Austri – Shqipëri, ja çmimi i biletave

  • 10 February 2016 - 14:27
Austri – Shqipëri, ja çmimi i biletave

Federata Austriake e Futbollit publikoi çmimet e biletave për ndeshjen e 26 Marsit, ku përfaqësuesja e vendit të dhjetë në botë do të luajë me Shqipërinë.

Mbështetësit e Kombëtares kuqezi do të akomodohen në Sektorin F të impiantit në Vjenë dhe në një pjesë të Sektorit A, tribunat mbrapa portës në zonën jug-lindore, ku zakonisht vendosen tifozët miq në ngjarjet sportive.

Çmimet e përcaktuara për tifozët shqiptarë variojnë nga 8 euro deri në biletat më të shtrenjta që kushtojnë 24 euro.

I gjithë sektori F, që karakterizohet nga ulëset me ngjyrë të verdhë, është lënë në dispozicion të mbështetësve të skuadrës së Gianni De Biasit. Bëhet fjalë për afro 3 mijë bileta.

Për fëmijët nën 14-vjeç çmimi është 8 euro, ndërsa biletat e tjera në tre unazat e stadiumit kushtojnë 19 dhe 24 euro. Të njëjtat çmime janë përcaktuar edhe për Sektorin A1, ku tifozët e Shqipërisë do të kenë në dispozicion unazën e dytë të tribunës, me kapacitet afro një mijë vende.

(Kosova Sot)