Ndërmjet zanatit dhe artit konceptual

  • 26 January 2019 - 17:18
Ndërmjet zanatit dhe artit konceptual

Xhinsi është një material që sa më shumë kalojnë vitet aq më i domosdoshëm bëhet 

Zanatin dhe artin e shoh si trupin me shpirtin, shpirti është arti e trupi zanati, arti bëhet i vlefshëm kur ka zanatin, po ashtu edhe shpirti jeton bashkë me trupin 

Xhinse të hedhura, ca lecka, rroba , të gjitha kryesisht me ngjyrat bardh, zi, kuq dhe disa hije si plotësim apo reflektim dominojnë në kompozicionet e artistit Rifat Kasapolli. Ai hapi ekspozitën personale të hënën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare "Pjetër Bogdani", në Prishtinë. Ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ka punuar si disenjator në Zagreb. Në ekspozitë paraqiti materiale të xhinsave dhe kryesisht dominojnë në të gjitha kompozicionet. Xhinsi është një material që sa më shumë kalojnë vitet aq më i domosdoshëm bëhet. Të gjithë e dimë historinë e xhinsit, filloi me minatorët, vazhdoi me punëtorët dhe po zhvillohet sot në pasarelat më të njohura, duke u bërë veshja më e përhapur për të gjithë. Te Kasapolli kemi xhinse të vjetra, të dala mode, të prera në forma të ndryshme, abstrakte dhe qëndrojnë në mes të kompozicionit, bëhen tredimensionale, sipër kanë disa hije të cilat janë arritur përmes një zbardhuesi i cili është i spërkatur në krejt punimin. Pastaj, janë ta grisura, të copëzuara, në lëvizje, prishin atë simetrinë dhe krijojnë një univers të veçantë imagjinativ.

Dikund ca copëza duken si gjethe vjeshte, ashtu të thara të vjetruara dhe nga krejt kjo spërkaten nga teknika që krijon hijet dhe duken si shkëndijëza zjarri e që nuk shuhen. Kjo shkëndijë është e jetës së tij, jetë të cilën e kaloj me rrobaqepësi dhe e vazhdoi me art. Ai ndjen dashuri ndaj materialit dhe krijon relieve të shpirtit që shkretohen, pushtohen nga e zeza, pa ngjyra, dhe krejt kjo ndjeshmëri vjen disi e natyrshme nuk ka ndonjë emër. E unë si kurator i ekspozitës pashë edhe veten time atje, atje thellë në perspektivë, atje te një punim në të cilin vërtiten yjet në një natë të qetë dhe në plan të parë shihet një shtrat lëkundës që ta pushton shpirtin. Dalëngadalë qielli po bëhet më i zymtë, graviteti i dhimbjes rritet, është e nevojshme të meditosh në atë shtrat, të shtrihesh shpirtërisht, dhe kokën ta mbash kah qielli. Punimi ka për mesazh qetësinë dhe meditimin. Aty nuk ka ngjyrë si akrilik ose vaj, por ngjyrë nga materiali të cilin ja ka krijuar koha ose dora e artistit. Në këtë punim përsiatja dhe meditimi kthehen në qenësi dhe të klithë në vesh ajo: "riparo atë çfarë ke hequr në jetë, mendo për të ardhmen, ndryshoje jetën."

