Kalkulimet me Morata-n

  • 05 February 2016 - 19:18
Kalkulimet me Morata-n

Real Madrid ka vendosur këtë verë të paguajë 32 milionë eurot që janë parashikuar te “klauzola e riblerjes” dhe do të kthejë Alvaro Morata-n në “Santiago Bernabeu”. Sipas “Marca”, madrilenët nuk kanë më dyshime në lidhje me sulmuesin e Juventus, i cili është shitur në verën e 2014-ës me mundësinë për t’u riblerë në 2016-ën. Kjo zgjedhje e spanjollëve do të bëhet më shumë për arsye ekonomike: paraqitja e mirë e lojtarit në Champions League sezonin e kaluar dhe fakti se ai mund të përmirësohet akoma, do ta bëjnë atë një nga sulmuesit më të kërkuar në vitet e ardhshme.Sipas të përditshmes spanjolle, skuadra si Manchester United dhe Liverpool mund të ofrojnë edhe 50 milionë euro për spanjollin. Praktikisht, nëse një transferim i tillë do të konkretizohej që në verën e ardhshme, Real do të mund të realizonte një suficit prej 18 milionë eurosh. Gjithmonë sipas “Marca”, prania e Zidane në drejtim të Real Madrid e bën akoma më të vështirë qëndrimin e lojtarit në “Bernabeu”. Në fakt, tekniku francez, duket se preferon më shumë Jesse-n, të cilit i ka dhënë shumë hapësira në katër ndeshjet e para si trajner.

 

(Kosova Sot)