Përzgjedhësi belg tregon se për cilën përfaqësuese do të luajë Januzaj

  • 30 April 2016 - 17:24
Përzgjedhësi belg tregon se për cilën përfaqësuese do të luajë Januzaj

Ditë më parë mediat belge shkruan se Adnan Januzaj do të lë Belgjikën dhe do të luajë për Kosovën.

Këtë e ka pranuar edhe përzgjedhësi i Belgjikës, Marc Wilmots, i cili ishte njëri ndër më këmbëngulësit që Januzaj të luajë për Belgjikën.

Januzaj nuk ka më vend në Kombëtaren belge, kurse Kosova pritet që të luajë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. 

“E kam lexuar këtë, por nuk di asgjë për këtë. Dy vjet më parë, e pyeta për të zgjedhur me zemrën e tij, dhe ai vendosi të vijë te ne. Nëse ai ndryshon mendje tani, dhe e ndjen se është më mirë të shkojë diku tjetër, unë nuk do ta gjykoj atë. Nuk do të jem në gjendje të bëj ndonjë gjë tjetër në këtë rast”, ka thënë Wilmots për “La Derniere Heure”, përcjell albinfo.ch.

Hera e fundit që Belgjika kishte ftuar Januzajn ishte para 16 muajsh dhe Wilmots thekson se ka pasur shumë pak kontakte me të.

“Ai është duke përjetuar sezonin e dytë radhazi të vështirë. Hera e fundit kur folëm ishte kur zgjodhi huazimin në Dortmund. E pyeta nëse për të ishte ide e mirë, duke pasur parasysh konkurrencën e madhe që kishte edhe atje”, theksoi Wilmots.

(Kosova Sot)