Skandali me pagat zemëron sindikatat, priten greva (Video) - TV - Kosova Sot
Skandali me pagat zemëron sindikatat, priten greva (Video)

Skandali me pagat zemëron sindikatat, priten greva (Video)

Analistë të ekonomisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të sindikatave të punonjësve të arsimit dhe shëndetë- sisë janë të një mendimi se vendimi i javës së kaluar i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, për dyfishimin e pagave në Qeverinë e Kosovës do të nxisë reagime të ashpra në sektorin publik. Ata kanë paralajmëruar se nuk përjashtohet mundësia që do të ketë edhe protesta nga shërbyesit civilë, por edhe mësimdhënësit dhe mantelbardhët që paguhen keq dhe krejt barra e punës së shtetit bie mbi ta. Kreu i Qeverisë e kishte arsyetuar vendimin duke thënë se me një pagë 1300 euro, një kryeministër mund të korruptohet. Por, jo vetëm kaq. "Me 1300 euro për mua, po mos t'i kisha të hyrat e tjera që i kam, ta zëmë qiranë…unë obligohna një kravatë, unë s'muj tash gjithqysh me dalë, obligohna një këmishë", ishte justifikuar Haradinaj, duke nxitur një valë reagimesh në opinionin publik e në rrjetet sociale.

Image

Qeveri e skandaleve

Analisti Lulzim Beqiri, për gazetën"Kosova Sot" tha se vendimi i kryeministrit për ngritje të pagës vetes dhe rrethit të vet është përtej skandalit. " Në Kosovë me asistencë sociale jetojnë 27 mijë familje, me 270 mijë anëtarë, ose 15.1 për qind e popullsisë janë në skemën sociale. Buxhetit të shtetit 71 zëvendësministra do t'i kushtojnë hiç më pak se 10 milionë euro në mandatin katërvjeçar (paga, telefoni, dreka, nafta, paga mbas përfundimit të mandatit 6 muaj etj.), duke mos llogaritur rritjen aktuale të pagave", u shpreh ai. "Në Slloveni paga minimale është 804 euro, ndërkaq e kryeministrit 5.300 euro, në Kosovë paga minimale është 130-170, varë- sisht prej grup-moshës, ajo e kryeministrit kosovar është 2.950 euro, ose 22 herë më e lartë sesa paga minimale sipas moshës", theksoi Beqiri. "Duhet një lëvizje urgjente e sindikatave, policisë, sektorit privat, gjyqësorit dhe të gjitha sektorët, mendoj se do të ketë protesta, dhe e udhës do ishte të bëhej një distancim total ndaj një vendimi skandaloz, një mosbindje qytetare", vijoi më tutje ai. Analisti Beqiri thotë se janë një mori vendimesh skandaloze, falja e 60 milionë eurove manipuluesve ambalazhit të ujit, rritja e pagave, emërimi i zëvendësministrave, shkarkimet në stilin e kaubojve, mbështetja e gjuajtjes me armë, mosnjohja e njerëzve që i emëron etj. "Dhe, për habi kryeministri ia dyfishon vetes dhe stafit të tij rrogën. Ai vetë është një ndër njerëzit më të pasur në Kosovë", ka vlerësuar ai.

Sindikatat zemërohen

Ndërsa, lideri i Sindikatës së Mjekësisë në QKUK, Dr. Xhemajl Selmani, për gazetën"Kosova Sot", tha se populli ynë është zhgënjyer nga udhëheqja e tij. "Sa i përket rritjes së pagave, kryeministri e ka një marrëveshje me ne FSSHK-në, ndër të tjera edhe për rritje pagash. Po e citoj:" Nuk do të ketë specialist të lëmenjve mjekësorë që do e ketë rrogën nën 1000 euro"!...Po e kujtoj kryeministrin që e ka një kërkesë për takim, e cila po fle në sirtarët e ndonjë këshilltari (se kësi soji ka emëruar me bollëk)", u shpreh ai. "Dua t'ia kujtoj kryeministrit që ne kemi një grevë të pezulluar dhe 100 ditëshi i pritur në mënyrë civilizuese nuk do të thotë që ne kemi hequr dorë nga ajo. Kërkesat e para, të cilat ka marrë obligim për t'i zgjedhur janë: Pagesa e rrezikshmërisë në punë dhe ridizajnimi i Ligjit mbi pagat, ku kërkesa dhe synimi i punonjësit shëndetësor është më së paku mesi i kësaj liste, ndërsa optimumi me benificionet që dalin nga natyra e punës ta kalojmë kryeministrin", vijoi më tej Selmani. " Kryeministër i nderuar, për kurtuazi dhe përfitim të ndonjë vote në të ardhmen, mos eja më në QKUK!... Ne jemi aty dhe përfaqësojmë interesat e punonjësve të QKUK-së, rriti pagat, përmirësoji kushtet e punës, furnizoje SHKSUK-në me barna, material harxhues, pajisje mjekësore dhe kërko punë e llogari nga ne!", potencoi ai. Ndërsa kryesindikalisti i SBASHK-ut, Rrahman Jashari për gazetën"Kosova Sot' tha se situata është acaruar dukshëm në sektorin arsimor pas vendimit të Qeverisë "Haradinaj" për ngritje të pagave 100 për qind. "Kjo nuk është në rregull, sepse edhe ashtu qeveritarët tanë kishin paga të mjaftueshme. Së këndejmi, edhe premtimi i Qeverisë për të rritur pagat tona me 4 për qind e bën edhe me qesharak dhe më ironik dhe nënç- mues një vendim të tillë. Prandaj, kemi reaguar si SBASHK, se nuk është e mirë një rritje tillë e pagave të Qeverisë. Ndaj, në kuadër të BSPK-së, ne si SBASHK do të kërkojmë që kjo çështje të ngritët në takimet edhe me sindikatat e tjera dhe së bashku do të marrim veprime dhe angazhim për hapat e mëtejmë që së bashku t'i themi jo pagave aq të larta të qeveritarëve dhe jo një ngritje të tillë aq ironike dhe nënçmuese për shërbyesit civilë, mësimdhënësit dhe mjekët", u shpreh ai.

