Manaj ndjehet i ofenduar: De Biasi ka thënë gënjeshtra!

  • 13 October 2015 - 16:59
Manaj ndjehet i ofenduar: De Biasi ka thënë gënjeshtra!

Rey Manaj ka reaguar pas fjalëve të Gianni de Biasit në një emision televiziv rreth sulmuesit të Interit.

Përzgjedhësi i Shqipërisë kishte thënë se futbollisti po i shkruante vazhdimisht duke “iu lutur që ta përfshinte në skuadër”.

Më poshtë është reagimi i plotë i Manajt:

“Kam lexuar disa artikuj të cilët më kanë dhënë shumë bezdi. Gjëra të thëna nga njerëz që përfaqësojnë kombëtaren shqiptare. Nëse artikujt janë të vërtetë dhe fjalët e dikujt po ashtu, atëherë unë nuk kam fjalë për të përshkruar sa i ofenduar edhe i zhgënjyer ndihem!”.

“Artikujt që janë përhapur nuk janë thjesht se një gënjeshtër më e madhe dhe qesharake! Personi për të cilin kam pasur shumë respekt, i cili ka thënë që unë javë për javë i kam dërguar mesazhe për t’i treguar minutat që kam bërë në ndeshje ka gënjyer! Kurrë në jetë nuk i kam fituar gjërat duke ‘lëpirë ose lutur’ dikë , por me sinqerisht, djersë edhe sakrifica pafund!”.

“Nëse i madhi De Biasi thotë që i kam shkruar çdo fundjavë atëherë është i lutur t’i publikojë ato mesazhe … Është e vërtetë që i kam shkruar një herë pas ndeshjes me Serbinë, por deri atëherë nuk e kam pasur numrin e tij të telefonit” .

“Shkruaj këtë mesazh, sepse nuk dua të më vendosin këmbët në kokë askush... Sidomos duke u bazuar në gënjeshtra! Unë e dua më shumë se veten kombin, shtetin tim edhe ngjyrat e flamurit më të bukur në botë! Kam sakrifikuar shumë për të arritur deri këtu, sepse kjo është ëndrra ime, dua ta përfaqësoj SHQIPERINE time edhe nuk lejoj askënd të ma prishë ëndrrën!”.

“Unë jo domosdoshmërisht duhet të luaj për kombëtaren, por e kam ëndërr dhe dëshirë. E ndjej si detyrim për t’i shërbyer këtyre ngjyrave! Unë nuk jam tradhtar dhe do ta jepja jetën për flamurin tim! I shkruaj këto gjera, siç thash edhe pak më sipër, sepse vërtet ndihem shumë i ofenduar dhe i hidhëruar.. Nuk kam fjalë! Çdo gjë e bëj me zemër dhe qysh e ndiej, por fytyrën, zemrën dhe dinjitetin tim nuk i shes. Respekte. RM97”.