Prishtina merr Lushtakun dhe niset për në Durrës

  • 09 February 2016 - 09:19
Prishtina merr Lushtakun dhe niset për në Durrës

Skuadra e Prishtinës vazhdon të përforcohet dhe duket se nuk e ka ndërmend të ndalet derisa të krijojë një skuadër “bombastike”. Trajneri bardhekaltër, Sami Sermaxhaj për stinorin e ri do ta ketë në dispozicion edhe futbollistin e përfaqësueses U21, Kreshnik Lushtakun. Mesfushori drenicas stinorin e kaluar mbrojti ngjyrat e Vëllaznisë së Shkodrës, ndërsa këtë stinor u rikthye në Kosovë, pasi nuk gjeti gjuhë të përbashkët me shkodranët për ta vazhduar marrëveshjen, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Në anën tjetër, Prishtina sot do të udhëtojë drejtë Durrësit të Shqipërisë për të zhvilluar edhe një fazë tjetër të përgatitjeve. Të kujtojmë se Prishtina ishte në Shqipëri javën e kaluar ku qëndroi 7 ditë, për t’u rikthyer në Kosovë vetëm për 5 ditë dhe kështu punën prapë ta vazhdojë në Shqipëri.

Kjo është faza e fundit e përgatitjeve të Prishtinës, pasi me t’u kthyer e pret ndeshja e Kupës së Kosovës, ku ballafaqohet me Istogun,  ndërsa një javë më vonë nis edhe stinori i ri pranveror, ku skuadrën e Sermaxhajt e pret një punë e vështirë në luftë për ta ruajtur statusin e skuadrës elite të futbollit tonë.

(Kosova Sot)