Lopetegui: Nëse dëshironi ta shihni një trajner të mposhtur, kërkoni diku tjetër

  • 22 October 2018 - 17:02
Lopetegui: Nëse dëshironi ta shihni një trajner të mposhtur, kërkoni diku tjetër

Trajneri spanjoll i Real Madridit, Julen Lopetegui, ka bërë të ditur se ai nuk është dorëzuar nga pozita e tij dhe se do të vazhdojë ta përgatisë skuadrën e tij për ndeshjet e radhës, përkundër spekulimeve se ai do të shkarkohet.

Rezultatet e këqija të këtij sezoni e kanë vënë në pikëpyetje pozitën e Lopeteguit si trajner i Real Madridit, pasi që ky i fundit nuk ka arritur t’i sigurojë klubit fitore në asnjë nga pesë ndeshjet e fundit.

Disfata që pësoi Real Madridi në fundjavë në La Liga bëri që ata të binin në pozitën e shtatë në tabelë. Pasi që në fundjavë, “Los Blancos” do të ndeshen me Barcelonën në Camp Nou, e para kësaj do ta presin në shtëpi  Viktoria Plzenin, nga ta kërkohet që t’i kthehem formës së mirë sa më shpejt që është e mundur.

Këto rezultate kanë bërë që Lopetegui të jetë shumë afër shkarkimi nga pozita e trajnerit të klubit madrilen, madje tanimë kanë filluar lajmet për pretendentët kryesorë që mund ta zëvendësojnë ish-trajnerin e Kombëtares së Spanjës.

“Unë po e shikoj këtë situatë në të njëjtën mënyrë si gjithmonë. Unë po e vazhdoj punën time të përditshme pasi që këtë gjë e kemi nën kontroll. Nëse doni ta shihni një trajner të mposhtur, atëherë shikoni diku tjetër”, ka thënë Lopetegui.

“Siç e shoh unë, ne kemi një ndeshje nesër, për të cilën jemi të emocionuar dhe do të shkojmë me përkushtim dhe motiv të plotë. Unë nuk jam duke menduar për asgjë tjetër përveç ndeshjes së nesërme”.

“Është pretenduar se unë tashmë jam i përfunduar, por unë i kam analizuar kundërshtarët dhe jam përgatitur për këtë ndeshje. Nuk jam duke menduar për asgjë tjetër sepse kjo është përgjegjësia ime”.

“Unë jam këtu për momentin, nuk mund të konfirmojë asgjë tjetër tani. Nesër unë do të jem trajneri”.

 

(Kosova Sot)