Deschamps: Pensionimi dhe kritikat e Koscielnys më kanë habitur

  • 16 October 2018 - 13:12
Deschamps: Pensionimi dhe kritikat e Koscielnys më kanë habitur

Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka mbetur i habitur nga kritikat që mori nga Laurent Koscielny, gjatë deklaratës së tij për pensionim nga Kombëtarja, por e pranon se ai mund të ketë bërë më shumë për qendërmbrojtësit gjatë lëndimit të tij.

Mbrojtësi francez i Arsenalit, Koscielny, dje bëri të ditur se është pensionuar nga Kombëtarja e Francës pasi e ka kritikuar trajnerin Deschamps për trajtimin që ia kishte bërë gjatë kohës kur ishte duke u rikthyer nga lëndimi.

Koscielny u lëndua pak para Botërorit dhe ky lëndim ia pamundësoi të luante për Kombëtaren e Francës. Ai e lëndoi thembrën duke luajtur për Arsenalin në Evropa Ligë. Ai ka thënë se shumë njerëz e zhgënjyen atë gjatë kohës kur ishte i lënduar, përfshirë këtu edhe trajnerin francez, i cili e kishte telefonuar vetëm një herë.

Deschamps u habit nga komentet e Koscielnys, por ka thënë se admirimi i tij për qendërmbrojtësin si njeri dhe si futbollist nuk ka ndryshuar as pas deklaratave të tij të fundit.

“Isha i habitur, i gjithë stafi ishte i habitur. Ne po flasim për një lojtar i cili u lëndua në jetën e tij si profesionist. Kupa e Botës ishte synimi i tij për fundin e karrierës, por ai nuk pati mundësi të merrte pjesë. Ky është një zhgënjim serioz”, ka thënë Deschamps.

“Sa më përket mua, unë e telefonova atë menjëherë pas lëndimit të tij, madje e diskutuam edhe zgjedhjen e tij për kirurg. E ftova të merrte pjesë në përgatitjet për Kupën e Botës, nëse donte ta bënte një gjë të tillë. Unë u sigurova që ai të vinte me ne në finale me aeroplanin presidencial”.

‘E telefonova përsëri në shtator për ditëlindjen e tij, bisedova pak me të në telefon edhe dje. Është e vërtetë që nuk kisha biseduar me të gjatë 15 ditëve të fundit, ose një muaj. Mund të kisha bërë më shumë”.

“Kjo nuk do ta ndryshojë mendimin tim për Lolon [Koscielny] si futbollist dhe si njeri. Ai është një person me shumë vlera të mira”. 

(Kosova Sot)