< Shpëtojeni Prishtinën nga klubi i mafio-oligarkëve mashtrues! (Video) - TV - Kosova Sot
Shpėtojeni Prishtinėn nga klubi i mafio-oligarkėve mashtrues! (Video)

Shpėtojeni Prishtinėn nga klubi i mafio-oligarkėve mashtrues! (Video)

E diela, testi vendimtar për kryeqytetin e monopolizuar

Alternativa e vetme, ndëshkimi ndaj qeverisë së dështuar

“I ftoj dhe i lus qytetarët e Prishtinës, kujdes, mos luani me votën e shenjtë, se kjo do jetë fatale për ju dhe vetë Prishtinën. Do të jetë fatale dhe do të thellohet kryeqyteti edhe më thellë në krimin e organizuar, në rast se ju, qytetarët, ia shitni votën VV-së, kështu që do të mundësoni që pushtetin me të dy duart ta marrin nëntoka dhe vëllezërit e inkriminuar Devolli”, u shpreh analisti Ragip Guraziu

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen këtë të diel, përsëri pas katër vjetësh, kutive të votimit për të zgjedhur organet e  reja të pushtetit lokal, duke përfshirë këtu Asamblenë komunale dhe  kupolën e ekzekutivit, që është nën vartësinë e kryetarit.  Duke parë mostrën e parë të qeverisjes me Prishtinën nga VV-ja, analistët politikë konsiderojnë se është e domosdoshme që në kryeqytet të ndodhin ndryshime, me shkëputje nga qeverisja e tanishme, e cila u tregua  skajshmërisht e pasuksesshme, e dështuar, madje edhe e dyshuar për involvim në afera, sikur ishte rasti i jahtit dhe lidhjet tepër të ngushta me oligarkët e biznesit, Devollët. Sipas analistëve, do të ishte  tejet  fatale dhe  një thellim akoma më i madh  i kryeqytetit  në krimin e organizuar,  në rast se qytetarët mashtrohen dhe  ia shesin votën VV-së,  dhe e mundësojnë që pushtetin me të dy duart ta marrin nëntoka dhe vëllezërit e inkriminuar Devolli. Njohësit e rrethanave theksojnë se është i mjaftueshëm  shembulli i skandalit të  Shpend Ahmetit, me shëtitjen në jahtet e të inkriminuarve Devolli, si ilustrim tjetër i ri i  joshjes dhe kapjes së politikës nga mafio-bizneset e inkriminuara, që i kanë futur në grusht e brenda interesit të tyre kriminal pushtetarët komunalë  me orekse të inkriminuara në Prishtinë, dhe bashkë me të po e rrënojnë kryeqytetin dhe Republikën, po e pengojnë zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve prishtinas, duke mbushur vetëm xhepat e kontot bankare të veta, nga  zhvatja ashiqare e  aseteve dhe tokave publike më vitale. Më e keqja në krejt këtë rrafsh është që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ende nuk ka bërë publike se a ka hapur zyrtarisht "ex officio" hetimet për të zbardhur të gjitha veprimet e dyshuara kriminale e korruptive të Shpend Ahmetit dhe ekipit të tij, Dardan Sejdiut, Liburn Aliut, Dardan Molliqajt me korporatat e dyshuara të vëllezërve të dyshuar  Devolli dhe mentorit e bashkë-ortakut të tyre në krim të organizuar Baton Haxhiu. Gazeta vazhdimisht është interesuar për këtë çështje, por PSRK-ja po rri në heshtje.

