Shefi i Bayernit i sulmon ashpër mediat gjermane: S’keni dinjitet e as mirësjellje

  • 19 October 2018 - 15:08
Shefi i Bayernit i sulmon ashpër mediat gjermane: S’keni dinjitet e as mirësjellje

Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinze Rummenigge, i ka sulmuar ashpër mediat gjermane, duke pohuar se lojtarët e klubit të tij janë kritikuar padrejtësisht nga to.

Kampioni i Bundesligës është përballur me kritika të ashpra në javët e fundit, pasi në katër ndeshjet e fundit nuk e ka arritur asnjë fitore nën udhëheqjen e Niko Kovacit, i cili edhe pse sapo i emëruar në postin e trajnerit e gjen veten në një pozitë që duhet të luftojë për ta ruajtur vendin e punës edhe pse ka marrë mbështetjen e drejtuesve të klubit.

Forma e dobët vjen në një kohë kur edhe ekipi kombëtar i Gjermanisë po vuan nga rezultate shumë të dobëta, pas humbjeve ndaj Holandës dhe Francës në Ligën e Kombeve jo shumë muaj pas eliminimit të turpshëm nga Kupa e Botës.

“Të hënën u mblodhëm pas ndeshjes ndaj Holandës. Ajo që e lexuam në media ishte një lajm vetëm me disa lojtarë të veçuar, veçanërisht lojtarë të Bayernit”, tha Rummenigge në një konferencë për media të premten.

“Dinjiteti njerëzor po çnderohet. Këtë nuk do ta pranojmë më në Bayern Munich. Nuk mund as t’ia nisi me atë që e lexova për Manuel Neuerin. Neuer është katër herë portieri më i mirë i vitit në botë. Po ashtu, ajo që e kam lexuar për Boatengun dhe Hummelsin, më bën të mendoj se këta ekspertë nuk janë më në dijeni se çfarë do të thotë dinjitet dhe mirësjellje”, tha ai.

“E njëjta vlen edhe për Franck Ribery dhe Arjen Robben. Ata kanë kontribuuar për një dekadë për faktin që sot Bayerni është yll shndritës në botën e futbollit. Dua t’jua kujtoj se të dytë kanë fituar gjithçka. Debati për moshën e tyre është mosrespekt”, shtoi ai. 

 

(Kosova Sot)