ZAP-i zbardh skandale, drejtësia hesht (Video)

  • 26 May 2018 - 09:22
ZAP-i zbardh skandale, drejtësia hesht (Video)

Kelmendi: Realisht, drejtësia në Kosovë po e bën politikën dhe nuk merret me shkelësit e ligjit!

"Që nga fillimi i funksionimit të ZAPit, për auditimin e institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal, thuajse raportet e këtij institucioni asnjëherë nuk janë marrë parasysh dhe me seriozitet nga ana e organeve të drejtësisë, dhe shpeshherë ato raporte edhe janë injoruar nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori, sepse aty janë njerëzit e klaneve dhe grupeve ordinere", thotë analisti Ali Hertica për " Kosova Sot"

E dhe raportet e fundit të publikuara të ZAP-it, për të satën herë pas lufte po e vërtetojnë, se të gjitha institucionet si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror, kanë bërë shkelje të rënda ligjore dhe abuzime me buxhetin dhe ligjin. Nga njohësit e kësaj fushe, thuhet se, edhe pse çdo vit konstatohen shkelje ligjore dhe keqpërdorime të panumërta në çdo institucion, prej nivelit komunal e deri në atë qendror, Prokuroria nuk hap rast në institucionet përkatëse kundër individëve të implikuar në këto shkelje të rënda dhe të panumërta ligjore. Lidhur me çështjen që po trajtohet nga ana e gazetës, Qëndresa Mulaj,zyrtare për Informim nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, për gazetën"Kosova Sot", tha se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë e Shtetit. "Si institucione publike, ato kanë mandat dhe përgjegjësi të ndara, prandaj ne ju rekomandojmë të kontaktoni Prokurorinë lidhur me pyetjet tuaja, se sa nga rastet e paraqitura në raportet e auditimit merren parasysh dhe sa raste janë hapur bazuar në këtë", sugjeroi ajo. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të Prokurorisë së Shtetit,Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës , zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.

Shkeljet ligjore, standard shtetëror

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane Jeton Kelmendi, për gazetën" Kosova Sot", tha se në Kosovë asgjë nuk është në rregull dhe është kthyer mbrapshtë që nga politika, shkenca, kultura dhe sporti, andaj është krejt e natyrshme që të kemi probleme. "Realisht, drejtësia në Kosovë po e bën politikën dhe nuk merret me shkelësit e ligjit. Ndërkaq, janë njerëzit e politikës ata që e bëjnë një- farë të ashtuquajtur drejtësie. Dhe, e tëra kjo ka bërë që si thotë populli mos ta di qeni të zotin dhe këtu te ne bën kushdo çfarë të dojë. Prandaj, edhe këto lloj të shkeljeve janë bërë edhe nëpër tenderët milionësh dhe në Kosovë tash e dy dekada tashmë ky është një kod normativ", theksoi ai. Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, për " Kosova Sot", tha se që nga fillimi i funksionimit të ZAP-it, për auditimin e institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal, thuajse raportet e këtij institucioni asnjëherë nuk janë marrë parasysh dhe me seriozitet nga ana e organeve të drejtë- sisë, dhe shpeshherë ato raporte edhe janë injoruar nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori, sepse aty janë njerëzit e klaneve dhe grupeve ordinere. "Mbase tani e tutje nuk do të jetë kësisoj, ngase zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime konkrete duke caktuar edhe një prokuror, i cili enkas do të merret vetëm me hulumtimin dhe verifikimin e raporteve në fjalë për abuzime të institucioneve të vendit që nga niveli qendror deri tek niveli lokal", potencoi ai. "Të gjitha këto keqpërdorime janë të evidentuara nga organet ndjekëse për individët e caktuar po deri më tani asnjëherë nuk dha rezultat për t'i trajtuar të gjitha këto keqpërdorime dhe shkeljet ligjore nga ana e institucioneve dhe klaneve të tyre të implikuar në këtë drejtim", u shpreh Hertica.

Qytetarët kërkojnë zbatim të ligjit

Qytetarët e Kosovës thonë se janë shumë të pakënaqur me mospunën e Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Themelore. Ata ankohen se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm çdo vit evidenton shkelje të panumërta në institucionet publike në tender dhe në çështje të tjera, por zyrtarët mbesin të pandëshkuar. Sipas tyre, arsyeja se përse Prokuroria nuk po heton rastet e këtilla është e qëllimshme dhe e ndikuar nga politika ditore. Qytetari Ismet Potera, nga Prishtina, për gazetën " Kosova Sot", tha se secili rast në të cilin ka pasur shkelje dhe keqpërdorime të parasë publike duhet hetuar, madje nëse bëhet fjalë edhe për vetëm 1 euro, sepse është para publike dhe çdonjëri që e keqpërdor paranë publike duhetqë të japë llogari. Ndërkaq, i pyetur se perse nuk po ndodh kjo, Potera thotë se, heshtja e Prokurorisë së Shtetit në ndriçimin e këtyre rasteve ka të bëjë me lidhjet e zyrtarëve të Auditit me politikanët, qoftë ministra apo diç tjetër, përmes të cilave ata mundohen t'i mbulojnë këto raste dhe mos të dalin në opinion. "Prandaj, Prokuroria duhet që të zbardhë këto raste për të mësuar se çfarë ndodh me të gjitha ato keqpërdorime të parasë publike", theksoi ai. Ndërsa qytetari tjetër Ismajl Hamiti, nga Podujeva, për " Kosova Sot", tha se që ka keqpërdorime kjo tashmë dihet, por çështja se përse Prokuroria nuk i heton dhe zbulon këto raste mbetet mister dhe ka shumë faktorë. "Këtu kemi të bëjmë me ndikimin e madh të politikës në tërë fushat e jetës, përfshirë edhe sektorin e drejtësisë", vijoi më tej ai. Sipas tij, secili keqpërdorim i parasë publike, që është konfirmuar nga ana e ZAP-it dhe kontrolleve të tyre nëpër institucione, duhet hetuar dhe ndriçuar në tërësi nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

(Kosova Sot)