Sarri: Tifozët e Chelseat duhet ta respektojnë Mourinhon

  • 22 October 2018 - 12:58
Sarri: Tifozët e Chelseat duhet ta respektojnë Mourinhon

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, i ka bërë thirrje tifozëve të klubit të tij ta respektojnë më shumë Jose Mourinho, pasi që ky i fundit u abuzua nga tifozët gjatë dhe pas ndeshjes në Stamford Bridge të dielën.

Mourinho, i cili i ka fituar tre tituj të Premierligës me Chelsean, i ngriti tre gishta drejt tifozëve të klubit në Stamford Bridge pas përfundimit të ndeshjes mes Manchester Unitedit dhe londinezëve, e cila përfundoi me rezultat 2-2.

Pak para se ta bënte këtë gjest, portugezi ishte treguar i gatshëm të përleshet me njërit nga anëtarët e stafit teknik të Sarrit, Marco Ianni, i cili e kishte festuar golin e barazimit para Mourinhos për ta inatosur atë.

Për këtë arsye, tifozët e Chelseat filluan të brohorasin thirrje ofenduese ndaj ish-trajnerit të tyre, Mourinhos. Këto thirrje nuk e kënaqën aspak trajnerin aktual, Sarrin, i cili tha se tifozët nuk duhet të harrojnë atë që ka bërë Mourinho në të kaluarën për ta.

“Po, Mourinho ka fituar këtu dhe unë mendoj se ne duhet ta respektojmë atë dhe duhet t’i respektojmë të gjithë që kanë arritur të fitojnë ndonjë titull me këtë klub”, ka thënë Sarri pas ndeshjes. 

 

(Kosova Sot)