Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (3)

  • A.P /
  • 24 April 2022 - 09:52
Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (3)

Vendosa që të shkoja në pushim, por më parë kisha ndërmend t'i bllokoja të gjitha kartelat e Robertit. Kjo nuk do të paraqet ndonjë problem. vetëm do t'i ndërpres pagesat e rregullta dhe, kaq. Në këtë mënyrë do të vë në sprovë ndjenjat e tij. Kjo mund të ishte lojë me fatin, por më nuk më kishte mbetur zgjidhje tjetër. Ose do të më respektojë si grua, si bashkëshorte, ose secili do të shkojmë rrugës sonë. Mundësi tjetër nuk kishte mbetur. Ai ma kishte lehtësuar shumë vendimin. Kaloi afër meje sikur të mos ekzistoja, por kur i vyenin paratë, dinte të laritej që ç'ke me të. E, boll më. Le t'i fitojë vet paratë, pastaj do të shohim si do t'i harxhojë ato pa menduar fare. U ngrita dhe dola nga banesa. Dola për të shëtitur. Dita ishte e ftohtë, akulli sikur depërtonte deri te thelbi i qenies sime. Vjena më kishte pëlqyer gjithmonë, e konsideroja qytetin tim. Aty kisha lindur, isha rritur, në atë qytet edhe prindërit e mi ishin pasuruar. Ishin ata njerëz modestë, të vyeshëm dhe assesi nuk e kishin merituar që dikush, si Roberti, ta bënte rrush e kumbulla pasurinë të cilën ata e kishin fituar me aq mund. Më dukej sikur isha duke përjetuar periudhën më të vështirë të jetës sime. Si munda të bija kaq poshtë? Del se Robertin e kam paguar që të jetonte me mua. Nëse ia ndal paratë, cili do të jetë reagimi i tij? Ai do të më lërë. Mjaftonte vetëm të mendoja për këtë, që të më kaplonte një frikë e madhe. Ai do ta gjente ndonjë viktimë tjetër, por unë nuk e di a do ta mbijetoja këtë. Në banesë u ktheva e mërdhirë. Asgjë tjetër as që prisja.

Rrobat e tij të zhveshura ishin palosur me kujdes. Ai gjithmonë përkujdesej për rrobat e veta. Natyrisht, kur merrej parasysh se ku ishte rritur, kuptohej pse ai e vlerësonte aspektin material dhe e vendoste në rend të parë. Gjatë fëmijërisë ai ishte mësuar si të gjendej, si të përkujdesej për veten e vet dhe, kjo vinte në shprehje gjithnjë e më shumë. Ai e kishte veten në rend të parë. Dëshirat e tij ishin mbi ato të gjithë të tjerëve. Kishte lindur që t'ia bënte vetes qejfin. Ai edhe jetonte në këtë mënyrë. Çka isha unë për të? Një person i cili ia mundësonte një jetë të cilën ai gjithmonë e kishte ëndërruar. Ku e kisha vendin unë në tërë këtë mesele. Diku nën hije, e kisha ndërmend të që largohesha edhe nga aty. Filloi të më dhembte koka. Të gjithë të afërmit e mi frikësoheshin për mua. Vartësia ime nga Roberti vetëm sa vinte duke u forcuar. Ishte kjo vartësia më e keqe, aso që largohet me vështirësi. Gjysmë ore më vonë rrija e shtrirë në shtrat. Nuk mund t'i mbyllja sytë. E paramendoja Robertin në përqafim të një gruaje tjetër. Në mua sikur vlonte një vullkan i cili do të ma shpërthente mendjen dhe trupin. Dikur një femër e re me vetëbesim të lartë, tani isha shndërruar në një mjerave, që kënaqej me thërrimet që mbesnin nga të gjitha ato femra që i kishte ai. Gjatë disa ditëve në vijim bëra tërë atë që kisha planifikuar. I ndala pagesat në llogari të Robertit de prisja momentin kur ai do të mbetej pa para. Pas tri ditësh planifikoja që të udhëtoja, e Robertit nuk i thash asgjë për këtë. çdo gjë mu qartësua kur Roberti hyri në shtëpi si tajfun. - Çka u bë? - e pyeta. Nuk më kishte folur me ditë të tëra. Sillej sikur i pengoja. Isha kureshtare dhe më interesonte reagimi i tij në momentin kur do ta merrte vesh të vërtetën. - Pse më është bllokuar kartela? - më tha duke mu avitur tepër shumë. - Urdhëro!? - i thash sikur unë të isha melaqe, të mos dija asgjë. - Nuk kam para. Më duhen ca të holla - tha me zemërim. (vijon)

(Kosova Sot Online)