Ismet Munishi flet për derbin me Feronikelin

  • 01 December 2015 - 19:00
Ismet Munishi flet për derbin me Feronikelin

Sy e veshë do të jenë nesër nga ora 13:00 në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë.

Feronikeli, skuadër të cilës i është suspenduar stadiumi ‘Rexhep Rexhepi’, do të përballet me Hajvalinë. Kjo ndeshje do ta vendos edhe titullin e kampionit vjeshtor.

Hajvalisë i duhet një fitore me rezultat 2:0, në mënyrë që të dimërojë në pozitën e parë. Kujtojmë se kjo ndeshje e mbyll stinorin vjeshtor të Raiffeisen Superligës.

Një histori e shkroi në qytetin e Vushtrrisë duke e fituar për herë të parë titullin e kampionit me Llamkos Kosovës (tashmë FC Vushtrria). Ai nuk synon që të ndalet së shkruari histori. Titullin ‘sefte’ pretendon t’ia sjell edhe Hajvalisë.

Fjala është për ‘timonierin’ Ismet Munishi, i cili bëri mrekulli me Hajvalinë, duke e marrë ekipin me zero pikë, për ta sjell në këto pozita.

Munishi ka besim të plotë se skuadra e tij do t’i gëzohet fitores. “Ne jemi duke kaluar formë më të mirë se ata. Dihet se njëherë i kemi mundur ata. Sipas të gjitha gjasave dhe parashikimeve që jam duke i bërë, nesër Hajvalia do ta fitojë këtë ndeshje”, i ka thënë Gazetës ‘Olle’, trajneri dhe ish-futbollisti i madh kosovar, Ismet Munishi.

Si gjithmonë, nuk mungoi edhe një batutë nga trajneri i njohur si ‘Ismet Baba’. “Edhe me 1:0, edhe me 2:0, unë e shpalli veten kampion. Le të më rangojnë ata ku të duan në tabelë”, shtoi Munishi.

Tutje, trajneri nga Prishtina deklaroi se kjo ndeshje do të jetë një reklamë e mirë edhe për futbollin e Kosovës. “Nesër do të jetë një ndeshje shumë e mirë, sepse do të luajnë ekipet më të forta në ligë. Jam i kënaqur që në këtë takim do të referojë Fatmir Tahiri, i cili sipas meje është gjyqtari më i mirë në Kosovë”, përfundoi Ismet Munishi.

Për këtë ndeshje do të mungoi gjiganti i mbrojtjes Alban Dragusha, i cili po kalon një lëndim, derisa Munishi nuk do të rrezikojë për ta inkuadruar në lojë.