Futbollistja kosovare Elizabeta rrëfen për ikjen nga lufta në Kosovë dhe ndërtimin e jetës në Angli

  • 16 October 2018 - 12:24
Futbollistja kosovare Elizabeta rrëfen për ikjen nga lufta në Kosovë dhe ndërtimin e jetës në Angli

Rrugëtimi në sportin e futbollit i mesfushores së Charltonit, Elizabeta Ejupi, 24-vjeçare, filloi 2,616 kilometra larg stadiumit “The Valley”. Nëse merr këshilla nga Google Maps, atëherë paralajmërohesh se ky rrugëtim mund të përfshijë bartës makinash, kufij të shteteve dhe mund të ndryshohet ora lokale. Udhëtimi me makinë zgjat 27 orë, ndërsa me aeroplanë tri orë.

Në moshën trevjeçare, Ejupi udhëtoi me një aeroplan me prindërit e saj dhe vëllain e saj të madh, nga Kosova drejt Londrës. “Kishte masakra, vrasje. Ne u larguam që të  mbijetojmë”, ka sqaruar Ejupi. Familja e saj ishte larguar para se të fillonte lufta, dhe duke e bërë këtë gjë, Elizabeta shpëtoi nga një fëmijëri me tmerre të papërshkrueshme.

Mes shkurtit të vitit 1998 dhe qershor të vitit 1999, ish-Jugosllavia ishte zhytur në luftë. Në njërën anë ishte Serbia dhe Mali i Zi, e në anën tjetër Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila luftonte për ta ndarë Kosovën nga ish-Jugosllavia dhe u mbështetën nga NATO.

Intervenimi i NATO-s u ndoq nga shpërngulja masive e shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 2001, Gjykata Supreme e administruar nga Kombet e Bashkuara kishte vendosur se ushtria serbe nuk kishte kryer gjenocid ndaj popullsisë shqiptare, pasi që ata kishin synuar zhvendosje dhe jo shkatërrim, por krimet ndaj njerëzimit dhe krimet e luftës kishin ndodhur për shkak të një fushate sistematike të tmerrit, përfshirë këtu vrasjet, përdhunimet dhe zjarrvënia e qëllimshme dhe keqtrajtime të shumta. Vlerësohet se 13,517 njerëz janë vrarë ose janë të zhdukur që nga lufta, dhe 1.45 milionë të tjerë ishin zhvendosur nga Kosova.

Nëna e Ejupit kishte qenë ende studente në universitet kur familja kishte ikur. “Ata u detyruan të linin gjithçka. Kushërinjtë e mi shkuan në Gjermani. Ka kosovarë në Zvicër, në Amerikë, jemi gjithkund për shkak të luftës. Nuk kishte asgjë që mund të bëje... U detyruam t’i themi mirupafshim familjes dhe të largohemi”, ka shpjeguar Ejupi.

Ajo e përshkruan shpërnguljen si një lloj turbullire dhe thotë se nëse do të ishte më e madhe, ndoshta do ta kishte mbajtur mend. Megjithatë, ajo është e lumtur që nuk i kujtohet ajo periudhë e jetës së saj. Në realitet, kujtimet e saj të fëmijërisë së Shqipërisë janë vetëm kujtimet duke luajtur si një fëmijë trevjeçar.

Ata kishin arritur në Maqedoni, ku NATO kishte organizuar disa aeroplanë për transportimin e refugjatëve në Angli dhe kishte arritur në Londër. “Ne ishim një familje e re me fëmijë. E mbaj mend nënën dhe babanë tim duke thënë se kishin shikuar poshtë nga aeroplani dhe ishte natë. Ata e panë qytetin dhe menduan: ‘Ku jemi’. Ishin të rinj, 22 dhe 23-vjeçar, kur u ndodhi kjo gjë. Ata e detyruan të ngrihem dhe të largohen me dy fëmijë pas tyre. Kur erdhën këtu, ata filluan ta rindërtojnë jetën e tyre për vete”, rrëfen Ejupi.

Çfarë kishte menduar Elizabeta? “Unë mendoja se po shkoja në pushime, mendoja se po largoheshin për pak kohë. Ishte vetëm një aventurë”, thotë ajo. Megjithatë, së shpejti e kuptoi se kjo gjë nuk ishte kaq e thjeshtë. “Nuk e di nëse vetëm e kam ngulitur këtë në mendje, por e mbaj mend se kisha menduar: ‘Kur do të kthehemi?’. Kishte një barrierë shumë të madhe gjuhësorë. Unë shkova në kopsht dhe nuk flisja anglisht. Nuk mund të thosha asgjë”.

“Pas pak kohe, i pamë lajmet në televizione për situatën në Kosovë. Nëna ime tentonte të kontaktonte me familjen e saj, sepse ata ishin të gjithë atje. E mbaj mend se ajo vazhdimisht tentonte të fliste me njerëz. Atëherë e kuptova se diçka nuk ishte në rregull. E kuptova dhe mendova: ‘Kjo nuk është normale, nëna ime po shqetësohet për të gjithë atje’”.

Futbolli për Ejupin nuk u bë vetëm një sport të cilin e luante për t’u argëtuar, por edhe mënyrë për t’u integruar në shoqërinë angleze. “Ishte më e lehtë të bëja shokë përmes futbollit, pasi që nuk ka nevojë të flasësh. Ti vetëm e godet topin. Njerëzve iu pëlqen nëse luan mirë”, thotë Ejupi. Ajo u ngrit në karrierë përmes akademisë së Charltonit, para se të diplomonte për psikologji në Nottingham. Ajo e përfaqësoi Forestin për tre sezone dhe Countyn për një dhe i bëri të gjitha këto sepse prindërit e saj kërkonin nga ajo të bënte maksimumin në jetë, pasi që ata ishin detyruar ta rindërtonin të tyren. Ajo kaloi një sezon në Aston Villa, para se të kthehej në Charlton këtë verë, të cilin e quan shtëpi.

Ajo kishte luajtur për të rinjtë e Kombëtares së Anglisë, por kur Shqipëria e kishte kontaktuar, ajo vendosi t’i përfaqësonte ata që nga mosha 18-vjeçare. “Futbolli nuk ishte diçka me të cilin gratë mund të fitojnë shumë para, kështu që unë e bëj për dashuri të pastër”, tregon Ejupi.

Përfaqësimi i Shqipërisë është nder për Ejupi dhe familja e saj e kujton me krenari të kaluarën dhe e vizitojnë Kosovën çdo verë. “Janë disa këngë që u publikuan menjëherë pas luftës dhe babai im ende i këndon. I dëgjoj ata duke kënduar dhe i gjithë teksti është për shpërnguljen dhe humbjen e shtëpisë. Kjo është diçka me të cilën ata duhet ta mbajnë në vete për të gjithë jetën e tyre”.

“Më herët, i pyesja kushërinjtë e mi se çfarë u kishte ndodhur. Ata më tregonin se ata kishin ikur nëpër pyje, duke tentuar të fshiheshin nga gjithçka. Ne kurrë nuk mendojnë: ‘Kjo është e kaluara, le ta lëmë pas’. Ne ende i mbajmë mend rrënjët tona, kulturën tonë. Ende e kemi këtë gjë në jetën tonë”.

 

Image
Image

 



(Kosova Sot)