MË SHUMË PARA PËR OBJEKTIN E MKR-së SESA PËR QENDRËN HISTORIKE

  • 09 December 2017 - 13:15
MË SHUMË PARA PËR OBJEKTIN E MKR-së SESA PËR QENDRËN HISTORIKE

Shkruan: Avni Rudaku 

ME SHKAS PROJEKTBUXHETIN 2018 NË FUSHËN E KULTURËS

Me këtë buxhet, nuk mund të priten dinamika të reja kulturore

Në Projektbuxhetin 2018, në MKRS figurojnë se janë të angazhuar 775 punëtorë dhe për pagat e mëditjet e tyre janë planifikuar për vitin 2018 rreth 4 milionë e gjysmë euro; në mallra dhe shërbime rreth 1 milion e 300 mijë euro; shpenzimet komunale prej pak më tepër se 400 mijë eurosh; subvencione dhe transfere mbi 8 milionë euro; shpenzimet kapitale në vlerë rreth 20 milionë euro

Secili që merret më shumë me një fushë, do të duhej të interesohej të zbërthente buxhetin për atë specifikë. Po të ishte kjo kolumne për bujqësi, do të ndaleshim në Projektbuxhetin për bujqësi, por ne jemi fokusuar vetëm në fushën e kulturës dhe kemi vënë në spikamë Projektbuxhetin e vitit 2018. Duke mbajtur të shtypur "ctrl-f" në tastierë dhe duke e shënuar "kulturë, kultura, kulturës", pas leximit të mundimshëm të aq shumë shifrave e projekteve të buxhetit të tërësishëm, ndalemi vetëm në sektorin për kulturë, gjegjësisht, në buxhetin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS).

MJETET FINANCIARE TË MKRS-SË

Në Projektbuxhetin 2018, në MKRS figurojnë se janë të angazhuar 775 punë- torë dhe për pagat e mëditjet e tyre, janë planifikuar për vitin 2018, rreth 4 milionë e gjysmë euro; në mallra dhe shërbime rreth 1 milion e 300 mijë euro; shpenzimet komunale prej pak më tepër se 400 mijë euro; subvencione dhe transfere mbi 8 milionë euro; shpenzimet kapitale në vlerë rreth 20 milionë euro. Totali i buxhetit të MKRS-së ishte pak mbi shumën prej 34 milionë eurosh. Ajo që na ra në sy ishte shifra prej 400 mijë eurosh për objektin e MKRS-së në Prizren dhe premtimi i PDK-së për ta ndërruar lokacionin e MKRS-së nga Prishtina në Prizren, ishte i kushtueshëm sa për fillim, me rreth gjysmë milioni euro. Për rrethanat socioekonomike nëpër të cilat gjendet Kosova, nuk ishte i domosdoshëm ky ndryshim lokacioni! Ndoshta do të mund të shtyhej e t'i miratohej buxheti, qoftë edhe për vitin e fundit të programit të qeverisë 2017- 2021, ndonëse sikur po sillen çështjet e numrat, e sidomos edhe numrat e paarsyeshëm të 70 zëvendësministrave, nuk do të shkojnë as edhe katër vjetët e kësaj qeverie, sepse është krijuar njëfarë disponimi shumë negativ ndaj Qeverisë me fotografitë e lajmeve: Ja edhe zëvendësministri i ri, ja edhe...!

RRETH MUZEVE

Në Kosovë akoma nuk ka një Ligj për muzetë, por mund të mbështetemi edhe në Ligjin për institucionet kulturore, edhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, etj. Sipas këtij Projektbuxheti 2018, për Muzeun e Paqes, do të ketë një shumë prej 50 mijë eurosh. Ky muze mund të jetë për të ekspozuar kontributet e njerëzve për paqe. Qeveria para pak vjetësh, kishte marrë vendim për themelimin e Muzeut të Paqes "Anton Çetta". Në bazë të emrit dhe cilësorit të paqes, kuptohet se bëhet fjalë për ekspozimin apo shpalosjen e kontributeve për pajtimin e gjaqeve. Në këtë muze do të mund të hynin jo vetëm pajtimet e gjaqeve, por edhe veprimet e të gjithë atyre që kontribuan për paqe. Muzeu tjetër "Shtëpia e pavarësisë", ka kapur vlerën prej 45 mijë eurosh për vitin 2018. Ky muze do të mund të ishte gjithçka që ndërlidhet me pavarësinë e Kosovës, gjithçka mbi referendumin e fillimviteve të '90-ta të shekullit të kaluar, lëvizjen për pavarësi, pak histori për LDK-në dhe Ibrahim Rugovën; më pastaj luftën e fundit dhe UÇK-në; më pastaj fotografi e video-projektorë mbi trupat e NATO-s, dhe krejt në fund, edhe gjithçka që ndërlidhet me 17-shkurtin 2008, duke e futur në këtë muze edhe Deklaratën e Pavarësisë, nënshkrimet e deputetëve, e tjerë e tjerë. Këtu do të duhej të shfrytëzohej shumë kreativiteti bashkëkohor i muzeve, zëri, videot, e kështu me radhë, për të qenë edhe një lloj muzeu pedagogjik-historik rreth të kaluarës dhe ecjes nëpër historinë më të re të Kosovës dhe rrugëtimin gjer më 17 shkurt 2008.

