A ban me folë?”

  • 23 March 2019 - 10:27
A ban me folë?”

Shkruan: Avni Rudaku

Të shprehurit me gojë varet direkt edhe nga struktura dhe tipi i familjes

Fenomeni viral në internet “A ban me fol?”, mund të shpjegohet me disa kontekste kulturore, gjeografike, sociologjike, por sidomos edhe atë të sociolinguistikës. Djali që pyet “A ban me fol?”, më shumë përqeshet nga e folura lokale e Drenicës sesa për ndonjë gjë tjetër. E folura e tij përqeshet nga mënyra se si ka ndërhyrë, teksa dikush tjetër ka folur. A jemi shumica prej nesh që flasin teksa tjetri flet?Shumica prej nesh, në hapësira private apo publike, me miq apo të panjohur, formalisht apo jozyrtarisht, në një mënyrë apo tjetër, konstatojmë se ekziston një vështirësi e jashtëzakonshme në mesin tonë, kjo e të shprehurit me gojë.

Në praktikat me nxënësit e me studentët për disa vjet, e vërejmë se nxënësit po ashtu e konfirmojnë për të satën here vështirësinë e të shprehurit verbal (gjuhësor), një opinion, një mendim, një shpjegim, një përshkrim a një përgjigje për diçka që kërkohet. E thonë edhe vetë nxënësit, edhe vetë studentët, se sa me sfida, druajtje, tension e shqetësim, e kanë formulimin e një fjalie, mendimi apo opinioni. Shpesh na ka ndodhur të dëgjojmë se si nxënësit shprehen para mësimdhënësit/es apo studentët, se po e kanë të vështirë të japin përgjigjen, ndonëse po e dinë, por s’po kanë si ta shprehin. Pse aq shumë sfida në të shprehurit me gojë? Pse aq shumë na “nxehet koka” qoftë për t’iu përgjigjur edhe një pyetjeje krejt të përditshme dhe për objektin që e njohim aq mirë? Pse aq shumë “belbëzime”, ngathtësi e zor ndërtime fjalish e mendimesh në mesin tonë? Pse aq shumë qytetarë, e kanë të vështirë të shprehen e të ndërtojnë një opinion që veçse e kanë për diçka? Pse aq shumë shaka rrjedhën për një djalë entuziast që shprehej para kamerave teksa dikush tjetër po jepte opinionin e tij dhe u bë virale? A dimë ne të tjerët që po qeshim të flasim?

A dimë ne të tjerët me aq lehtësi të përgjigjemi para mikrofonit, qoftë edhe për tema përditshmërie që na zënë gazetarët e moderatorët e mëngjesit? Fenomeni viral në internet “A ban me fol?”, mund të shpjegohet me disa kontekste kulturore, gjeografike, sociologjike, por sidomos edhe atë të sociolinguistikës. Djali që pyet “A ban me fol?”, më shumë përqeshet nga e folura lokale e Drenicës sesa për ndonjë gjë tjetër. E folura e tij përqeshet nga mënyra se si ka ndërhyrë, teksa dikush tjetër ka folur. A jemi shumica prej nesh që flasin teksa tjetri flet? Një nga problemet kryesore që hasim në disiplinën dhe menaxhimin në klasë, është edhe kur hapet debati a diskutimi, teksa njëri merr fjalën, një tjetër ndërhyn dhe e ndërpret rrjedhën e tij të mendimit. Me fjalë të tjera, “A ban me fol?”, në një kontekst tjetër, do të quhej ndërhyrja më kulturore dhe më civilizuese e djalit të bërë tashmë të famshëm nga përdoruesit e rrjeteve sociale, ndonëse për të, në një kontekst të talljes, është me pasoja të papranueshme. “A ban me fol?” është kërkesë, lutje dhe mirësjellje, pasi që pyetësi pyet dhe kërkon lejen e tjetrit ta jep mendimin e tij.

Pse aq shumë “dridhje” të flasësh para një mikrofoni?

Në fakt, “A ban me fol?” është përqeshje e të folurës së cilësuar më “rurale” nga disa përdorues të zonave kinse “më urbane” dhe tallja merr karakter të fshehur të pabarazisë urbane-rurale, pabarazisë sociale dhe stereotipave ndërlokale dhe provinciale. Por ne nuk do të merremi aq gjatë më fenomenin, sa do të marrim këtë shkas, për të prekur një temë aq të rëndësishme mbi druajtjen e të folurit në publik nga njerëzit në Kosovë. Pse aq shumë “dridhje” të flasësh para një mikrofoni?

