionale, pasi niveli i tyre nuk është i lartë.

Përforcimet nuk po vlerësohen sa duhet
Sipas ish-portierit, tash trajner, Valmir Bytyçi, përzgjedhja e lojtarëve të huaj po bëhen në mënyrë të ngutshme dhe aspak të analizuar. Kjo po shihet më së miri gjatë kampionatit, kur ata nuk po mund të dallohen aspak nga lojtarët vendorë, për të mos thënë janë nën hijen e tyre."Mendoj që përzgjedhjet e lojtarëve të huaj po bëhen shpejt dhe pa ndonjë analizë të theksuar në përgjithësi", ka thënë Bytyçi për gazetën "Kosova Sot", sipas të cilit kjo edhe po bën që niveli i garave të mos ndryshojë nga ata të kaluarit. "Duke mos i analizuar përforcimet sa duhet po bën që këta lojtarë të huaj të mos dalin shumë të "hairit". Gjithsesi, po flas për një pjesë të madhe të tyre, pasi ka edhe prurje që kanë treguar elemente të mira", ka thënë isha gardiani pejan. Skuadrat elite të futbollit, kryesisht ato që janë duke pretenduar titullin e kampionit kanë sjellë lojtarë të huaj, me theks të veçantë Prishtina, Gjilani e Trepça'89, derisa ekipet si Drita, Llapi e Feronikeli janë bazuar kryesisht në lojtarë vendorë.  

Po sjellin risi, por jo cilësi "Një pjesë e madhe e këtyre futbollistëve vijnë këtu pasi nuk mund të gjejnë arazhman dhe kjo është arsyeja pse nuk po ndezin", ka thënë Bytyçi për gazetën "Kosova Sot", i cili megjithatë thotë se prurjet e kanë të mirën e vet, pasi joshin tifozët. "Sigurisht që prurjet janë shumë të mirëseardhura pasi sjellin risi, por për fat të keq tek ne nuk po sjellin edhe cilësi. Nëse më duhet ta veçoja ndonjë deri tash, them se përshtypjet më të mira m'i ka lënë sulmuesi i Prishtinës, Basid Khalid, një lojtar i fuqishëm në fazën e sulmit", ka vlerësuar Bytyçi, i cili megjithatë mbetet një ithtar i futbollistëve vendorë, sidomos i lojtarëve të rinj, duke kërkuar që t'u jepet më shumë hapësirë. "Konsideroj që duhet më shumë hapësirë t'u japim futbollistëve vendas, sidomos të rinjve, sepse kemi talente. E pamë në fundjavë sulmuesin e Llapit, Festim Alidemaj, që shënoi "het trik" në ndeshjen ndaj Llapit dhe vërtet shfaqi nivel të lartë të lojës", ka përfunduar Valmir Bytyçi.

(Kosova Sot)