Botërori i Peshëngritjes, Qerimaj renditet në vendin e 12-të

  • 25 November 2015 - 11:46
Botërori i Peshëngritjes, Qerimaj renditet në vendin e 12-të

Erkand Qerimaj e ka mbyllur në vendin e 12-të, Botërorin e Houston në Peshëngritje nga 51 sportistë që merrnin pjesë në Kategorinë 77 kg, ku shkodrani e nisi nga Bateria B. Rezultatet e Baterisë A, që u zhvilluan në orët e para të kësaj të mërkure konfirmuan Qerimajn në vendin e 12-të, me shqiptarin që arriti të lërë pas, 3 garues të kësaj Baterie. 27-vjecari, u rendit fillimisht i pesti në Baterinë B, pasi arriti të ngrejë 154 kilogram në stilin e shkëputjes dhe 188 në stilin e shtytjes, për një total prej 342 kilogramësh.

Ish-kampioni i Europës pas rezultateve të Baterisë A, u pozicionua në vendin e 12-të duke i dhënë Shqipërisë pikë për në Olimpiadë. Ndërkohë që në peshën 69 kilogram, peshëngritësi tjetër Briken Calja u pozicionua i 8-ti duke arritur gjithashtu një rezultat të mirë. Vitin e ardhshëm do të zhvillohen Lojërat Olimpike të Rios dhe duhet pritur përfundimi i Botërorit të Houston-it për të mësuar nëse shtanga shqiptare do të përfaqësohet me një peshëngritës të kualifikuar direkt, apo do të marrë pjesë me ftesë.