E vërteta e pathënë rreth Stevie Wonderit

  • 20 March 2019 - 08:38
E vërteta e pathënë rreth Stevie Wonderit

Përgjatë karrierës së tij me dekada, Wonder bëri kryevepra

Hiti i madh i këngëtarit Stevie Wonder, "Sir Duke", fillon me fjalët "Muzika është një botë në vete / me një gjuhë të cilën e kuptojmë". Këto janë fjalë të vërteta dhe të thëna nga pakkush

Wonder, emri i vërtetë i së cilit është Stevland Morris, zotëroi pianon, harmonikën dhe baterinë në moshën 9 vjeçare. Këto aftësi, të kombinuara me zërin e tij fenomenal, i ndihmuan atij që ta nënshkruante kontratën e parë në moshën 11 vjeçe. Po ashtu edhe një tekstshkrues i zoti, Wonder vazhdoi që të bënte tekste prekëse dhe të bukura, derisa përdorte instrumentet për të shprehur emocionet të cilat me fjalë nuk mund të shprehen.

Përgjatë karrierës së tij me dekada, Wonder bëri kryevepra, duke përfshirë edhe baladat sikur "Lately" dhe këngët e bukura, si "Isn't She Lovely". Albumet më të famshme të tij, “Talking Book”, “Innervisions” dhe “Songs in the Key of Life”, kanë hyrë në legjendë të muzikës. Ai shkroi po ashtu këngë për legjendat e muzikës, si Michael Jackson, Smokey Robinson dhe Aretha Franklin. Megjithatë, Wonder nuk bëri vetëm muzikë: ai bëri edhe histori përmes aktivitetit.

Ja disa nga ndodhitë në jetën e tij, që mund të mos i keni ditur deri më tani.

Ka drejtuar avionin të paktën dy herë

Stevie Wonder humbi shikimin menjëherë pas lindjes. Përkundër të tjerëve, që e konsiderojnë humbjen e shikimit si tragjedi, Wonder kurrë nuk e kishte konsideruar verbërinë si disavantazh. Ai ishte trim dhe entuziast. Ai bënte gjëra të pabesueshme. Një herë kishte drejtuar avionin “Cesna”, duke u bazuar në instruksionet nga piloti, e herën tjetër kishte aterruar një avion me udhëtarë. E pabesueshme!

E ëma e tij ishte ballafaquar me prostitucion dhe abuzim

E ëma e Wonder-it, Lula Mae Hardaway, bashkëpunoi në shkrimin e shumë këngëve të tij, duke përfshirë edhe klasikun "Signed, Sealed, Delivered, I'm Yours", si dhe "I Was Made To Love Her".

Hardaway ishte braktisur nga nëna kur ishte bebe dhe kujdesin për të e kishin marrë të afërmit. Si adoleshente kishte ngelur me barrë. E mbetur midis të katër udhëve, ajo u martua me një njeri 30 vjet më të vjetër se vetja, i cili e rrihte dhe e detyronte të merrej me prostitucion. Ajo mendonte më pas se verbëria e Wonderit ishte ndëshkim nga Zoti për mëkatet e saj.

Konflikti ligjor me një avokat të ndjerë

Meqë në fillim e paguanin shumë pak për muzikën që bënte, në vitin 1971 Wonder angazhoi avokatin Johanan Vigoda, me të cilin bashkëpunoi për gati 40 vjet. Por, pas vdekjes së tij, në bazë të kontratës, të gjithë pasardhësit e Wonderit ishin të obliguar t’iu jepnin pasardhësve të Vigodas përqindje deri në kiamet. Wonder pushoi me pagesat pas 20 muajve nga vdekja e avokatit. E veja e avokatit e paditi duke kërkuar 8 milionë dollarë. Ata u morën vesh jashtë gjyqit.

Shkroi këngën 'Superstition' për dikë tjetër

Stevie Wonder arriti kulmin e kreativitetit në fillim të viteve 1970. Pasi që kishte marrë dritën jeshile nga “Motown” që të shkonte përpara me idetë e tij, Wonder u bë ‘shkencëtar i çmendur’ i zërit, duke eksperimentuar me instrumente dhe duke shkruar tekste provokuese. Kjo erdhi në shprehje sidomos me hitin e tij "Superstition", i cili u paraqit në albumin e tij të vitit 1972, “Talking Book”. Në këtë këngë për herë të parë ishte përdorë instrumenti “Clavinet”, i ngjashëm me pianon elektronike. Ai e kishte shkruar këtë këngë për dikë tjetër, respektivisht për shokun e tij, Jeff Beck. Wonder më pas e bëri vet atë këngë.

Ndeshja që për pak sa nuk ia mori jetën

Javët që i paraprinë 6 gushtit të vitit 1973 "ishin kohët më të mira për 23 vjeçin Stevie Wonder", shkruante “Salisbury Post”. Ai publikoi albumin e tij “Innervisions” dhe, tri javë para kësaj, lëshoi singllin "You Are the Sunshine of My Life", që zuri majat e toplistave. Por, Wonder vazhdimisht kishte një ndjenjë se do t’i ndodhte diçka e keqe. Derisa ishte në autostradë me kushëririn e vet, Wonder pësoi aksident, pasi që një kamion i ngarkuar me dru doli jashtë kontrollit dhe një dru goditi veturën e këngëtarit. Wonder me këtë rast pësoi thyerje të kafkës dhe ra në komë. Koka iu ënjt sa pesë herë madhësia normale. Por, brenda pak javësh ai e mori veten.

(Kosova Sot)