NBA: Lakers rikthehet te fitorja, LeBron shkëlqen, shënon 51 pikë

  • 19 November 2018 - 11:39
NBA: Lakers rikthehet te fitorja, LeBron shkëlqen, shënon 51 pikë

Askush nuk e priste që në këtë pikë të sezonit do të flitej për një krizë të Golden State Warriors.

Kampionët në fuqi të NBA pësuan humbjen e tretë radhazi, këtë herë ndaj San Antonio Spurs, 104-92. Skuadra nga Oakland e kishte të pamundur të përballonte sulmet e teksanëve që në fillim të ndeshjes, pa mundur që të merrte kryesimin qoftë në një moment të caktuar të garës.

Tentuan të bënin diçka Kevin Durant dhe Klay Thomson, me të parin që realizoi 26 pikë e kontrolloi 10 topa, ndërsa dyti u ndal me 15 pikë, por mungesa e Stephen Curry u ndie shumë. Aldrigde, me 24 pikë e 18 rebound, ishte prijësi i Spurs-ave në këtë sukses, i ndihmuar shumë edhe nga 20 pikët e DeRozan dhe 19 të Gay.

Los Angeles Lakers rikthehen tek fitorja, falë një LeBron James që u shfaq në versionin e tij më të mirë. 51 pikë, 3 asiste dhe 8 topa poshtë koshit: këto ishin statistikat e ish-“yllit” të Cavaliers, të mjaftueshme për të mposhtur 97-113 Miami Heat. LeBron kishte përqindje të lartë realizimesh në “American Airlines Arena”, duke u treguar i saktë në 6 nga 8 gjuajtjet për tre. Me 9 fitore në 16 ndeshje në total, Lakers janë të fundit (8) në zonën play 0ff në Konferencën e Perëndimit, ku në krye janë ngjitur Portland Trail Blazers.

Me Damian Lillard në superformë, Blazers fituan 109-119 në parketin e Washington Wizards. 40 pikë, 5 asiste dhe 7 rebound realizoi 28-vjeçari, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës McCollum, që e mbylli takimin me 25 pikë. Të padobishme për Wizards 24 pikët e Wall dhe 19 të Oubre Jr.

Memphis Grizzlies po zhvillojnë një sezon të mrekullueshëm, teksa vendosën në kasafortë suksesin e 10-të, duke kaluar 87-100 Minnesota Timberwolves. Marc Gasol shkëlqey në “Target Center” të Minneapolisit me 26 pikë e 13 topa poshtë koshit, ndërsa Conley shtoi 18 pikë të tjera për Grizzlies.

Spektakël në “Amway Center” të Orlandos, ku Magic iu imponuan 131-117 New York Nicks. Miqve nuk u mjaftoi forma e mirë e Hardaway Jr., që e mbylli takimin me 32 pikë, dhe e Burke, që shtoi 32 pikë të tjera. Orlando u bazua në lojën në skuadër, ku spikati me 30 pikë Gordon. Një ndihmë të madhe në këtë sukses dha edhe malazezi Vucevic më 28 pikë, 9 asiste dhe 10 rebound. 

 

(Kosova Sot)