Qytetarët nuk do të mashtrohen sërish

Sipas analistëve, shpresë për ta shkëputur kryeqytetin nga lidhjet e politikës së VV-së me krimin e organizuar mbetet vota e qytetarëve e kësaj të diele,  22 tetor. Analisti politik Reshat Sahitaj konsideron se qytetarët janë  mjaftueshëm të vetëdijesuar për dështimet e Shpend Ahmetit dhe të VV-së, sepse për katër vjet ishin të ndëshkuar nga keqqeverisja e tij, dhe tani këtë keqqeverisje duhet ta ndëshkojnë meritueshëm me votë. “Qytetarët tanë e kanë kuptuar tani se Shpendi për më tepër i takon rrymës më ekstremiste politike, të cilën e kanë të instaluar, me polici politike, sekrete dhe në formim të një ushtrie jo për interesa kombëtare, por për interesa personale,  që ta nënshtrojnë  popullsinë tonë, të cilët kanë përpara ëndrrën për fuqizimin e shoqërisë demokratike, por me këtë mentalitet të qeverisjes rrezikohen nga mënyra e instalimit dhe zhvillimit të  një rrjeti mafioz. Ky rrjet mafioz  lidhet edhe në rrafshin ekonomik me Devollët, kurse vetë Shpendi  është pjesë e këtij rrjeti mafioz, që  rrënjët i ka në Beograd dhe shtrihen deri në Moskë e në Stamboll”, tha Sahitaj për “Kosova Sot”. Ndërsa, analisti Dardan Grapci pohon se  me qeverisjen e VV-së dhe të Shpend Ahmetit, kryeqyteti është thelluar vetëm në krim të organizuar, ka ngecur skajshmërisht në zhvillim, prandaj është koha që qytetarët ta ndëshkojnë atë. “Kuptohet që Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Liburn Aliu dhe Dardan Sejdiu, në bashkëpunim me DEVOLLËT, do të mundohen të blejnë vota nga qytetarët e Prishtinës, ku Shpendi ta fitojë edhe një mandat. Sipas disa sondazheve që janë bërë nga mediumet dhe portalet e Kosovës, po vërehet që qytetarët janë të mllefosur tej mase  me keqqeverisjen e Shpendit, për çka  pritet që këta qytetarë do ta dënojnë VV-në, duke ia dhënë votën dikujt tjetër më 22 tetor, dhe me votën e tyre t’i sjellin kryeqytetit ndryshime. Gjithashtu, mos të harrojmë që Shpendi ka bërë shumë marrëveshje kriminale me Devollët, duke iu shitur pronat që kanë qenë të qytetarëve e jo komunale”, tha Grapci për “Kosova Sot”. Këto shkelje ligjore dhe veprime korruptive, sipas Grapcit, duhet që pa vonesë të bëhen objekt hetimi nga Prokuroria e Shtetit.

Qeveria e VV-së, qeveri e kungjave

Analisti Mustafë Kadrijaj po ashtu thotë se Prishtina ka vendnumëruar  në zhvillim me Shpend Ahmetin dhe VV-në  dhe parimisht, veç disa ndryshimeve minimale, ka mbetur aty ku e ka lënë Isa Mustafa. “Kur kujtojmë premtimet e kryetarit të tanishëm zero korrupsion,  ujë 24 orë, shkolla të reja,  po ashtu çdo shkollë bibliotekë e shumë premtime,  kjo të bën që të  irritohesh edhe më shumë, sidomos për faktin që për korrupsion vetëm zhurmë ka pasur, e ku edhe vetë  qeverisja ‘Ahmeti’ u gllabërua nga grupet kriminale të natyrës ekonomike, e  ku zyrtarë të lartë komunalë,  në këtë rast edhe kryetari,  realizuar marrëveshje larg zyrave  komunale,  duke mos i rënë në sy publikut,  por që vetëm  falë teknologjisë u shkrepën fotot e kryetarit në jahtin e famshëm të Devollëve dhe u zbardh skandali”, u shpreh ai. “Edhe mbas katër vjetëve qeverisje, Prishtina po përballet me trafik të ngarkuar,  edhe mbas katër vjetëve nuk kemi parkingje të mjaftueshme për vetura,  edhe mbas katër vjetëve kryeqytetit përballet me mungesë dhe reduktime të ujit të pijshëm,  edhe mbas katër vjetëve nuk u përmirësua hapësira në shkolla, e mos të flasim për shkolla të reja e biblioteka në shkolla. Po mbas katër vjetëve trotuaret e Prishtinës janë mbushur me kungja. Pra, qeveria e Shpend Ahemtit mund të quhet edhe qeveri e kungjave. Nëse para katër vjetëve ka pasur arsye me plot të drejtë qytetari t’ia japë besimin Shpend Ahmetit,  tani ka edhe më shumë të drejtë të mendojë dhe të kërkojë  një alternativë të re dhe kryetar të ri, sepse edhe vetë kryetari aktual para katër vjetëve ka pas deklaruar që nëse nuk i përmbushi premtimet mos ma jepni votën”, tha Kadrijaj për “Kosova Sot”.

