U hap ekspozita e Rifat Kasapollit

  • 22 January 2019 - 14:31
U hap ekspozita e Rifat Kasapollit

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës "Pjetër Bogdani", të hënën u hap ekspozita personale e artistit Rifat Kasapolli. Kurator i saj ishte kritiku dhe profesori Ilir Muharremi. Para një numri të konsiderueshëm të të pranishmëve ekspozitën e hapi kuratori Muharremi, i cili theksoi se:"Është diçka për herë të parë që po ndodh dhe një ekspozitë shumë e veçantë, si në aspektin artistik po ashtu edhe atë kuratorial". "Lecka, me materiale prej kadifes që japin forma abstrakte, por edhe reale, e veçonin ekspozitën". Sipas tij, ky ishte vetëm një cikël pa titull, me qëllim që vizitori t'i vendosë vetë titull punimeve, të jenë sa më shumë subjektive kur ballafaqohen me to."Ka edhe elemente erotike, brenda formave abstrakte, vetëm se vizitori duhet të koncentrohet më shumë dhe punimet përveçqë janë dydimensionale ato janë edhe tridemensionale, instalacion në pikturë. Vizitori mund edhe të luajë, t'i prekë t'ua ndërrojë format, të jenë sa më afër tyre", thotë kuratori. Ndërsa, artisti Kasapolli tregon për punën e tij 40-vjeçare me tekstil që merret."Unë këtë zanat e kamë mësuar nga gjyshi, zanatin e rrobaqepësisë, kam përfunduar Akademinë e Arteve dhe merrem shumë vite edhe me art". Sipas tij, zanati dhe arti kur bëhen bashkë krijojnë një fuqi artistike. "Jo veç në këtë epokë, por edhe në epokat e më hershme, zanati ka bashkëpunuar me artin, të dyja këto shkojnë bashkë", tha ai.

(Kosova Sot)