Nostalgjia dhe reminishenca për vendlindjen në pikturën e Gjelosh Gjokajt - Kulturë - Kosova Sot
Nostalgjia dhe reminishenca për vendlindjen në pikturën e Gjelosh Gjokajt

Nostalgjia dhe reminishenca për vendlindjen në pikturën e Gjelosh Gjokajt

AMBASADOR I KULTURËS SHQIPTARE

Krijues kulminant, me shprehje të lartë pikturore dhe tejet ndjesore

SHKRUAN: MR. BISLIM ALIU

Pa dyshim, krijimtaria artistike e çdo krijuesi çmohet në bazë të angazhimit dhe përkushtimit, që e bënë në vijimësi krijuesi, në shpërfaqjen e idealizmit kreativ, që e realizon gjatë krijimtarisë artistike. Ky përkushtim dhe kjo shpërfaqje e krijuesit përherë tregon ndjeshmërinë, por edhe idejshmërinë e kreatvitetit ideoartistik dhe estetik. Gjithsesi, në këtë kreativitet artistik koha e fëmijërisë lë gjurmë të pashlyer dhe asnjëherë nuk harrohet. Zaten, ajo do të kujtohet gjithnjë, gjatë gjithë jetës. Andaj, këto kujtime nga fëmijëria do të ruhen gjithnjë, si një bazament i fortë për krijimtari. Piktori i madh dhe tejet cilësor, Gjelosh Gjokaj bën pjesë në grupin e piktorëve të vjetër, që me përkushtimin më të lartë e avancuan artin pamor jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare. Piktura e tij madhore, përherë shpërfaqi idealizmin më të lartë sensitiv dhe gjithherë shpërfaqi kreativitetin e lartë përmbajtësor. Piktori Gjokaj, me veçantinë e tij, gjithmonë ishte i guximshëm në paraqitjen e portretit dhe figurës, që ishte i gatshëm të ballafaqohet me jetën dhe me katrahurat e saj. Andaj, mu për këtë, duke i shikuar pikturat e Gjokajt, të rrokë mallëngjimi në njërën anë dhe, në anën tjetër, të rrokë drithërima prekëse e imazheve si porosi, për problematikën tonë në përgjithësi. Ai dhe vetëm ai, si një ambasador i kulturës shqiptare, i përcolli në pikturë mesazhet më të larta të popullit shqiptar, në mënyrën më të denjë. Ai dhe fuqia e tij kreative, të një piktori madhështor, përherë i tregoi botës mbarë ngjyrat e Kosovës legjendare. I tregoi gjithherë imazhet e tij si porosi. Ato e shëtitën në fëmijërinë e brengosur dhe të humbur. Ato e shëtitën nëpër Romë e Augsburg dhe sërish e kthyen në Kosovë. Ngjyrat e Kosovës i gjen aty. Andaj, piktura e Gjelosh Gjokajt rezonon dhe rrezaton gjithnjë, me poetikën e lartë të vendlindjes, të cilën e shpërfaqi me shpirtëroren më të lartë ndjesore.

INDIVIDUALITET NË PËRDORIMIN E NGJYRËS

Gjithsesi piktori Gjokaj ishte një fenomen, që diti aq bukur dhe aq ndjeshëm ta përdori ngjyrën. Ai ngjyrën e ndjeu shpirtërisht dhe e realizoi me ndjesimin më të lartë të kreativitetit sensitive. Dhe, në pikturën e tij, qartas venerohet mjeshtëria e pikturimit, qasja tekniko-teknologjike, krejtësisht vetjake, me një imazh subtil dhe me qasje bravuroze të rrëfimit piedestal. "Këtë piktor e shquan ndjeshmëria për harmonizimin magjik të ngjyrave, strukturimin e nuancave të toneve në pikturë me një faturë origjinale, duke ruajtur ritmin e trajtave, për unifikimin e formës dhe të hapësirës", thotë kritiku i artit N. Muriqi. Për nga motivet e shtjelluara dhe mënyrës se si u qaset atyre, ai ishte një individualitet, që lirisht mund ta krahasojmë me fenomen. Dhe, sigurisht, këtë fenomenologji të ravijëzuar gjithnjë e tregoi bukur, në lidhjet nostalgjike, që pati vazhdimisht piktori me vendlindjen. Ai jetësisht ishte i lidhur me vendlindjen, saqë gjithmonë e pati në memorien e vet këtë reminishencë kujtesore. Interesimet e para të piktorit Gjokaj mund t'i quajmë shpërfaqje sureale (1960-1970), ku e shohim një angazhim tejet të lartë, për një art të "angazhuar", kuptohet me ide dhe porosi të caktuara. Gjokaj, me dëshirë pikturonte, figura të robotizuara dhe të mekanizuara, ngjashëm si të piktorit De Kiriko. Megjithatë, piktori Gjokaj i ka figurat e veta dhe mënyrën tjetër të interpretimit. Pra, forma e tjera të shpërfaqjes dhe realizim krejtësisht vetjak. Këtë interesim të piktorit, qartas më ndjeshëm do ta vërejmë, më tepër në vitet '70, ku interesimet e tij do të shprehen, duke paraqitur skena dramatike; makinën, pjesët e makinës…