Mafo-bizneset joshën politikanët

Po aq i drejtpërdrejtë në thirrjen qytetarëve prishtinas që në ditën e votimit të mos shiten nga mashtrimet e VV-së është edhe analisti Ragip Guraziu. “I ftoj dhe i lus qytetarët e Prishtinës,  kujdes, mos luani me votën e shenjtë, se kjo do jetë fatale për ju dhe vetë Prishtinën. Do të  jetë fatale dhe  do të thellohet kryeqyteti edhe më thellë në krimin e organizuar, në rast se ju, qytetarët, ia shisni  votën VV-së, kështu që do të mundësoni që pushtetin me të dy duart ta marrin nëntoka dhe vëllezërit e inkriminuar Devollit”, u shpreh ai. “Skandali i Shpend Ahmetit, si shembull më publik, me shëtitje në jahtet e të inkriminuarve Devolli, për të gjithë juve dhe neve  është  një ilustrim tjetër i ri i  joshjes dhe i kapjes së politikës nga mafio-bizneset e inkriminuara, që e kanë futur në grusht e brenda interesit të tyre kriminal pushtetarët e pushtetit komunal  me orekse të inkriminuara në Prishtinë, dhe bashkë me të po e rrënojnë kryeqytetin dhe Republikën, po e pengojnë zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve prishtinas, duke mbushur vetëm xhepat e kontot bankare të veta, nga  zhvatja ashiqare e  aseteve e tokave publike më vitale të qytetarëve prishtinas, me qëllim edhe të varfërimit të  popullit tashmë të pashpresë se mund të ndryshojë diçka për të mirën e tyre, tani të paperspektivë, shembulli më i keq për këto vitet e fundit për të parin e Prishtinës dhe oligarkëve të tjerë si ai”, tha  Guraziu për “Kosova Sot”.  Ai mendon se për lidhjet korruptive të Shpend Ahmetit dhe vartësve të tij ka mjaft fakte për Prokurorinë dhe ajo do të duhej të vepronte kaherë, para se  të shpalleshin kandidaturat për kryetar komune.

Me bajraktarë nuk ka qeverisje të mirë

Një mesazh për ta ndëshkuar qeverisjen e inkriminuar të VV-së dhe Shpend Ahmetit, e dërgon nga diaspora, edhe analisti Reshat Badallaj. “Në qoftë se mashtrohet edhe njëherë popullata e Prishtinës dhe më gjerë që t´ia shesë votën klubit të ‘Vetëvendosjes’ dhe bajraktarit të kryeqytetit,  më besoni se kësaj radhe me dorën e tyre do ta vrasin veten dhe jo vetëm veten, por të gjithë ata që e shesin votën te këta sejmenë,  jo vetëm veten,  po do të vrasin edhe shumë të tjerë dhe do të marrin në qafë krejt  kryeqytetin, se si thuhet me një plumb vret një njeri e me votë vret një popull të tërë”, ka theksuar ai. “ Por, kësaj radhe nuk e besoj se kryeqytetasit janë të pavetëdijesuar dhe e kanë parë mjaft mirë  këtë bajraktar që nuk ka punuar asgjë  për interesat e qytetarëve dhe të  shtetit. Ky klub dhe sejmenët e tjerë, që janë aty rrotull, kanë punuar vetëm për interesa te tyre personale, që janë bërë shumë të kamur,  e që deri dje nuk kishin as bukë për të ngrënë. Populli tashmë e ka parë  se Shpendi do të mbahet mend vetëm për të keq, për dembelizëm, shëtitje natën nëpër klube të natës, dhe me fejsbukizëm. Por, majën e skandaleve, të tradhtisë karshi elektoratit dhe votuesve të tij, hajnisë marramendëse, duke shitur leje, duke dhënë tokat në zemër të Prishtinës bandës më famëkeqe serbiane që quhet Devolli”, tha Reshat Badallaj.  