Ca xhepa të copëtuar, të plasuar mirë

Punimet duken të vrazhda, diku me nuancime të lehta, të qepura me precizitet, të baraspeshuara, të skajshme, dhe këtu aspak artistit Kasapolli nuk i mungon t'a shfaq veten pa bojëra. Ca xhepa të copëtuar, të plasuar mirë, pastaj disa zinxhir (patent) të cilët mund t'i hapësh dhe prapë t'i tërhiqesh përpjetë, xhinse të shkurtuara që duken si "minifunda", levis 5001, krijojnë dhembshuri, kthejlltësi, mirësi, poetikë edhe filozofi. Në anën tjetër, dizajn, kreacion, mini- fabrikë të modës, instalime me nuanca shpirtërore dhe vërehet që është bërë një punë e madhe. Ky është kompozicioni më i madh ndër punimet e tjera. Prapavija është bez i zi i spërkatur me një produkt të quajtur "Pilotin" që zbardh materialin krijon hijen dhe thellësinë e punimit. Këtu kemi edhe dimensionin e tretë iluziv perspektivën. Në një punim tjetër shohë lecka të arnuara, pantallona duken si të riparuara, mirëpo janë të disejnuara dhe krejt nga kjo artisti i shpreh sendet përreth ato që i hedhim në koshëra të plehrave. Çorapet i hedhim, ato i kemi në piktura. Ai nuk është rob i ngjyrës dhe moti ka dal prej kësaj robinje. Materialin e ka si ndjenjë, qepjen zanate dhe dizajnin hobi. T'i shprehesh këto instalacione duhet të kesh mjaft guxim dhe vetëm ata që e kuptojnë artin e sotëm e duan këtë art. Çdo vepër ka një histori, është rrethi, vendi, e kaluara nëpër të cilën hoqi, epshi, pozitat epshore të femrave sidomos në ato kompozicionet me prapavijë të kuqe dhe xhinse me pozicione me këmbë të hapura (pozicion erotik.)

Punimet i ngjanë një abstraksioni asociativ dhe format janë në harmoni njëra me tjetrën, janë simbolike herë të ngjajnë sikur sa lecka të vjetra, xhinse para 25 vjetëve, e herë si aeroplan, kofshë femre, katrorë, rrathë, shkronja, alfa dhe omega, numra. Ato janë të lidhura me emocionet, zemrën, kokën dhe kohën në të cilën jetojmë. Sidomos artisti ndjehet mirë kur shprehet në kompozicione të mëdha aty vërejmë inspirim, imagjinatë, guxim, ngarkesë psikike të kohës, tronditje, lum idesh, kolazh me materiale dhe janë shumë unike. Kanë simbolikë dramatike sidomos hapësirat me ngjyrë të zezë, në anën tjetër kemi ngrohtësi shpirtërore aty ku dominon ngjyra e kuqe me portokallin veçanërisht në prapavijë. Prapavija përdoret me një ngjyrë sidomos me ato neutrale për ta veçuar figuracionin në plan të parë. Ja tek vërejë një tablo me kontura lineare, e qepur me linja të lakuara zigzage me peri të hollë portokalli i cili jep shkëlqim, dritë dhe kontrast. Janë të paraqitura me plotësi, siguri kanë elemente sociale, politike, etnike janë edhe ekspresive vetjake. Përsosmëria arrihet kur e vështrojmë në tërësi kompozicionin, ngaqë bashkërendin format njëra me tjetrën.

Shpirti artistik

Format lëvizin, ndodhen në mes një katrahure shpirtërore, por kanë plotëni, sepse shumica janë autobiografike, rrëfejnë kohërat kur kishte punuar si rrobaqepës. Por, ai i dha vetes të drejtë të hapte një rrugë të re, rrugën e misterit të artit në të cilën je gardian i sekreteve dhe qenia shkumohet, shpërndahet, lëndohet, përthyhet, edhe grimcohet, mirëpo në vepër disenjohet bëhet shpirt. Ai bredh në skutat e shpirtit dhe aty hasë në dyshime, frikëra, mistere, zgjodhi vullnetin, zërin e brendshëm dhe qëndresën. Arti i tij tejkaloj të zakonshmen dhe është e pamundur mos ta ndezë trurin. Lëvizjet që i shohë në tablo janë vallëzim instinktesh, sekrete, enigma, labirint dhe më shumë ka ide sesa dekor kur e them këtë nënkupton grishja e tyre, lundrimi i tyre në mendimin tim analitik. Aty shohë një artist jo veç modern, por postmodern ka ndjenja të mprehta , shpirt të ngopur me forma, imazhe, kontraste, hije, brengosje, dashuri në fund edhe simbole. Disi më duket që Kasapolli i thyen shabllonet, tabutë e rregullave figurative , ngjyrën, ilustrimin, vizatimin, i flaku të gjitha, solli gjuhën e konceptit, idesë, imazhit, simbolit. Ngjyrat janë aq të natyrshme sa që krijojnë vetvetiu kontraste, janë shumë të ashpra, sidomos e zeza që dominon.