Gaxherri kërkon shfuqizimin e vendimit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Gaxherri (LDK), anëtare në disa mandate e Komisionit për Buxhet dhe Financa, për gazetën" Kosova Sot' tha se Qeveria që i mbushi 100 ditë bëri mbi 520 emërime, duke bërë çdo ditë nga 5 emërime dhe veç saj kjo Qeveri pati rritje 100 për qind të pagave të këtyre të emëruarve, por stafi civil dhe administrata shtetërore nuk e pati këtë mundësi. "Këto janë vendimet e mëdha të kësaj Qeverie për t'i rritur pagën vetes dhe për të përfshirë 520 veta në Qeveri, përfshirë këtu ministra, zëvendësministra, këshilltarë etj. Ndaj, seriozisht këto veprime janë shumë shqetësuese dhe na bën të kuptojmë se kjo Qeveri dhe ky kryeministër merr vendime 'ad-hock' dhe pa u konsultuar fare me ligjin, ngase për këtë Qeveri po duket se nuk vlejnë as çështje juridike, për të cilën neve kemi punuar shumë vite dhe së këndejmi këto veprime janë tepër shqetësuese", u shpreh ajo, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi.

Image

 

PENSIONISTËT: KRYEMINISTËR, PSE NUK NA I DYFISHOVE PENSIONET?

Në opinionet e pensionistëve dhe qytetarëve për rritje të pagës, që e bënë pushtetarët tanë javën e kaluar, tregojnë se ata janë kundër kësaj mënyre të rritjes së pagave për veten e tyre që e bënë pushtetarë 100 për qind. Isak Berisha (77), pensionistë nga Prishtina, për "Kosova Sot" tha se rritja e pagave është skandaloze, por edhe e papranueshme. "Nuk kam fije dyshimi se ky vendim do të krijojë pakënaqësi tek qytetarët tanë, e mbase edhe protesta. Ky vendim është i turpshëm dhe skandaloz nga ana e kryeministrit. Një vendim i tillë na tregon edhe një herë se pushtetarët tanë po mendojnë vetëm për veten e tyre e jo për popullin", tha ai. Kurse pensionisti Bejtullah Tahiri (80), për "Kosova Sot" tha se kryeministri Haradinaj ka qenë dashur që pensionistëve t'ua dyfishojë pensionet e tyre, e jo së pari t'ia bëjë këtë vetes. "Këta pushtetarët tanë po mendojnë vetëm për vete e jo për popull", u shpreh ai." Nga hajnitë që janë duke i bërë që nga pas lufta pushtetarët tanë do ta hanë kokën e tyre dhe nuk do t'u mjaftojë", është shprehur i mllefosur pensionisti Bejtullah Tahiri. Derisa qytetari, Sokol Plakolli e tha me ironi se," kryeministrit do t'ia bëja rrogën 5 mijë euro me kusht që qytetarët tanë nuk do të protestojnë". Qytetari Sejdi Halimi (65), ekonomist, tha për "Kosova Sot', se rritja e pagave në këtë mënyrë që bëri Haradinaj e ngarkon buxhetin, sepse kabineti i tij përfshinë 22 ministra e 72 zëvendësministra. "Një vendim i tillë për rritje pagash për veten e tyre do të nxitë reagime dhe pakënaqësi të sektorit publik që me të drejtë do të kërkojnë rritje pagash", u shpreh ai. Ekonomisti , Ramadan Ferizi (65) për gazetën" Kosova Sot" tha se ndonëse kryeministri Haradinaj e pati pagën më të vogël në rajon dyfishimi i pagës në këto momente është i patolerueshëm, kur pagat mesatare janë aq të ulëta në sektorin publik, ka dallime të mëdha në mes rrogës së të kryeministrit dhe pagave të tyre. "Andaj, edhe pagat e shërbyesve civilë duhet të rriten të paktën për 25 për qind, se ndryshe nuk ka kuptim dhe jo të ketë një rritje vetëm prej 4 për qind", u shpreh ai. Sipas Ferizit, do të ketë pakënaqësi dhe protesta, sepse është një vendim luksi dhe jo për mbijetesë. "Paga 3 mijë euro në Kosovë është shumë e madhe. Këtu më askush nuk mendon për rastet sociale dhe të varfrit apo të pagjeturit. Mendojnë për xhepat e vet, sepse kemi ministri e zëvendësministra më shumë sesa Kina. Dhe, kjo është një barrë shumë e madhe për buxhetin e shtetit dhe qytetarët tanë", potencoi ai.

(Kosova Sot)

1 orë e 43 minuta më parë
20/06/18