MUZEU I NATYRËS

Në Projektbuxhetin 2018, një projekt shënonte: "Muzeu i natyrës / studim i fizibilitetit dhe projekti ideor", duke kapur shifrën prej 100 mijë eurosh për vitin 2018. Aq shumë ka rënë besimi në fizibilitete e projekte ideore, sakaq çdo shumë parash rreth tyre, vetëm na zemëron neve si taksapagues! Të kujtojmë projektin "Ibrahim Rugova" për operë dhe balet! Sa shumë mjete financiare derdheshin për studim fizibiliteti dhe projekte ideore, e më pastaj, diskutohej të lëvizej sërish krejt plani për vendin e realizimit të këtij projekti! Muzeu i natyrës duket se ka marrë shumë për fizibilitet dhe projekt ideor. Nuk e dimë akoma se si do të duket ky projekt ideor, por deri më tash, nuk ka ndonjë befasi aq të madhe estetike-arkitektonike, sakaq të besojmë se do të ketë diçka shumë të veçantë në planin e të bukurës, stilit dhe funksionalitetit arkitektonik dhe ia ka vlejtur ky çmim. Ndërsa ekspozita e Përhershme në Muzeun e Kosovës, do të financohet për vitin 2018, në shumën prej 175 mijë eurosh.

PROJEKTET RRETH LOKALITETEVE ARKEOLOGJIKE DHE SHTËPIVE HISTORIKE

Sipas planifikimit buxhetor 2018, për gërmimet arkeologjike me karakter shpëtimi, nga viti paraprak do të barten 80 mije euro. Po ashtu, para 4 apo 5 vjetësh, ishin bërë disa gërmime dhe rezultate të veçanta arkeologjike, duke u zbuluar një lokacion me rëndësi historike dhe mozaik magjepsës, në Dresnik të komunës së Klinës. Për vitin që po vjen, janë ndarë 70 mijë euro për këtë lokalitet arkeologjik. Ndërsa, masat preventive dhe intervenimet emergjente, parashihen të jenë në vlerë prej 130 mijë eurosh për vitin e ardhshëm. Edhe shtëpia e personalitetit të veçantë e të dijshëm, por edhe politikanit kontrovers për shkak të qëndrimeve kritike universale ndaj nazizmit gjerman, Xhafer Devës, ishte raportuar e djegur gjatë vitit 2015. Me Projektbuxhetin 2018, 37 mijë euro do të shpenzohen për konservimin dhe restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës..

QENDRA HISTORIKE MË PAK MJETE SE SA OBJEKTI I MKRS-SË

A mund ta merrni me mend se objekti i MKRS-së në Prizren do të ketë më shumë mjete financiare, se sa një kompleks shumë më i gjerë, si Qendra Historike, në të njëjtin qytet, me disa objekte e rrugë, pas vendimit për ndryshim të lokacionit të MKRS-së nga Prishtina në Prizren? Qendra Historike e Prizrenit, e cila u dogj, u bë shkas nga pakujdesia në mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore-historike edhe me një jetë të humbur të vogëlushes së varfër, do të ketë më pak mjete financiare për vitin 2018, se sa objekti i MKRS-së në Prizren. Gjersa për Qendrën Historike të Prizrenit janë ndarë vetëm 330 mijë euro, për objektin e MKRS-së janë planifikuar 400 mijë euro. Politikanët më së shumti janë lavdëruar për Qendrën Historike të Prizrenit, duke u krenuar me të, duke u paraqitur si dashamirës të trashëgimisë historike-kulturore, gjithnjë duke e lakuar edhe Qendrën Historike të Prizrenit. Mirëpo, sikur edhe shihet e dëgjohet, pak mund të gjenit ndonjë person publik, që do ta kritikonte Projektbuxhetin e vitit 2018, për këto dyja që zëmë në gojë. 
ÇARSHIA E GJAKOVËS, 8 HERË MË PAK MJETE FINANCIARE SESA OBJEKTI I MKRS-SË
Çarshia e Gjakovës për vitin 2018 nuk do të ketë më shumë se 50 mijë euro. Nëse krahasojmë me Qendrën Historike në Prizren, ka shtatë herë më pak, por nëse e krahasojmë vetëm me objektin e MKRS-së, do të ketë tetë herë më pak. Kompleksi "Rexhep Malaj" në Dardanë prej 50 mijë eurosh, ka vlerë të njëjtë financiare me Çarshinë e Gjakovës, me konservimin e skulpturave të Agim Çavdarbashës dhe me projektin e shenjëzimit të Trashëgimisë Kulturore.

