Dorëzimi i Spanjës përballë Kosovës

  • 16 November 2018 - 08:28
Dorëzimi i Spanjës përballë Kosovës

Edhe India mund të ketë fatin e spanjollëve 

Lejimi i sportistëve të Kosovës me himn dhe flamur nga Qeveria spanjolle, po cilësohet si triumf i sportit ndaj politikës. Spanjollët ishin të detyruar të marrin këtë vendim, për shkak të presionit nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Edhe India është paralajmëruar, pasi nuk lejoi Donjeta Sadikun të marrë pjesë në Botëror 

Qeveria e Spanjës ka marrë vendim që tani e tutje të mos e përziejë politikën në sport. Qeveria spanjolle është dorëzuar para kërcënimit të vazhdueshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), të cilët kërcënuan Spanjën që nëse nuk garantojnë se do të lejojnë sportistët e Kosovës të garojnë të barabartë me shtetet e tjera në garat ndërkombëtare të organizuara në territorin e këtij vendi, nuk do t'ua japin organizimin e asnjë gare ndërkombëtare. Kështu, Qeveria e Spanjës ka vendosur që tani e tutje, krahas pjesëmarrjes në gara të sportistëve të Kosovës, t'i lejojë të garojnë edhe me flamurin e Kosovës dhe himnin. Presioni i madh Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Spanjës, me shpresën se një vendim i tillë do të merret edhe nga vendet e tjera, të cilat nuk e njohin Kosovën. "IOC dhe Komiteti Olimpik i Spanjës dëshirojnë të shprehin publikisht kënaqësinë e tyre të thellë me vendimin e marrë sot nga Qeveria Spanjolle lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në garat ndërkombëtare në Spanjë. Me këtë vendim të komunikuar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme, Bashkimi Evropian dhe në bashkëpunim me Josep Borrell, Qeveria e Spanjës do t'u sigurojë delegacioneve sportive të Kosovës të garojnë në Spanjë me vizën përkatëse dhe do t'i autorizojnë ata të përdorin simbolet e tyre kombëtare, himnin dhe flamurin në përputhje me protokollin olimpik", thuhet në njoftimin e lëshuar për medie nga IOC. Kjo do t'u sigurojë sportistëve të Kosovës të marrin pjesë me kushte të njëjta më të gjithë sportistët e tjerë të 206 Komiteteve Olimpike Kombëtare të njohura nga IOC, thuhet më tej në komunikatë. IOC mirëpret këtë vendim të miratuar nga Qeveria Spanjolle dhe mbështetur nga kryeministri, Pedro Sanchez. Javën e kaluar, pikërisht Qeveria e Spanjës vendosi të mos lejojë karateistët tanë të garojnë me flamurin dhe himnin e Kosovës në kampionatin botëror të organizuar në Madrid. Paralajmërim edhe për vendet e tjera Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, thotë se kështu duhet të veprohet edhe me shtete të tjera. "Nuk është asgjë e re nëse themi: "mos të rroktë i forti!". Kështu i ndodhi më në fund edhe Spanjës, e cila "u dorëzua" përpara trysnive këmbëngulëse të botës sportive, dhe pas kërcënimeve me pasoja të mëdha për sportin e këtij shteti, lëshoi udhë dhe u lejoi sportistëve të shtetit të Kosovës që të marrin pjesë në festivalin botëror të karatesë. Unë mendoj se kjo është mënyra dhe forma pothuajse e vetme që me kudërmasa shtetet që nuk e kanën pranuar Kosovën të detyrohen ta bëjnë këtë, në të kundërtën do t'i vjelin pasojat. Spanja, pra, u detyrua të dorëzohet dhe u dorëzua! Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, u pa qartë se është një organizatë e fuqishme botërore me ndikim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe se vendimet që i ka marrë deri më tash kanë qenë shumë të drejta, parimore dhe të domosdoshme, për të mos lejuar politizimin e sportit. KON-i me këtë akt madhor ua bëri të ditur edhe shteteve të tjera që nuk e kanë pranuar Kosovën dhe rrjedhimisht nuk po lejojnë që të paraqiten bë garat ndërkombëtare, që tash e tutje të mendohen mirë se si do të sillen ndaj sportistëve të Kosovës, sepse çdo vendim i tyre pengues do të ndëshkohet nga asociacioni më i madh botëror i sportit. Komiteti Olimpik i Kosovës e bëri detyrën e vet shkëlqyeshëm dhe me alarmimin e çështjes lëvizi edhe politikën e shteteve për t'i detyruar të pranojnë realitetin e ri të shtetit tonë. Kështu vepruan e po vepron, madje edhe duhet të veprojnë vazhdimisht edhe federatat përkatëse, në mënyrë që Kosovës të mos i mohohen të drejtat e pjesëmarrjes në të gjitha garat ndërkombëtare, me simbolet e saj, me himn e me flamur. Edhe India duhet të detyrohen nga KON-i, që Donjeta Sadikut t'i mundësohet pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot". Rrezikon edhe India Ka nisur Kampionati Botëror i Boksit që po zhvillohet në Indi, pa boksieren Donjeta Sadiku. Shanset që Sadiku të garojë në këtë Botëror pothuajse janë zero, pasi emri i saj nuk figuron në short, raporton "Tribune India". E, kjo krejt për shkaqe politike, pasi India nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk i ka dhënë vizë Donjeta Sadikut dhe delegacionit të Kosovës. Përkundër që është një presion i jashtëzakonshëm ndaj autoriteteve shtetërore nga ana e Komitetit Olimpik të Indisë, që kanë paralajmëruar se Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, për shkak të kësaj çështje, mund të mos i jep më Indisë të drejtën për të organizuar ngjarje të mëdha sportive. Në edicionin e dhjetë të Kampionatit Botëror pritet të marrin pjesë më shumë 300 sportistë nga 72 vende të botës.

(Kosova Sot)