Është një masë shumë e zezë, e ngjeshur mirë, afër saj kuqëlojnë njolla të verdha, shumë të vjetra, pastaj njolla të bardha, xhinse të qepura, disa edhe të varura, pak të shkëputura, mund edhe me dorë t'i lëvizësh sa jashtë e sa brenda, bëhen të dukshme, por edhe të padukshme, kuptimi dhe nënteksti. Ka silueta realitetesh me nëntekste duket si një kaos që po bredh figurativisht mbi kokën tënde, sa shikon majtas vëren rrezatime të dritave, ndërsa djathtas rrafshe, relieve, fantazi ose edhe apokalips. Nëse sytë i vendos në mes, sheh imazhe figura me nënkuptime, ose kuptimet i vendos vet, pështjellime të çojnë diku që as vet nuk e di, më bukur se në përrallë. Ja edhe një tablo ku secili mund ta gjen veten aty tek po ato forma të dyzuara, imagjinative, disejnime herë edhe alegorike dhe ka një energji, forcë, duket si magmë vullkanike që krijon jetë të re. Shoh edhe figura gjeometrike të cilat na pushtojnë, na rrethojnë dhe sipas Pol Sezanit krejt natyra ka format gjeometrike, ato na kënaqin dhe pushtojnë. Në një kompozicion tjetër vërej errësirë pak të vrazhdë, lecka, xhinse të përgjysmuara me blunë e fortë, pastaj pak e kuqe e qepur, e pastaj kur vërshon drita krijon tone dhe hije. E shoh artistin si njeriun më të vuajtur këtu arsyeja tenton të zbulon të fshehtën e unit të tij, ai loz rolin e parashikuesit e futet me sy hapur në tempullin e shenjtë të artit (shpirtit) për të zbuluar formulën magjike të sekreteve.

Zanati po zhduket, kasapolli e jetëson 

Veprat e Rifat Kasapollit vërtet janë të veçanta mahnitëse dhe unë jam tronditur nga to. Sidomos gërshetimi i zanatit me artin të cilët kur bëhen bashkë krijojnë një fuqi artistike. Kureshtja tjetër ishte të njohë ecurinë e punës, pastaj t'i prekë tablotë dhe për të kuptuar kodin sekret të shpirtit të tij për të cilin edhe pas vdekje do të kërkojë shpjegime. Zanatin dhe artin e shohë si trupin me shpirtin, shpirti është arti e trupi zanati, arti bëhet i vlefshëm kur ka zanatin, po ashtu edhe shpirti jeton bashkë me trupin. Zanati po zhduket, Kasapolli e jetëson. Andaj, veprat e tij ikin nga trajtat me bojë, tone, vija, lëndë, vrapojnë drejt të mugulltes, ndezin relieve dhe syri i njeriut bëhet i etur, i mbyllur brenda këtyre kompozicioneve, duke tentuar të gjejë kodin. Unë them janë enigmë, fuqia e artit ndodhet këtu. Nëse tenton të gjesh kuptimin ai të ikë rrëshqet nga dora luan me njollat, format, dritën të dërgojnë në një të vërtetë të panjohur deri më tani. Nëse tenton prapë t'i kthehesh kuptimit vështirësia bëhet edhe më e madhe, idetë dhe kompozicionet qëllimisht lihen si gratë egjiptiane të mbuluara, mirëpo kolazhi është i hapur dhe ti zhytu shko pas ëndrrës, dorëzoju fantazisë. Titulloje ashtu si ta ndjen zemra, ndërto kuptime nga reagimi i instiktit , krijo emrin e parë që ta thotë shpirti. Akumulohu me forma dhe lojë. Nëse kupton diçka më shumë, dorëzohu, rrëshqit, kalëro, sepse dyert janë të hapura. Zhytu, mik lundëro...

(Kosova Sot)