Barça e konsideron kthimin e Neymarit në klubi, pasi braziliani është i hapur të kthehet

  • 17 October 2018 - 11:10
Barça e konsideron kthimin e Neymarit në klubi, pasi braziliani është i hapur të kthehet

Sipas të përditshmes spanjolle “Mundo Deportivo”, ylli i Paris Saint-Germainit Neymar është i gatshëm të kthehet në Barcelonë në të ardhmen. Mundo pohon se sulmuesi ia ka ofruar shërbimet ish-klubit të tij në disa raste dhe se kampionia e Spanjës tani është duke e konsideruar arritjen e një marrëveshjeje për të.

Pas një vere në të cilën ylli brazilian u përfol si galaktiku i radhës i rivalit të përjetshëm të Barçës, Real Madridit, situata duket se tani ka marrë një kthesë të papritur. I tillë ka qenë ndryshimi i rrethanave saqë tani duket se Neymar mund të kthehet te Barcelona, diçka që dukej e pamundur para vetëm pak muajsh.

Mundo Deportivo në faqen kryesore të ballinës e ka lajmin me titullin: “Neymari nuk është i pamundur”. Ky pohim është bazuar kryesisht në faktin se vetë lojtari ka bërë të qartë gatishmërinë e tij për t’u kthyer në “Camp Nou”, duke e bërë Barcelonën ta konsiderojë mirë opsionin që më parë nuk ka qenë në tavolinë.

“Barça nuk po e hedh poshtë më. Drejtuesit e klubit do të kërkojnë ta arrijnë marrëveshjen vetëm nëse stafi i trajnerëve e jep dritën e gjelbër”, shkruan Mundo Deportivo, duke e hedhur topin në anën e Ernesto Valverdes.

Nëse trajneri i Barçës e jep aprovimin e tij, atëherë klubi do t’i nisë negociatat për ta kthyer brazilianin në Katalonjë. 

(Kosova Sot)