Pse aq shumë ngatërrime fjalish, rrethanorësh, kudrinorësh, foljesh e gjithçkaje tjetër? Pse aq shumë na “merret goja” kur duam ta shprehim një mendim para një audience të vogël apo të gjerë? Pa e stërthënë se të folurit në publik është kudo sfidues në botë, pavarësisht kulturave lokale, proces psikologjik, që haset në sfida në të gjithë përdoruesit. Masat kudo ekzaltojnë folësit, i trembin dhe i bëjnë edhe të “belbëzojnë” pa pasur belbëzim të vërtetë. “A ban me fol?” është tallje me të folurit e Drenicës, sikurse ekziston tallja edhe për të folurit e rajoneve të tjera. Bie fjala, në qytetin tonë ku jetojmë, në Gjilan, shumë shaka dëgjohen kur tregohet se si flasin shqiptarët nga fshatrat e Bujanocit, Preshevës e Medvegjës, si Zarbica. Shakaja bie në atë se, nuk e përdorin zanoren “y”, por e shndërrojnë në “i”; në vend të “sytë”, thonë “sitë”, ndonëse kur e shkruajnë, e bëjnë në mënyrë korrekte: “sytë”, me “y”.

Por shakat me gjuhën e rajoneve të ndryshme ekzistojnë kudo në botë, por në vendet e vogla si ne, janë me efekte më të mëdha psikologjike, veçanërisht për grupmoshat e reja, që i nënshtrohen një presioni aq të madh shpotitës në mediet sociale. Sidoqoftë, po e lëmë këtë fenomen anash, për t’iu kthyer shpjegimit se pse aq shumë vështirësi kemi si shoqëri, qoftë kategoria e studentëve, nxënësve, profesorëve, gazetarëve etj., kur flasin? Po i numërojmë disa prej tyre.

Mungesa e një demokratizimi total të shoqërisë, në të gjitha hallkat e saj. Nëse familja nuk demokratizohet, kot e ka vetëm shkolla, apo shteti. Nëse shteti nuk demokratizohet, kot e ka familja, pasi që shteti është përcaktues më i fuqishëm i shumë mënyrave të tjera të jetesës në çdo qark shoqëror. Kosova ka përmirësuar dukshëm mënyrën e të shprehurit të lirë, në familje, në shkollë, në shtet, por ende vërehet një demokratizim i dobët, që nuk përfshin të gjitha poret e shoqërisë në tërësi.

Mungesa e traditës së gjatë demokratike. Edhe sikur të jemi shumë demokratë, ajo përcillet brez pas brezi. Ka nevojë për më shumë traditë të zhvilluar të lirisë së të shprehurit me gojë e me shkrim. Kosova është duke e ndërtuar demokracinë, por ende është larg traditave të gjata të disa shteteve, ndonëse edhe këto të fundit, janë demokratizuar po ashtu vonë.

Mentaliteti postkolonial. Një nga shpjegimet më bindëse rreth vështirësive në të shprehurit me gojë në shoqërinë kosovare është edhe sfondi historik kolonial e shtypës. Jemi frikësuar nga shteti jugosllav e më herët, duke u shtypur me dhunë për kohë të gjatë. Kjo ka bërë që neve të na fusin frikën në palcë dhe ende nuk jemi çliruar për të shprehur atë që mendojmë, duam dhe dimë. Jemi ndëshkuar me burgim të gjatë, nëse jemi shprehur çfarë kemi besuar e menduar. Jemi rrahur nga çdokush.

Të shprehurit me gojë varet direkt edhe nga struktura dhe tipi i familjes. Familja patriarkale, ka qenë e zorshme edhe për babain, e jo vetëm për fëmijët e gratë. Bile ndonjëherë kam përshtypjen se edhe termi “patriarkal” është joadekuat, për të shpjeguar se kush e drejtonte dhe vendoste për tërë anëtarët e familjes së madhe të dikurshme kosovare. Nëse jetonin me gjyshin dhe ai kishte disa bijë e bija, ai ishte vendimmarrësi dhe nuk drejtohet familja nga një baba, por nga një babagjysh.

Ndonëse patriarkalizmi mëton të shpjegojë dhe përkufizojë sundimin nga babai a burrat, në fakt Kosova ka qenë e drejtuar nga babagjyshi, pasi që deri në një moshë thellësisht të shtyer, ka qenë përcaktuesi i gjithçkajes familjare e farefisnore. Me fjalë të tjera, edhe baballarët, pra vllezërit e martuar, kanë qenë nën diktatin e këtij tipi përtej patriarkalist, i cili e ka ngulfatur mënyrën e të shprehurit me gojë, pasi kanë hyrë edhe elementë të tjerë si: radha e lindjes në familje, se a je më i vogli apo më i madhi, e jo veç a je burrë apo grua, siç keqinterpretohet shpesh.

