Dita e jetësimit të ëndrrës së shumë brezave

  • 05 May 2016 - 10:35
Dita e jetësimit të ëndrrës së shumë brezave

Ëndrrat jo gjithnjë bëhen realitet. Bile, në shumicën e rasteve në jetë ato ngelin vetëm si të tilla, ëndrra që nuk jetë- sohen kurrë. Mbase mu duke e pasur këtë parasysh, në shumë raste, pavarësisht se do të kishim shumë dëshirë që ëndrrat të na realizohen, shumë shpejt dhe shumë lehtë pajtohemi se ato kanë qenë vetëm ëndrra,shkruan gazeta Kosova Sot.

Është krejt ndryshe situata me ato ëndrra, për të cilat vazhdimisht besojmë se mund të realizohen, për të cilat vazhdimisht luftojmë që të na përmbushen, duke përballuar edhe aso pengesash që në shikim të parë duken të papërballueshme. Një ëndërr e tillë na u jetësua dje, të martën, më 3 maj 2016. Jorastësisht po i potencoj edhe ditën, datën, muajin dhe vitin, sepse kjo datë do të hyjë me shkronja të arta në historinë e futbollit kosovar, në historinë e sportit kosovar, e pse jo edhe në historinë e vetë Kosovës.

25 vjet më parë, publikisht u deklarua kjo që u arrit tash

E martë, 3 maj 2016, është dita kur futbolli kosovar e jetësoi ëndrrën e kamotshme, ëndrrën që të jetë i barabartë me të tjerët. Dhe, futbolli kosovar, më në fund, është pjesë e Evropës, Kosova është anëtari i 55-të i Asociacionit Evropian të Futbollit - UEFA, duke e trasuar kështu rrugën që pas 10 ditësh të bëhet edhe pjesë e Asociacionit Botëror të Futbollit - FIFA. Do të jetë kjo një ditë e shënuar për futbollin tonë, ditë kur u jetësua ëndrra e shumë brezave futbollistësh, trajnerësh, gjyqtarësh, punëtorësh sportivë dhe të dashamirëve të shumtë të këtij sporti.

Futbolli në Kosovë ka filluar të luhet para gati 100 vjetësh dhe që nga atëherë çdokush që tek ne është marrë me këtë sport pa dyshim se e ka pasur një dëshirë të madhe - që Kosova një ditë të prezantohet në arenën ndërkombëtare, për të matur forcën me të tjerët, me popujt e tjerë me vendet e tjera. Një kohë të gjatë kjo dëshirë disi kishte ngelur vetëm në mendjen dhe në zemrat e atyre që merreshin me këtë sport, duke mos arritur të shpallet publikisht, gjë që, duke pasur parasysh rrethanat e atyre kohërave, ishte e kuptueshme. U desh të vjen viti 1991 që kjo dëshirë të shpërthej, të thuhet me plotë gojë dhe me plotë zemër. Dhe, në këtë ditë të shënuar, kur Kosova u bë anëtari i 55-të i UEFA-s, nuk kemi se si të mos e kthejmë kujtesën 25 vjet pas, atëherë kur u vunë themelet e kësaj që u arrit tash.

Klubet më të mëdha u bënë bartëse të aksionit gjithëkombëtar

Ishte viti 1991, ishte kohë kur të gjithëve na u bë e qartë se as në sport nuk mund të garosh me atë që të ndjek e të përndjek, të përdhunon e të arreston, të lë pa punë e të lë pa bukë dhe, ç'është më e rënda, me atë që të vranë natën e të qanë ditën. Kështu asokohe silleshin serbët ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë.gjithnjë, nuk kishin se si të qëndrojnë ta ndarë, të izoluar nga vëllezërit e vet, nga populli që i takonin. Të trimëruar edhe nga veprimi i karateistëve të Minatorit që në pranverën e vitit 1991 organizuan garën e parë të pavarur sportive në Kosovë, para punonjësve të futbollit doli një detyrë dhe obligim madhor. Detyrë që të pavarësojnë futbollin kosovar nga tutela serbe dhe obligim që të themelojnë Federatën e Futbollit të Kosovës, në ç'mënyrë, si sporti më popullor, do të joshnin pas vete edhe sportet e tjera. Detyra dhe obligimi ishin të qarta, por nuk dukeshin aq lehtë të realizueshme.

Mendohej se nuk do të jetë e lehtë të binden klubet profesioniste, posaçërisht futbollistët profesionistë që nga marrja me futboll, asokohe, paguheshin mjaft mirë, që të heqin dorë nga ato pagesa të majme dhe të futën në një rrugë që në ato ditë dukej mjaft e mjegulluar. Asokohe, përkrahja e çdo klubi në këtë rrugë, pavarësisht namin që kishte klubi, ishte shumë e mirëseardhur. Megjithatë duhet pranuar se tërë vëmendja ishte e orientuar nga klubet me më nam të asaj kohe, Prishtina, Trepça, Vëllaznimi, Liria..., të cilat bënin gara në rangjet federative. Dhe, nuk kishte se si të ndodhë ndryshe! Këto klube jo që iu bashkuan kësaj ideje dhe kësaj iniciative, por u bënë edhe bartëset kryesore të realizimit të tyre dhe kjo ishte garancia më e madhe se futbolli ynë do të hyjë fuqishëm në rrugën e pavarësimit, gjë që edhe ndodhi.

Nga një dëshirë e thënë fshehurazi deri te jetësimi i saj

Dhe, ajo që filloi më 20 gusht 1991, kur u themelua zyrtarisht Federata e Futbollit e Kosovës, e me ç'rast në Kuvendin themelues, në programin e punës, diku si fshehurazi, përmendej qëllimi i garimit të futbollistëve kosovarë me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë e në Botë, u jetësua 25 vjet më vonë, më 3 maj 2016 në kryeqytetin hungarez, në Budapest. Kjo rrugë 25- vjeçare nuk ishte aspak e lehtë, ishte e mbushur përplot sprova, madje edhe përndjekje e arrestime nga pushtetarët e instaluar serbë, ishte përplot sakrifica dhe mund, por mbi të gjitha qëndronte vendosmëria e atyre që merreshin me këtë sport, që ta shpijnë atë aty ku donin, në arenën ndërkombëtare.

Dhe, atëherë kur qëllimi arrihet, çdo gjë që i ka parapri atij, çdo sakrificë e bërë për këtë, duken shumë të qëlluara dhe të arsyeshme. Kujtojmë se kështu ndihen të gjithë ata që në këtë rrugë 25- vjeçare, e kanë vënë së paku një gur mbi murin e madh të futbollit kosovar. Të gjithë atyre u qoftë me këmbë të mbarë pranimi në UEFA!

(Kosova Sot)