KULLAT

Kulla e Shaban Polluzhës është bërë pjesë e Projektbuxhetit 2018 në shumën prej 60 mijë eurosh, duke e tejkaluar Kullën në Oroberdë të Burimit, me 10 mijë euro, ndërsa me 20 mijë euro, duke qenë përpara Kullës së Sheremetit dhe me 30 mijë euro përpara projektit të restaurimit dhe të konservimit të kullës së Fazli Boqollit në Raushiq të Pejës. Edhe nga vetë dominimi i kullave në projektbuxhetin 2018, e vërejmë mbizotërimin e këtij tipi të vendbanimit, të pranishëm më shumë në rajonin e Dukagjnit dhe në Drenicë. 

KALATË

Kalaja e Artanës do të merr 80 mijë euro, si vazhdim nga viti paraprak. Kalaja e Keqekollës do të ketë 50 mijë euro dhe Kalaja e Korishit, kanë tejkaluar financiarisht Kalanë në Marec me 10 mijë euro dhe Kalanë e Vuçakut në Drenas, në vlerë prej 20 mijë eurosh më shumë.

PROJEKTET E TJERA KULTURORE

Në projekt-buxhetin e vitit 2018 janë projektuar shumat financiare edhe për Katedralen në Prizren, me 70 mijë euro me vazhdim nga viti 2017; përfundimi i punimeve në kishat ortodokse me 200 mijë euro; konservimi dhe restaurimi i Shtëpisë së Shaban Agës në Vushtrri, me 40 mijë euro; kompleksi Etnologjik "Emin Gjiku", Shtëpia e familjes Koruglu në Mitrovicë; laboratori për konservim, restaurim, prej 50 mijë eurosh; mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i Trashëgimisë Shpirtërore prej 100 mijë eurosh; ekspozita e përhershme e Muzeut të Kosovës, do të ketë vlerë financiare për vitin 2018, 175 mijë euro, etj.

FUND

Ka disa anomali në Projektbuxhetin 2018 nëse krahasojmë se kujt i është dhënë më shumë prioritet dhe mjete financiare. Një gjë tjetër me rëndësi mbetet se me çfarë kriteresh ndahen shifrat përafërsisht të njëjta rreth 50 mijë eurosh, për kalatë, kullat, çarshitë, etj., duke të krijuar përshtypjen si lexues dhe qytetar, se janë shifra paushalle, varësisht si kanë avokuar politikanët e atij apo këtij rajoni, e tjerë e tjerë. Bazuar në krejt buxhetin e MKRS-së, duke e ditur se është për tre sektorë, vazhdon si ministri të jetë me një buxhet shumë i varfër për kulturë. Me këtë buxhet, nuk mund të priten dinamika të reja kulturore. Po ashtu, nuk ishte e qartë në Projektbuxhetin 2018, se si ishin paraparë pagat e aktorëve rezidentë të TKK-së dhe zotimeve se do të ndihmoheshin edhe teatrot e qyteteve, për të mos zënë fare në gojë, edhe rritjen e pagave të punonjësve të rregullt të institucioneve vartëse të MKRS-së, sikur janë Filarmonia e Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "SHOTA", Baleti i Kosovës, etj. Edhe buxheti i vitit 2018, do të jetë buxhet i pagave dhe mëditjeve të punonjësve, për mallra dhe shërbime, duke ikur mjetet financiare më së shumti në rrugë. Zhvillimi ekonomik dhe kultura presin dekada për qenë top-prioritete! Gjer atëherë, të vajtojmë aty-këtu ndonjë shifër të vogël projekti e të krahasojmë, sikur ishin 400 mijë euro për objektin e MKRSsë në Prizren, ndërsa 330 mijë euro për Qendrën Historike në Prizren e 50 mijë euro për Çarshinë e Gjakovës! Ndoshta e vetmja shpresë e këtij buxheti është se të paktën mbi gjysma e buxhetit të MKRS-së do të drejtohet bile për shpenzimet kapitale! 

(Kosova Sot)