Qytetarët të zemëruar

Një dritë shprese për ndëshkim të VV-së dhe adresimin e votës për ndryshime të reja në qeverisjen e kryeqytetit, për katër vjetët vijues, japin edhe  disa mendime  të qytetarëve të anketuar. Qytetari Jusuf Kushumliu thotë se pavarësisht që për katër vjet ka pasur disa tentativa të punohet diçka në kryeqytet, objektivat dhe premtimet nuk janë përmbushur, prandaj vota duhet të shkojë tani për një  subjekt tjetër politik dhe një kandidat tjetër për kryetar komune, jo për Shpend Ahemtin dhe  vartësit ë tij. “ Megjithatë, ka edhe shumë punë pa u kryer, që nuk janë kryer, e që duhet të kryhen dhe tash duhet të presim... Ka nevojë për ndryshime, sigurisht që gjithherë ka nevojë për ndryshime, madje jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komuna të tjera, edhe në qytete të tjera. Jo që gjithherë me të drejtë të njëjtët njerëz”, u shpreh Kushumliu. Votë për ndëshkim të qeverisjes së tanishme të Shpend Ahmetit,  dhe për kërkim të një figure të re përfaqësuese e politike kërkon të hidhet nesër në kutitë e votimit në kryeqytet edhe  qytetari Fehmi Musliu. “Po, sigurisht që duhet pasur ndryshime. Madje, ndryshime duhet të ketë gjithnjë dhe jo ndryshime të vogla, por ndryshime të mëdha. Nevojat janë  për ndryshime të gjithanshme, sepse në çdo fushë të jetës ka nevojë për ndryshime dhe zhvillim, sepse deri më tani kemi pasur vetëm premtime, premtime dhe premtime”, theksoi Musliu. Kështu  mendon edhe qytetari tjetër Besim Zenuni. “Sa u përket këtyre zgjedhjeve, faktikisht duhet të ketë ndryshime, duhet të gjenden e të zgjidhen ata që janë më të mirët për vendin dhe jo ata që  e kanë penguar zhvillimin e vendit, por që duan dhe munden të zhvillojnë  vendin, ata që  punojnë  për popull. Normalisht që deri tash për popull kanë punuar shumë pak, ose thënë më mirë  hiç fare”, tha Musliu. Edhe pensionisti Shaban Krasniqi nga Prishtine  thotë se ka nevojë për ndryshime rrënjësore. “Prishtina ka shumë nevojë për ndryshime, është kryeqyteti i Kosovës dhe ka shumë nevojë për ndryshime”, potencoi Krasniqi. I pakënaqur dhe në kërkim të alternativës tjetër është edhe qytetari Faik Krasniqi. “Një herë njeriu gabon, por nuk mund të na mashtrojnë më. Ishalla bëhet diçka, por derisa të shoh nuk besoj, e  me pas qejf kam qejf të ndodhin ndryshimet, por që  dhjetë, 12 vjet e më shumë vetëm premtime ka pasur”, tha Krasniqi. Një kryetar të ri e kërkon tani edhe Hasim Torra. “Bash për lagjen e ‘Vranjevcit’ nuk kanë punuar kurrgjë hiç, dhe tani  po mendoj që në daç ndërroj, në daç mos i ndërro, të gjithë janë njëjtë. Do të thotë që nuk po pritet prej tyre diçka mirë, veç për vete po mendojnë, për karrige, e nuk bën të vazhdohet ashtu, duhet të punohet e të mendohet për popull”, ka thënë Torra.

“Patjetër që duhet të ndryshohet edhe kjo qeverisja e Prishtinës, duhet të vijë diçka e re për të parë se çka këta të rinj do të punojnë”, tha  Nexhmi Rexha

 

“ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës duhet sa më shpejt t’i hapë dyert në bashkëpunim me gazetarët vendorë dhe të tregojë se a i kanë hapur zyrtarisht hetimet për "EX OFFICIO", ku janë të përfshirë për veprat korruptive Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Liburn Aliu dhe Dardan Sejdiu me korporatën ‘DEVOLLI’ dhe pionët e tyre, që i kanë bashkëpunëtorë”, tha Dardan Grapci

 

“Qytetari i Prishtinës,  para kutisë së votimit,  duhet të mendojë mirë dhe pa emocione që nuk duhet t’i japë krah një lëvizjeje, siç është ‘Vetëvendosje’,  që deri më tani në emër të patriotizmit dhe korrupsionit më së shumti po i sjell anarki, si dhe në qeverisjen në Prishtine ka pasur shumë  dyshime për afera korruptive,  siç i di edhe opinion”, tha Mustafë Kadrijaj

 

“Po më habit fakti pse  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ende nuk ka bërë publike se a ka hapur zyrtarisht "ex officio" hetimet për të zbardhur të gjitha veprimet e dyshuara kriminale e korruptive të Shpend Ahmetit dhe ekipit të tij, Dardan Sejdiut, Liburn Aliut, Dardan Molliqajt me korporatat e dyshuara të vëllezërve të dyshuar Devolli dhe mentorit e bashkë-ortakut të tyre në krim të organizuar Baton Haxhiu, dhe pse po e vonon kur fakte ka me bollëk. Kjo nuk do të duhej të ndodhtë, Prokuroria është dashur të veprojë deri tani dhe ta thotë fjalën e vet”, tha Ragip Guraziu 

 

(Kosova Sot)

 

 

 

 

 

 

10 orë e 0 minuta më parë