Urimet për pranimin e Kosovës

  • 03 May 2016 - 18:28
Urimet për pranimin e Kosovës

Pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA me të drejta të plota, ka zgjuar reagime anembanë botës. Sportistët, politikanët, artistët e mediet kanë reaguar në mënyra të ndryshme për pranimin e Kosovës. Sigurisht se këtij lajmi më së shumti i janë gëzuar futbollistët që luajnë në Kosovë, por edhe ata që mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses kosovare. Edhe ata që luajnë për Shqipërinë janë shprehur shumë të lumtur për këtë vendim të UEFA-s. Nuk munguan urimet e politikanëve, derisa mediet varësisht nga vendet ku vijnë, kanë raportuar në mënyra të ndryshme.

Mesazhi i futbollistëve kosovarë

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani ishte shumë i lumtur me këtë vendim të jashtëzakonshëm për futbollin kosovar. “Kjo është dita më e lumtur në jetën time, nuk di si ta përshkruaj këtë emocion kaq të madh, besoj që krejt shqiptarët janë në këtë situatë. Kjo është dita më e lumtur, po e përsërisë, dita më e lumtur në jetën time dhe dita më e lumtur në jetën e miliona shqiptarëve. Kërkesa ime për shokët që luajnë në Përfaqësuese tjera është që të rikthehen te Kosova, sepse Kosova është duke i pritur krahë hapur, Kosova po i thërret bijtë e saj që ta bëjmë fuqi futbolli”, ka thënë portieri i Latina-s. Futbollisti Bernard Berisha kishte një mesazh shumë të qartë: “Është një përgjegjësi më e madhe për ne. Besoj që të gjithë jemi të gatshëm për këtë aventurë të re dhe të japim gjithçka nga vetja. Është një ditë e veçantë që të gjithë e kemi prit që një kohë të gjatë. Sot të festojmë së bashku për këtë arritje historike. Kosova nuk ka nevojë që t’i dërgojë ftesë askujt. Kush është shqiptar do të vij e të luaj pa ftesë”, ka thënë Berisha. Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Ilir Azemi ka uruar përmes “Facebook”-ut pranimin e vendit tonë në organizatën më të madhe të futbollit për Evropë. “Urime shqiptarë. Kosova në UEFA”, ka shkruar Azemi. Një tjetër futbollist që ka uruar është mbrojtësi Loret Sadiku. “Nëse luajmë në kualifikimet për Kampionat Botëror besoj se do të arrijmë të kemi sukses, pasi kemi lojtarë shumë të mirë dhe me pranimin e Kosovës besoj se do të vijnë edhe lojtarët më të mirë për të luajtur për ne”, theksoi Sadiku. Edhe Bersant Celina ka uruar për pranimin e Kosovës në UEFA, duke shkruar se ky është vendim historik.

Urimet e kuqezinjve

Portieri Etrit Berisha dhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana kanë uruar Kosovën për anëtarësimin në UEFA. Gardiani kuqezi ka postuar një ‘selfie’ duke e shoqëruar edhe me shkrimin “Urime Kosovë pranimi në UEFA”, derisa Cana ka shkruar: “Urime Kosovë. Më në fund izolimi ka përfunduar”. Edhe Alban Meha, i është gëzuar pranimit të Kosovës. “Pa asnjë dyshim ky është lajmi më i mirë i shekullit për sportin e Kosovës. Për këtë duhet t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar për futbollin e Kosovës. Urime për të gjithë shqiptarët, anembanë!”. Mbrojtësi i Atalanta-s, Berat Gjimshiti, gjithashtu ishte i lumtur. “Kosova dhe futbolli i saj meriton të dalin nga izolimi. Aty ka shumë talente dhe duhet që edhe atyre t’iu hapen dyert për Evropë. Përfaqësuesja e Kosovës ka shumë lojtarë të talentuar dhe duhet të jenë të barabartë me të gjitha përfaqësueset evropiane dhe botërore”, deklaroi Gjimshiti. Listës së urimeve nuk ka mundur t’iu mungojë as Shkëlzen Gashi, i cili luan në Kampionatin Amerikan, derisa është anëtar i Kombëtares shqiptare. “Ditë e madhe për futbollin. Faleminderit UEFA dhe urime Kosovë”. Edhe Arlind Ajeti, Milot Rashica, Liridon Latifi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, e të tjerët kanë uruar për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA.

Rusia e tradhton Serbinë

Rusia, aleatja tradicionale e Serbisë në lobimet kundër Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare, jo vetëm në sport, kërkon respektimin e vendimit të Kongresit të UEFA-s. Ministri rus i sporteve, Vitaly Mutko tha se vendi i tij votoi kundër anëtarësimit të Kosovës, por se duhet të respektohet dhe njihet vendimi i shumicës. Ai nuk bëri asnjë koment mbi pretendimet e palës serbe se u shkel statuti i UEFA-s. “Rusia nuk mbështeti vendimin e Kongresit për të anëtarësuar Kosovën, por kjo është demokracia, ky ishte vendimi i shumicës dhe ky vendim duhet të zbatohet”, deklaroi ministri rus i Sportit, Vitaly Mutko. Anëtarësimi historik i Kosovës në UEFA kishte kundërshtarët e vet dhe më të mëdhenjtë ndodheshin në Beograd. Mediet serbe e cilësuan skandal anëtarësimin dhe thonë se u bë në shkelje flagrante të statutit. “Skandal në Budapest”, është lajmi kryesor në edicionin online i “Kurir”, që shton se Kosova u pranua në shkelje flagrante të statutit. “B92” thotë se pavarësisht se artikulli 7 i statutit nuk ndryshoi, kjo nuk e pengoi Kosovën që të bëhej anëtare e UEFA-s. Lajmi i anëtarësimit të Kosovës në UEFA nuk është pritur mirë jo vetëm në Serbi, por edhe në Zvicër. “Blick” hapet në versionin e vet online me titullin: “Kosova në UEFA, po Xhaka dhe Shaqiri, çfarë do të bëjnë tani?”, shkruan ajo, duke theksuar edhe njëherë frikën e shprehur edhe nga përfaqësuesi helvet në Kongresin e UEFA-s për të ardhmen e lojtarëve që kanë lindur në Kosovë. “Çmenduri në Prishtinë, tërbim në Beograd”, ka qenë titulli i “jutarnji.hr” për pranimin e Kosovës në UEFA. Njëjtë ka vepruar edhe portali “tportal.hr”, duke e titulluar këtë ngjarje si “Ditë historike: UEFA pranon Kosovën, tërbim në Serbi”. Kroatët menjëherë kanë ngritur pikëpyetjet se a do të kalojnë në anën e Kosovës, lojtarët kosovarë si Shaqiri, Behrami e Xhaka. “24sata.hr” është media që i ka ngritur këto pikëpyetje, duke thënë “Shaqiri ndërron përfaqësuese?”.

(Kosova Sot)