Aventuara e qenit të vogël për t'u kthyer te pronari

  • 20 January 2019 - 16:14
Aventuara e qenit të vogël për t'u kthyer te pronari

Të gjithë atyre që do të shikojnë sytë e qenit do t'u zbutet zemra 

Sikur që Mitch Albom e ka kufizuar krijimtarinë e tij në 'parajsë', po ashtu shkrimtari tjetër, W. Bruce Cameron, e ka ndarë territorin e tij me disa rrëfime ekzaltuese rreth qenve. "A Dog's Way Home", përpjekja e fundit e bazuar në njërin prej librave të tij, nuk e ka atë thellësinë tematike të paraardhësit të tij, "A Dog's Purpose" dhe është më shumë i dedikuar për fëmijë. Por, adhuruesit e qenve të të gjitha moshave do të kënaqen me këtë rrëfim aventurier rreth një qeni të vogël, që niset në një udhëtim të gjatë, që të kthehet në shtëpi, te pronari i tij i dashur. Marrë në përgjithësi, ky film sikur përfshin çdo klishe rreth qenve, por të gjithë ata që do të shikojnë sytë e qenit, do t'ju zbutet zemra edhe po ta kenë atë të fortë si gur.

Bella dërgohet përkohësisht te një familje tjetër 

Dhe, nuk ka dyshim se Shelby, qeni i shpëtimit i cili këtu ka rastin që të bëhet yll, është personazhi i padyshimtë kryesor në këtë dramë familjare që na i rikujton disa filma të tjerë, po aq të preferuar, si atë të vitit 1963 me titull "The Incredible Journey", si dhe rimejkun e vitit 1993, "Homeward Bound". Shelby luan rolin kryesor të Bella-s, nëna pit bull e të cilit merret nga një rrëmbyes qensh, ku një ndërtimtar i pashpirt ka për qëllim që të rrënojë ca shtëpi të vjetra, pa marrë parasysh se aty jetojnë shumë qen dhe mace të rrugës. Njëri ndër ta është edhe Bella, e cila gjen një familje të re, të dashur te punëtori i spitalit Lucas (Jonah Hauer-King) dhe nëna e tij, veterane e luftës, Terri (Ashley Judd), të cilës i largohet depresioni sapo arrin këlyshi. Në këtë idil merr pjesë edhe Olivia (Alexandra Shipp), kolege e Lucas-it dhe interes i saj në dashuri. Prejardhja prej pit bulli e Bella's vazhdon që ta ndjekë atë edhe përkundër faktit se asaj nuk i pëlqen aspak kjo racë. Del se Denveri, qyteti ku zhvillohet ngjarja e këtij filmi, ka një ligj për kapjen e qenve pit bull nëse gjenden jashtë. "Ky është racizëm për qentë", thotë me një zë protestues Olivia. Pasi që mbyllet përkohësisht në një qendër qensh, Bella dërgohet përkohësisht te një familje tjetër, me qindra kilometra larg, derisa të përfundojnë procedurat ligjore. Por, duke mos e kuptuar situatën dhe e etur që ta luante lojën familjare "Go Home", që të bashkohet me "të dashurin" e saj Lucas, Bella arratiset dhe niset në një udhëtim të rrezikshëm. Ne i kuptojmë motivacionet e saj meqë filmi sjell një narracion vrapues të personazhit qen, me zë të këndshëm të Bryce Dallas Howard.

Bella futet në një dyqan për ta vjedhur një pulë

Përgjatë rrugës, Bella takon shumë personazhe të llojllojshme, si kafshë, po ashtu edhe njerëz, duke përfshirë edhe një këlysh të vetmuar luani të bjeshkëve, takon një çift homoseksual i cili shkurtimisht e adopton atë pasi që ajo ndihmon në shpëtimin e një viktime nga orteku i borës. Takon edhe një veteran të pastrehë, rol që luhet nga Edward James Olmos. Edhe pse me shumë të meta, filmi "A Dog's Way Home" sjell disa skena intensive të cilat mund t'i shqetësojnë shikuesit më të vegjël, sikur që është p.sh. takimi me një tufë ujqish; apo skena kur Bella për pak vdes urie, pasi që mbetet e lidhur afër autostradës. Regjisori Charles Martin Smith, i cili ka një histori të pasur të filmave me kafshë, falë rolit të tij kryesor në filmin "Never Cry Wolfand", udhëheqja e filmit "A Dolphin's Tale" dhe vazhdimit të tij, kurrë nuk lë t'i ikë rasti për ndonjë klishe vizuale, sikur që është skena kur Bella futet në një dyqan për ta vjedhur një pulë. Por, të gjitha situatat janë disi të parrezikshme dhe, të gjithë ata që duan qentë, do të kënaqet duke e shijuar dhe shikuar këtë film. Aktorët njerëzorë, të zottë, sikur që është edhe Wes Studi si kapiten policie, janë thjesht, një bonus. 

(Kosova Sot)