Presidenti i Federatës Armene: Lojtarët shitën ndeshjen ndaj Shqipërisë

  • 26 November 2015 - 09:24
Presidenti i Federatës Armene: Lojtarët shitën ndeshjen ndaj Shqipërisë

Ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj nga fitorja e Shqipërisë 0-3, në Armeni, e datës 11 tetor, e vlefshme për kualifikueset për në Kampionatin Evropian, efektet e asaj ndeshje vijojnë të ndihen fuqishëm në të dy kampet.

Kështu, teksa shqiptarët vazhdojnë t’i gëzohen asaj nate historike, nga ana tjetër, armenët vijojnë të hetojnë mbi atë disfatë të rëndë.

Edhe më keq akoma, teksa sot, mësohet se presidenti i Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan, ka dalë në akuza konkrete dhe të rënda ndaj Kombëtares Armene.

“Federata e Futbollit dhe Kombëtarja Armene e Futbollit janë pasuri e të gjithë kombit. Është normale që të gjithë të ankohen. Unë, si president i federatës do të bëj gjithçka në mundësitë e mia për të kapërcyer këtë krizë. Futbollistët e Kombëtares tonë, thjeshtë nuk duan të luajnë futboll”, mësohet të jetë shprehur numri 1 i Federatës Armene të Futbollit.

“Referuar përballjes kundër Shqipërisë, atëherë, në atë rast kishte tradhëti gjatë ndeshjes. Sikur edhe trajneri më i mirë të drejtonte ekipin në ndeshjen kundër Shqipërisë, rezultati do të mbetej i njëjtë”, deklaroi presidenti i Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan, sipas asaj që raporton “Armenpress”.