A mund të jetohet si shkrimtar?

  • 23 February 2019 - 08:08
A mund të jetohet si shkrimtar?

Një ditë e mora për ta lexuar librin e Avni Spahiut, me titull "Skica amerikane" (Libër esesh nga Shtetet e Bashkuara), botuar më 2015. Ndër të tjerash, më bënin përshtypje disa fragmente apo copëza tekstesh që merreshin me shitjen e librave në SHBA, entuziazmin e habitshëm amerikan për ta lexuar poezinë në një epokë ku në shumë vende ajo është në krizë të thellë, të ardhurat mujore e vjetore të shkrimtarëve të mëdhenj amerikanë dhe atyre që i quan "mesatarë" etj., si dhe koha e përvoja e tij si ishambasador i Kosovës në SHBA, mund të na shërbente pak a shumë për informacione rreth gjendjes socio-ekonomike të shkrimtarëve atje.

Në një nga esetë "E vlen të jesh shkrimtar në Amerikë", Spahiu shkruan: "Suksesi i një libri në Shtetet e Bashkuara matet shpesh nga suksesi i tij financiar. Ndonëse shumë shkrimtarë të mëdhenj të këtij vendi në të kaluarën arritën që për vete të siguronin mezi një ekzistencë normale nga shitja e librit, ku para katër dekadash një shtëpi botuese i pagoi autorit të njohur Norman Mejler një çmim prej 35 mijë dollarësh për të drejtën e ribotimit të romanit të njohur "Lakuriq dhe të vdekur", industria e librit paralajmëroi atë që do të linte në botën e librit amerikan - burim financiar. Ky rekord, nga i cili përfitoi autori Norman Mejler, i cili tash me suksese të mëdha komerciale të romaneve të tij të tjerë, pos famës arriti të akumulojë një kapital tejet të madh financiar, u thye më vonë kur shtëpia botuese "Signet" i pagoi shkrimtarit Xhejms Xhons jo më pak se njëqind mijë dollarë për të drejtën e botimit të romanit "Prej këtu deri në përjetësi"."(f. 318)

Por a jetohet si shkrimtar prej librave në SHBA? A duhet patjetër të kesh edhe një profesion shtesë jashtë të qenët shkrimtar, apo mjafton të fokusoheni në librat e juaj e të bëhen burime të mjaftueshme të ardhurash personale? Natyrisht se habiteni kur dëgjoni se e njëjta situatë me Kosovën, është edhe në SHBA, e në mos edhe kudo tjetër, për shkrimtarët që nuk janë në maje të famës. "…kjo vlen vetëm për një numër të vogël emrash në letrat amerikane, kurse për shumë shkrimtarë të tjerë, fillestarë apo shkrimtarë me një renome ca mesatare, të jetosh vetëm nga librat, është mundim i madh, kurse për disa një gjë krejt e pamundur." (po aty, f. 319).

Logjika e komercializmit

Në shumë libra që i kemi parë në librari, panaire dhe gjetiu, na "shurdhojnë" me të shënuarit në kopertinë apo mbrapa saj "Bestseller", duke i bërë lexuesit më shumë të tërhiqen nga kjo reklamë, sesa nga leximi i titullit apo emrit të autorit. Kjo logjika e "më të shiturve" e ka dominuar tregun për kohë të gjatë gjithandej, duke e marrë lexuesin në kombinime të çuditshme vlerore e dualiste: "më i shituri-më i miri". Po a është libri më i shitur edhe libri më i mirë? Pa dyshim se jo, e pa dyshim se po! Nëse një shkrimtar a shtëpi botuese, ka arritur të ketë reklamim të jashtëzakonshëm e bombardues; zhdërvjelltësi dhe lidhje miqsh në promovim, me fuqi mediatike etj., natyrisht se depërton në treg pa qenë edhe i arrirë artistikisht e përmbajtësisht.

