A ka vdekur epoka e CD-ve?

  • 21 January 2019 - 16:14
A ka vdekur epoka e CD-ve?

EPOKA E CD-VE, NË GRAHMAT E FUNDIT

Teknologjia ka shkuar aq përpara sa CD-të kanë mbetur nostalgji

Sot është YouTube, ajo që po mbretëron tregun e muzikës dhe janë klikimet ato që figurativisht i poentojnë artistët. Epokën e kasetave të famshme, me fillimin e shekullit XXI, e zëvendësuan CD-të, të cilat u përqafuan nga masa në përqindje të lartë

Si në çdo vend demokratik të botës, edhe tek populli shqiptar, konkretisht këngëtarët, forcat e tyre i matnin me shitjen e CD-ve, se cili arrinte të shiste më shumë kopje. Megjithatë, tanimë kohët kanë ndryshuar dhe teknologjia i ka përmbytur sistemet analoge. Sot është YouTube, ajo që po mbretëron tregun e muzikës dhe janë klikimet ato që figurativisht i poentojnë artistët. Edhe pse tek ne ka pasur shumë polemika për blerje klikimesh, aq sa brenda natës arrihen shifra rekorde për një këngë të caktuar. Për arsye të mosfunksionimit të ligjeve, kjo çështje vazhdon edhe më tutje të mbetet vetëm në sirtarë.

Mehmedi: Sa u përket CD- ve, koha e tyre ka vdekur

Në një prononcim për "Kosova Sot", profesoresha dhe këngëtarja Besiana Mehmedi, është shprehur se dikur suksesi i këngëtarëve matej me numër CD-sh, gjersa sot matet me numrin e klikimeve të fryra. "Sa u përket CD- ve, koha e tyre ka vdekur. Teknologjia ka shkuar aq përpara sa CD-të kanë mbetur nostalgji. Dikur suksesi i këngëtarëve matej me numër CD-sh, kurse sot matet me numrin e klikimeve "të fryra". Fatkeqësisht, këta "mostrat" e klikimeve dhe të lakuriqësisë i shohim të prezantuar çdo ditë, kudo në medie e festivale si " vlera". Mendoj se jetojmë në kohën e përmbysjes së kritereve dhe vlerave dhe nuk është as e lehtë, por as e shpejt ajo ditë kur do këndellemi në fushën muzikore", është shprehur Mehmedi.

Emra: CD-të kanë humbur rëndësinë në Kosovë

Lidhur me temën, edhe këngëtari Neki Emra për "Kosova Sot" ka shprehur opinionin e tij. Ai ka thënë se shpreson që në Kosovë të implementohet ligji, i cili do të ndikojë pozitivisht që t'i rikthehet rëndësia CD-ve. "Sa u përket CD-ve, mendoj që kanë ndikuar shumë faktorë, që CD-të, kanë humbur shumë rëndësi në Kosovë. Por, me implementim të ligjit do t'i rikthehet rëndësia, besoj. Sinjalet janë të mira, vitet e fundit dhe i falënderoj të gjitha palët për angazhimet, por pres që këto dy vjet t'i përmbyllim me sukses të gjitha mangësitë. Unë e dua shtetin tim, dhe kam besim të plotë që do t'ia dalim me shumë sukses", thekson Emra.

Hashani: CD ka, por nuk i blen kush

Pyetjes se a ka vdekur epoka e CDve, për gazetën numër një në Republikën e Kosovës, "Kosova Sot", i janë përgjigjur edhe dy këngëtaret e famshme, Mihrije Braha dhe Miranda Hashani. Derisa për Mihrinë epoka e CD-ve ende është në grahmat e fundit, për Mirandën, CD-të ekzistojnë, por shumë rrallë i blen kush. "Akoma jo, por sigurisht që është në grahmat e fundit, por janë format e tjera të mundësive për të dëgjuar dhe shijuar muzikën", është shprehur Braha. "Për momentin, CD ka, por nuk i blen kush, ose rrallë, tani këtë e ka zëvendësuar YouTube, dhe mjetet e tjera teknologjike", ka potencuar shkurtimisht Hashani. Ndërsa, Emrush Thaqi është shprehur se koha e internetit e ka bërë të vetën. "Epoka e CD-ve, mendoj që ka vdekur, shkaku kryesor ka qenë pirateria, dhe arsyeja e dytë, koha e internetit e ka bërë të vetën", është shprehur në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", producenti i "Emra Com", Emrush Thaqi.

Armend Preteni

(Kosova Sot)