Azerbajxhani, finalja që gjithqysh duhet kaluar me sukses

  • 20 November 2018 - 09:13
Azerbajxhani, finalja që gjithqysh duhet kaluar me sukses

Kosovës i mjafton edhe barazimi për të përfunduar e para në këtë grup

"E dimë që është ndeshje me rëndësi shumë të madhe dhe nuk duam ta lëshojmë këtë mundësi. Dikush mund të mendojë se do të luajmë për barazim, por gabohen. Unë asnjëherë nuk e ndryshoj strategjinë e punës, pra do të kërkojmë përmes lojës së bukur të arrijmë fitoren, ndryshe nuk bën", ka thënë Bernard Challandes

Kosova sonte do ta zhvillojë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në histori të saj. Kombëtarja jonë përballet me Azerbajxhanin në sfidën e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve dhe një rezultat pozitiv, fitore apo barazim e kualifikon atë në gjysmëfinale për kualifikim në kampionatin Evropian. Përveç kësaj përfundimi në vendin e parë në Grupin 3 të Ligës D, ia mundëson Kosovës ngjitjen në Ligën C, çka do të ishte një sukses shumë i madh. Kampi i Kosovës që dje e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para kësaj ndeshjeje, dukej i qetë dhe aspak në presion, derisa trajneri Berndard Challandes dhe mesfushori Valon Berisha, përkundër që Kosovës i konvenon edhe barazimi, kanë thënë se në fushë hyjnë vetëm për fitore dhe do të ishte gabim shumë i madh nëse kërkojnë të luajnë për një pikë. Azerbajxhani favorit! "Azerbajxhanin e konsideroj favorit për disa arsye. E para për shkak të renditjes më të mirë në FIFA sesa ne,pastaj ka edhe përvojë më të madhe që ka. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë për këtë sfidë dhe besojmë shumë në fitore", ka thënë në konferencën për shtyp trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, i cili për fat të mirë ka në dispozicion gjithë futbollistët për këtë sfidë."E kam parë dhe analizuar mirë lojën e Azerbajxhanit dhe ne e dimë saktësisht çfarë duhet bërë për këtë ndeshje. E dimë që është ndeshje e rëndësisë shumë të madhe dhe nuk duam ta lëshojmë këtë mundësi. Dikush mund të mendojë se do të luajmë për barazim, por gabohen. Unë asnjëherë nuk e ndryshojë strategjinë e punës, pra do të kërkojmë përmes lojës së bukur të arrijmë fitoren, ndryshe nuk bën", ka thënë Challandes. Berisha: Nuk kemi presion Në anën tjetër mesfushori i Kosovë, Valon Berisha, ka thënë se përkundër peshës shumë të madhe të kësaj ndeshjeje, ai dhe futbollistët tjerë nuk kanë kurrfarë presioni dhe se sfidën po e presin me qetësi. "Azerbajxhani nuk ka çfarë të humbas dhe këtu ka ardhur për fitore, kjo edhe e bën shumë të vështirë punën tonë. Megjithatë, e dimë forcën tonë dhe kemi besim në fitore", ka thënë Berisha duke mohuar kategorikisht se ata do të tentojnë me lojë defensive të luajnë edhe për një barazim. "Jo vetëm unë por asnjë lojtarë në ekipin e Kosovës nuk hynë në këtë ndeshje për barazim. Do të ishte gabim që ta kërkojmë kualifikimin përmes barazimit. Pra ne do të synojmë ta fitojmë këtë ndeshje. Rezultati në Maltë na ka dhënë shumë motiv dhe e kemi kuptuar se vetëm përmes lojës së bukur mund të arrihen rezultatet", ka thënë Berisha, i cili në sfidën e fundit luajti 60 minuta. Përzgjedhësi Challandes nuk ka folur për ekipin startues në sfidën e sotme, por duket se nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga ndeshja që luajti me Maltën. Kombëtarja e Azerbajxhanit po e mban konferencën para ndeshjes me Kosovës në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë. Në anën tjetër trajneri i Azerbajxhanit, Gurban Gurbanov, ka thënë se ndeshja me Kosovën do të jetë shumë e rëndësishme dhe do ta tentojë ta fitojnë. "E falënderojë trajnerin Bernard Challandes për komplimentet. Në Azerbajxhan kam folur mirë për Kosovën, pasi që kanë potencial. Atyre u duhet vetëm një pikë Kosovës dhe stadiumi do të jetë i mbushur. Mirëpo, ne do ta japim maksimumin për të arritur fitore. Nuk mendoj se Azerbajxhani është favorit. Gjasat janë të barabarta", ka përfunduar Gurbanov. 

(Kosova Sot)