Në anën tjetër, kur një libër pëlqehet shumë, lexuesit emocionalisht motivohen nga përvoja e tyre personale e leximit dhe përjetimit, që ta përmendin gjithandej përshtypjen e tyre, dhe rrjedhimisht, të jesh "më i shituri edhe mund të jesh më i miri"! Secilit dhe secilës prej nesh u ka ndodhur që kur e lexon një libër, na fascinon dhe na "detyron" me dashjen tonë të bëhemi sikur njëfarë "agjenti i shitjes dhe promovimit" për atë libër. Që i bie, po ashtu paragjykim, nëse shitet më së shumti, automatikisht edhe nuk është më i miri apo kulmor. Sidoqoftë, duke e parë logjikën e komercializmit, kapitalizmit, marketingut dhe mënyrën se si funksionojnë këto rrjete të shitjes, nuk ka dyshim se më shpesh ndodh që "bestsellerët" të jenë të përshtatshëm për gjuhën e masave, por jo të elektrizojnë edhe elitat, apo lexuesin model, të kultivuar. Por sidomos kur flasim për ndikimin e markës komerciale "bestseller", sidomos në SHBA, kjo është më se e stërthënë.

"Garanci e saktë e suksesit të një vepre për shtëpitë botuese në SHBA merret shpesh lista e bestsellerëve, që botohet për çdo javë në faqet e "Nju Jork Tajmsit" dhe një praktikë e tillë merret që nga dy dekadat e fundit, kur pas reklamimit të madh në gazetën e përditshme të Nju Jorkut kompania reklamuese "Simon e Shuster" pagoi katërqind mijë dollarë për të drejtën e ribotimit të librit "Ngritja dhe rënia e Rajhut të Tretë" të autorit Uilliam Shirer. Miliona dollarë ofrohen sot për ribotimin e kryeveprave në letërsinë amerikane, si për romanin "Plaku dhe deti" (i cili origjinalisht qe botuar në vazhdime për një gazetë letrare me një honorar të vogël për kushtet amerikane për autorin Ernest Heminguej), si dhe për vepra të tilla si "Getsbi i madh" i Skot Ficxheraldit dhe veprave të Stajnbekut." (po aty, f. 319).

Shitja e librave dhe filmi 

Njëfarë hipoteze doli edhe nga leximi i një pjese tjetër të këtij libri të sipërpërmendur: Ka gjasa që shitja e librit të shtohet me shitjen e filmave të bazuar në këta libra. Kjo do të thotë se aty ku ka industri të madhe të filmit, produksionit e rrjetit gjigant të kinemave, si në SHBA, ka gjasa që të ketë edhe shitje dhe rritje të popullaritetit të librave, dhe anasjelltas, fama e një libri, e bën të famshëm edhe vetë filmin, me bazë ekranizimin po nga ky libër. "Disa vepra madje "u nxorën" nga dështimi në saje të filmit. Romani "Peshkaqeni" i një autori deri atëherë plotësisht të panjohur për lexuesin, Piter Bencell, si dhe romani që portreton jetën e mafies italiane-amerikane, e që në fillim nuk u mor as për botim, si vepër e dobët letrare, me titullin "Kumbara" i autorit Mario Puco shkaktoi sensacion pas bërjes së filmit më të njëjtin emër.

"Kumbara" - libri është deri më tash romani më i shitur në historinë e Shteteve të Bashkuara…." (po aty, f. 320) Duke e parë gjendjen në Kosovë, skenarët e filmave, llojin dhe kualitetin e filmave, shkatërrimin në masë të kinemave në shumicën e qyteteve tona, s'ka se si të mos të themi se filmi dhe libri në Kosovë, jashtëzakonisht ka pak ndërvarshmëri. Kosova çalon edhe në prodhimin e filmave në numër të vogël, edhe në kualitet, edhe të dominuar nga zhanri i metrazhit të shkurtër apo si seri televizive (komedi), që nuk mund të merret fare si krahasim me SHBA-në. Madje, edhe shumë vende të tjera nuk mund të hynë në analogji me këtë superfuqi të filmave, shkencës, ekonomisë, politikës, teknologjisë dhe ushtrisë.