Teknologjia e informacionit dhe jeta virtuale. Kur kombinohet mentaliteti postkolonial, patriarkal, “gjyshëror”, me teknologjinë e përhapur masivisht në Kosovë, të shprehurit me gojë, vështirësohet edhe më tej komunikimi verbal. Imagjinoni fëmijët në moshë atë të hershme, sa shumë i bie të qëndrojnë në rrjetet sociale, në video-lojëra dhe në botën virtuale, pa folur fare me gojë, por me “emotikonsa”, me simbole komplekse të ndërtuara nga platformat e ndryshme të komunikimit digjital, e shohim që kjo vetëm e varfëron edhe më tej të shprehurit me gojë. Nëse ne aq shumë e përdorim kalkulatorin, natyrisht se gjasat janë edhe për të hasur në disa vështirësi fillestare për të mbledhur, zbritur, shumëzuar e pjesëtuar, në herën e parë, pasi që gjithçkaje ia kemi lënë mjeteve e pajisjeve teknologjike.

Njësoj po ndodh edhe me gjuhën: në botën e dominuar nga virtualiteti e digjitaliteti, aftësitë verbale janë në krizë të përgjithshme. Duke u mësuar të shkruajmë me programet e “Word”-it, ne po harrojmë të shkruajmë fizikisht me stilolap apo laps të thjeshtë. Ngjashëm po ndodh edhe me ndikimin e teknologjisë në dobësimin e shkathtësive të të shprehurit verbal. Kemi vështirësi të panumërta në të shprehurit me gojë edhe për shkak të masivitetit teknologjik të përdoruesve.

Mungesa e shprehive të leximit. S’di pse (ndonëse edhe e di?!), por konsideroj se leximi është jashtëzakonisht ndikues në mënyrën se si shprehemi, nëse nuk kemi ndonjë vështirësi neurolinguistike, logopedike e dëmtime të trurit. Nëse lexojmë, mësojmë fjalë të reja. Nëse lexojmë, marrim më shumë informacione. Nëse lexojmë, lidhim më mirë mendimet, shprehim më lehtë atë që duam ta themi. Pra, leximi është një nga faktorët më ndihmues në largimin e druajtjes për të folur.

Nëse konstatojmë se lexojmë pak si shoqëri, kemi pak shprehi për lexim, atëherë po i bie se mungesa e leximit çdo në mungesë fjalësh për të ndërtuar dhe shprehur mendimet. Shumë nxënës e studentë, janë të sinqertë dhe ta thonë troç: “Po pritojmë me lexue!”, “S’po kemi koncentrim për lexim!”, “Shumë vështirë e kam të kapi një libër e ta lexoj, se menjëherë më bën xingërr telefoni!”… Shumicën e atyre që janë lexues pasionantë, nuk e kanë fare sfidën e të shprehurit me gojë (nëse nuk fusim këtu problemet logopedike, psikologjike etj. të një kategorie shoqërore). Shumica e lexuesve kanë më shumë gjasa të gjejnë fjalë të përshtatshme, për ta shkrepur opinionin e tyre. Fondi i fjalëve vjen nga leximi sistematik.

Nëse na duhet gjuha për ta shprehur mendimin, atëherë gjuha ka shkronja, fjalë e fjali; fraza e ide, të cilat mund të qiten jashtë, pas leximit. Natyrisht se ka edhe një tip lexuesi sistematik, që ka vështirësi të të shprehurit, por ndikuar nga aspekte neurologjike, logopedike, psikologjike etj., të cilat shoqërohen si variabla në grupe. Nuk bëhet më fjalë vetëm për një faktor. Ose nuk po flasim këtu për “disleksinë”, por në tërësi, leximi është faktor i pakontestueshëm lehtësimi në komunikimin verbal.

Sundimi i imazhit. Jetojmë në një kohë kur gjithçka mund të na konkretizohet. Ne “luftojmë” në mësimdhënie, teorinë dhe mundohemi ta vizuelizojmë, duke qenë e njohur edhe metoda e demonstrimit dhe ilustrimit me foto dhe video. Sot nxënësit dhe studentët më shumë se lexim, duan shikim. Tashmë shikimi i video-dokumentarëve, fotografive etj., ka bërë që të shprehurit me gojë të jetë më pak i pranishëm dhe njerëzit të humbin edhe durimin për ta dëgjuar dikë, qoftë shumë i rrjedhshëm, e lëre më të mos dijë të ndërlidhë edhe dy fjali.

Njerëzit tashmë e humbin durimin për ta dëgjuar dikë dhe me vështirësi mbajnë koncentrimin deri në fund. Një aryse e fortë që po çalojmë si shoqëri në të shprehurit me gojë, po ashtu është edhe për faktin e sundimit të imazherisë. Gjithçka duam të duket, të shihet, të preket dhe të konkretizohet. Konkretizimi ndonëse ka të mirat e veta të lehtësimit të shpjegimit, ka edhe anën e keqe: duke mos i lënë aq vend imagjinatës. Prandaj, duke e mbytur imagjinatën, ne edhe e humbin aftësinë për të krijuar, shprehur dhe thënë atë që mendojmë.

(Kosova Sot)