Skandalet e Cassano-s

  • 12 February 2016 - 18:28
Skandalet e Cassano-s

Sulmuesi i Sampdoria-s, Antonio Cassano rrëfen eksperiencën e tij te Roma dhe aventurën e tij në Madrid, duke lëshuar deklarata befasuese. “Periudha te Roma ka qenë fantastike. Ëndërroja të luaja me një kampion si Francesco Totti, i cili më ka pranuar si mik në shtëpinë e tij për 6 muaj rresht. Më pas miqësia jonë u prish pas një zënke banale. Te Roma kam bërë gjëra që ende nuk i besoj se si mund t’i kem bërë. Njëherë vodha çelësat e qendrës stërvitore të Trigorias dhe i kam kthyer në 6 të mëngjesit. Askush nuk më ‘kryqëzoi’ pasi ditën tjetër fituam 4:0 kundër Juventus-it dhe unë dhurova një nga paraqitjet më të mira të karrierës time. Real-i? Tek klubi spanjoll ka qenë një çmenduri e vërtetë. Në fillim nuk mendova se do të isha pjesë e Real-it, por kur ma ka thënë personalisht në telefon presidenti Perez, sa nuk më ra të fikët”, ka thënë Cassano, i cili njihet për skandalet e shumta në futboll. Por, ai kishte edhe shumë zhgënjime. “Gjithsesi te Real-i kam zhgënjyer dhe kjo ka ndodhur vetëm për fajin tim. Në një klub si Real-i ose shkon të kthehesh në kampion, ose shkon për të bërë qejf. Unë zgjidha këtë të dytën. Shtova afro 10 kg, duke shkuar në 98 kilogramë, ndërsa shumicën e kohës e kaloja me femra, duke preferuar jetë seksuale të shfrenuar. Nuk do të harroj kurrë mënyrën se si stërvitej Zinedine Zidane. Ai është një njeri i mrekullueshëm, i cili mendonte vetëm për sportin. Mendoj se do të kthehet në një trajner fantastik”, përfundoi Cassano. (Kosova Sot)