Në këtë kontekst, do të ishte më se e rëndësishme që të kishte një zhvillim të kinematografisë, prodhime filmash, hapje të kinemave të rregullta të qyteteve dhe pse jo edhe të shumë kinemave private se si janë hapur, por edhe bashkëpushimit ndërmjet autorëve e regjisorëve, në mënyrë që libri dhe filmi ta ndihmojnë njëri-tjetrin, pasi që kjo lidhje funksionon shumë mirë nëse krijohen disa kushte paraprake si: 1. Nëse shkrimtari ka imagjinatë e fantazi më të pasur, e të mos zhytet në disa abstraksione dhe tema të tejkaluara sikurse ndodh me shumë shkrimtarë në Kosovë. 2. Nëse shkrimtarët mbështeten në bazë të vlerave kulturore dhe artistike. 3. Nëse nuk promovohen shkrimtarët veç pse kanë medie të tyre ose lidhje me medie të caktuara. 4. Nëse krijohen edhe ura bashkëpunimi me gjithë hapësirën shqiptare, pasi duhet të zgjerohet tregu. 5. Nëse filmat artistikë bëhen të metrazhit të gjatë. 6. Nëse fillojmë të prodhojmë më shumë filma, e jo kinematë të funksionojnë thuajse krejtësisht nga filmat e huaj. Filmat e huaj gjithsesi duhet të jenë pjesë e repertorit, por të ketë edhe prodhime vendore kinematografike. 7. Të ketë punëtori me shkrimtarë dhe regjisorë, të cilët bëhen bashkë dhe diskutojnë për problemet e librit dhe të ekranit sot në vend dhe në botë…

Të ardhurat nga të shkruarit

Është stërthënë tashmë se shkrimtarët nuk mund të jetojnë dot prej veprave të tyre, por ata dhe ato duhet të kenë edhe një profesion shtesë. Në Kosovë kjo është edhe më e zakonshme. Por shpesh dëgjon se në Perëndim, si p. sh., në Amerikë, mund të bëhesh mjaft i pasur, po që se je shkrimtar. Sipas një studimi që e përmend në këtë libër, Avni Spahiu, e thotë të kundërtën e kësaj. "Autori amerikan mesatar merr brenda vitit më pak se pesë mijë dollar, do të thotë ai gjendet, pot ë jetojë vetëm nga të ardhurat e shkrimeve, nën nivelin mesatar të shtresës më të ulët shoqërore të këtij vendi.

Rezultate të këtilla nxori para do kohësh një studim i organizuar nga Qendra e Shkencave Shoqërore e Universitetit Kolumbia, rreth shkrimtarëve profesionistë amerikanë. Duke anketuar më se 2200 autorë, ky studim sjell në dritë të dhënën se me se dhjetë për qind e krijuesve amerikanë jetojnë nën nivelin e varfërisë së këtij venid dhe se vetëm pesë për qind kanë të ardhura më të mëdha vjetore se 40 mijë dollar (të ardhura mesatare). Shumica e këtyre "shkrimtarëve mesatarë" kanë të ardhura të tjera nga ato të "shitjes" së krijimtarisë së tyre letrare." (po aty, f. 320- 321) Për shkrimtarët që kanë bërë tashmë emër, jo vetëm që mund të fitojnë nga shitja e librave, marrëveshjet me shtëpitë botuese, por edhe mund të kontraktojnë gazeta, revista e portale, duke shkruar për to ese, kritika, recensione etj.

Edhe në Kosovë mjaft shkrimtarë kanë qenë o pjesë e jurive, o kanë marrë honorare për redaktime, recensime e lekturime; o kanë punuar në universitete në fakultetet përkatëse për gjuhë dhe letërsi; o kanë punuar në Këshillin e Librit në drejtori komunale për kulturë apo MKRS; o kanë shkruar kolumne për gazeta etj. Me fjalë të tjera, të jesh shkrimtar vetëm me këtë profesion, është e vështirë jeta materiale kudo në botë, por duhet të gjindesh me profesione shtesë, me punë të tjera alternative, në mënyrë që të sigurosh të mira materiale.

E sidomos në kohën kur ka shumë falas në internet dhe nuk fut askush xhepin të të blejë ty me pagesë; e sidomos në kohën kur libri nuk është fare në modë; e sidomos kur jetojmë në kohën kur sundojnë mediet sociale dhe njerëzit argëtohen duke parë ndarje të videove të shkurtëra të çasteve private e të momentit nga njerëz anonimë apo këngëtarë e futbollistë; duke u argëtuar njerëzit në "Ludo king" dhe lojëra të tjera varësisht se si bëhen virale etj. Edhe diku e lexova të ketë thënë një shkrimtar a shkrimtare se, "tashmë yje nuk janë shkrimtarët, por këngëtarët e futbollistët." Madje do të shtoja se në hije janë edhe aktorët, karshi këngëtarëve dhe futbollistëve. Shkrimtarët që i njoh në Kosovë, shumë prej tyre o punuakan mësues, o profesorë, o në gazeta, o me honorarë a pagë të rregullt prej redaktorësh, recensentësh e lektorësh; o me shtëpi botuese…  

(Kosova Sot)