Rrëfimi për njeriun e varur nga droga

  • 09 April 2019 - 08:55
Rrëfimi për njeriun e varur nga droga

Waylon vuan nga dhembja e shpinës, gjë që është pasojë e paevitueshme e punës së tij të rëndë fizike

Pasi që bie në një test droge në vendin e punës, Wayloni mendon se si ta falsifikojë testin e ardhshëm me metoda të tilla sikur që paraqet pirja e sasive të mëdha të çajit. Pasi që gruaja i thotë atij përfundimisht se dëshiron të shkurorëzohet, fillon një rënie e tij edhe më e madhe, gjë që çon deri te një zhytje e tij më e thellë në botën e drogës

Një autenticitet i veçantë e përshkruan filmin e regjisorit Josh Stewart, me një ngjarje që zhvillohet në regjionin Apalaçia. Duke u ballafaquar me problemin e vartësisë nga droga, filmi “Back Fork” tregon se si edhe personi më me përgjegjësi dhe me qëllime të mira mund të bjerë në humnerën fizike dhe emocionale. Edhe pse ky film nuk sjell ndonjë gjë të re, qoftë në aspektin e substancës, apo stilit, ai megjithatë bën një goditje të heshtur.

Pikëllimi i çiftit

Stewart, që ka bërë skenarin dhe regjinë, po ashtu luan edhe rolin kryesor në këtë film, atë të Waylonit, një punëtori fizik, i cili ende nuk e ka marrë veten nga vdekja e vajzës së vogël. Edhe martesa e tij varet në një fije kashte, me gruan e tij Nida (A.J. Cook) që mezi arrin të funksionojë dhe, rëndom, as që merr mundin të vishet. Pikëllimi i çiftit ilustrohet sidomos në njërën nga skenat më të fuqishme të filmit, kur Nida alivanoset, pasi që merr një ftesë nga shkolla, të dërguar gabimisht në emër të vajzës së ndjerë. Waylon më pas bën për pesë para administratorin përgjegjës për këtë lëshim.

Ndjenja e lehtësimit të menjëhershëm

Waylon po ashtu vuan nga dhembja e shpinës gjë që është pasojë e paevitueshme e punës së tij të rëndë fizike. Pasi që viziton prindërit e tij të moshuar, ai pranon ofertën e t’et, një pilulë qetësimi, pa e shoshitur mirë këtë punë. Ndjenja e lehtësimit të menjëhershëm që ndjen ai, ndikon që të marrë më shumë tableta. Pasi që bie në një test droge në vendin e punës, ai mendon se si ta falsifikojë testin e ardhshëm me metoda të tilla sikur që paraqet pirja e sasive të mëdha të çajit. Pasi që gruaja i thotë atij përfundimisht se dëshiron të shkurorëzohet, fillon një rënie e tij edhe më e madhe, gjë që çon deri te një zhytje e tij më e thellë në botën e drogës.

Bruckner dhe Cook janë njësoj të fuqishëm sa edhe femrat në jetën e Waylonit

Motra e tij, Rayleen (Agnes Bruckner), përpiqet t’i ndihmojë Waylonit. Por, ajo është në një gjendje edhe më të keqe sesa ai, pasi që për një kohë të gjatë kishte vuajtur nga varshmëria për një kohë të gjatë. Për të ardhur deri te droga, ajo është e detyruar që të ofrojë edhe favore seksuale ndaj ofruesit abuziv të drogës (Wade Williams).

“Back Fork” herë pas here rrëshqet në melodramë, ku nuk ndihmon as muzika bombastike në prapavijë. Filmi është më mbresëlënësi kur trajton çështjet e veta ‘eksplozive’ në një mënyrë fataliste. Performanca kryesore e regjisorit-skenaristit është fuqia më e madhe e filmit. Një aktor i fuqishëm mbështetës me dhjetëra filma prapa shpine, si dhe me role në seritë TV, si “Criminal Minds”, “The Punisher” dhe “Shooter”, Stewart sjell një portretizim të fuqishëm të një njeriu të sinqertë, që lufton me demonët e brendshëm.

Bruckner dhe Cook janë njësoj të fuqishëm sa edhe femrat në jetën e Waylonit, të cilat ia dalin pak më mirë sesa ai dhe karakteri veteran, aktori David Selby (Dark Shadows, Falcon Crest) lë një përshtypje të gjallë si i ati i Waylonit, duke u bërë një agjent i paqëllimshëm i shkatërrimit të të birit.

Filmi përfiton shumë nga lokacionet në Uest Virxhinia që ofrojnë një ndjenjë të fuqishme të vendit.

(Kosova Sot)