SHPËRFAQJE NDJESORE E NOSTALGJISË PËR VENDLINDJEN

Pa mëdyshje, nostalgjia dhe reminishenca për vendlindjen, në kreativitetin artistik të krijuesit, gjithsesi luajti rol të madh. Ndaj shumë krijues, mu për këtë kreativitet kujtesor mbetën gjithnjë figura madhore në krijimtari. Kjo reminishencë e kreativitetit ndjesor ka luajtur rol parë- sor te shumë krijues botërorë, por njëkohësisht edhe te disa krijues tanë artistikë, e sidomos te krijuesi madhor Gjelosh Gjokaj. Pra, reminishenca në krijimtari mbeti përherë një shpërfaqje e lartë kreative, ndjesore, sensitive e përmbajtësore. Piktori Gjokaj me angazhimet e tij gjithnjë kërkonte qasje të reja të realizimit. Dhe, këto qasje disi i dëshironte më konkrete, për një shpërfaqje të surealizmit poetik (1970-1990). Në këtë shpërfaqje të interesimit, piktori angazhohet, në paraqitjen e njeriut, të vendlindjes, kokës, fyellit, bariut, delet… Dhe në këtë vazhdë të interesimeve, lindin edhe veprat të realizuara me shpirtëroren më të lartë të ndiesimit, si: "Portret", "Portret fëmije", "Bariu", "Bariu dhe fyelli", "Peizazh" I,II, III, e ndonjë tjetër. Piktori Gjokaj, sikur i kthehet vendlindjes dhe njerëzve të tij. Sikur nostalgjia për vendlindjen e detyron që të rrëfehet në këtë mënyrë. Kjo nostalgji e lartë shpirtërore është e tij dhe gjithmonë do të mbetet vetëm e tij. Nga kjo nostalgji, piktori Gjokaj asnjëherë nuk është larguar. Këtë nostalgji të përhershme, piktori me dinjitet të lartë e tregoi në shumë vepra, që me kreativitetin e vet e tregoi poetikën më të lartë të rrëfimit përmbajtësor. Ai, zatën shëtiti dhe ekspozoi, nëpër shumë galeri e qendra botërore, e tevona sërish i kthehet kësaj nostalgjie jetësore e shpirtërore në Kosovë. Dhe, mu këtu, qëndron e gjithë ajo madhështi e lartë e piktorit Gjokaj. Këtë madhështi, piktori e tregoi, në ekspozitat cilësore, të organizuara në Kosovë, në vitet; 1967, 1977, 1987, 2000, 2004. Ato ekspozita, treguan nivelin më të lartë të kreativitetit shpirtëror e ndjesor të piktorit Gjelosh Gjokaj.

ARRITJE KULMORE NË ABSTRAKSIONIN SIMBOLIK

Angazhimi dhe kreativiteti i përhershëm dhe konstant, i piktorit Gjokaj, asnjëherë nuk është ndalur. Ai me këtë angazhim dhe kreativitet tejet sensitive, u bë një piktor i madh dhe një ambasador i përhershëm, i cili rrëfeu vijimisht dhembjen shpirtërore të vendlindjes dhe të Kosovës. Kjo dhembshuri është e tij dhe asnjëherë nuk u ndal nga kjo nostalgji dhembshurore . Ky kreativitet e shpie gjer te një fazë, që lirisht mund ta quajmë shprehje fenomenale. Tani Gjokaj, krejtësisht i shmanget qasjes reale të "pikturuarit" dhe të porosive që i kishte qenë besnik më se 30 vjet. Ai tani, kalon në një fazë të kreativitetit, abstraksioni simbolik (1990-2010). Në këtë fazë dominon ngjyra. Pra, harmonia magjike e ngjyrave. Aq bukur dhe aq ndjeshëm i shpërfaqi ngjyrat piktori, saqë mund ta quajmë; shpërfaqje mjeshtërore e piktorit. Format dhe ngjyrat qëndrojnë në një tërësi fare logjike të rrëfimit. Zaten, kjo baraspeshë figurative ngërthen në vete atë bërthamën e vet dhe dimensionin filozofik të artit modern më bashkëkohor. Gjelosh Gjokaj, krijuesi kulminant, me shprehje të lartë pikturore dhe tejet ndjesore, sakrifikoi çdo gjë, duke arritur majën më të lartë të Olimpit, duke paraqitur gjithmonë mallëngjimin e vendlindjes dhe krenarinë tonë, është një porosi për të tjerët, se për t'u bërë piktor i madh, duhet punë dhe sakrificë e madhe. Këtë rrezatim shpërfaqje dhe këtë sensualitet piedestal, piktori Gjelosh Gjokaj , e tregoi vazhdimisht nëpër Evropë e botë, duke treguar gjithmonë shpërfaqjen piedestale dhe nostalgjinë shpirtërore për vendlindjen dhe për Kosovën. Nga gjithë ai opus i kreativitetit tejet të lartë e shumë domethënës, do t'i veçonim veprat; " Vija e kuqe", "Forma", "Forma blue", "Akril" I,II, "Portret" I,II , e ndonjë tjetër. Këto vepra dhe shumë të tjera, tregojnë dendur kreativitetin më të lartë të shpërfaqjes, sensitive, ndjesore dhe fare përmbajtësore.

(Kosova Sot)

8 orë e 1 minuta më parë
17/12/18