Garoj me njerëz që kanë albume dhe vite të tëra para meje në muzikë

  • 11 April 2019 - 09:13
Garoj me njerëz që kanë albume dhe vite të tëra para meje në muzikë

Dua Lipa, e ardhmja e muzikës pop

Kosova më ka definuar në një masë të madhe

Bashkëpunimi i saj me Calvin Harris, “One Kiss”, ishte kënga e dytë më e dëgjuar (streamed) në Britani, menjëherë pas këngës së Drake-ut, “God’s Plan”. Albumi i saj debutues bëri që të bëhet artistja “most-streamed” për vitin 2018

Revista “Elle” sjell një intervistë të gjatë me këngëtaren britanike, me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, të cilën e emërton si ardhmëri të muzikës pop.

Ja disa nga pjesët më interesante të kësaj interviste

Si për shaka, Dua Lipa thotë se tërë jeta i ka kaluar duke i korrigjuar të tjerët, që e thërrasin gabimisht.

“Kjo më duket edhe qesharake” thotë ajo. “Bile edhe miqtë e mi filluan të më thërrisnin Doola Peep”. Kjo është pak më mirë sesa Duolingo, sikur në aplikacionin e mësimit të gjuhës, të cilin e posedon ajo. Njerëzit e kanë të vështirë edhe ta marrin vesh nga vjen ajo. Ajo ishte zhvendosur, si fëmijë, nga Londra në Kosovë, e më pas përsëri në Londër.

Sido që të jetë, Dua Lipa përfundoi vitin 2018 si artistja e dytë më e ‘stream’-uar në “Spotify”, menjëherë prapa Ariana Grandes. Bashkëpunimi i saj me Calvin Harris, “One Kiss”, ishte kënga e dytë më e dëgjuar (streamed) në Britani, menjëherë pas këngës së Drake-ut, “God’s Plan”. Albumi i saj debutues bëri që të bëhen artistja “most-streamed” për vitin 2018.

ELLE: Rreth performancës me St. Vincent. A njiheshit ju më parë?

Dua Lipa: Jo. Ne pimë një pije bashkë një ditë para se të fillonim të ushtronim dhe u përshtatëm shumë mirë.

Një mik më tha se ky bashkëpunim ia rikujtonte atë të Britney Spearsit dhe Madonna’s në evenimentin “2003 MTV Video Music Awards”

Me të vërtetë? Ne nuk u puthëm. Ne qeshnim meqë performimi ishte disi narcistik. Ne dukeshim sikur binjake, sikur të këndonim vetë me vete para pasqyrës.

Më pas fituat titullin Artisti i ri më i mirë

Adrenalina më ishte ngritur tej mase. Isha ngurtësuar duke pritur se çka do të ndodhte. Kur ma thirrën emrin, sikur më ra të fikët. Isha tepër nervoze. Lady Gaga ishte në rend të parë dhe ma dërgoi një puthje me dorë. E, mua më dukej sikur nuk më funksiononte truri. Por, megjithatë ia dola të thosha diçka që për mua pati rëndësi të madhe. Më vjen mirë që i falënderova të gjitha shoqet, meqë atë gjë doja ta bëja gjithsesi.

Keni qenë tepër e zëshme në mbrojtje të femrave. A mendoni se kjo ka rëndësi që të bëheshit një yll i suksesshëm popi këto ditë?

Jemi në një kohë kur njerëzit janë duke bërë këngë ‘fuqizimi’. Por, unë dëgjoja këngëtaren Janet Jackson, e cila thuajse të gjitha këngët i fillon me tekstin “I have control over my body and my thing” (E kam trupin dhe ‘gjënë’ time nën kontroll). Ndonjëherë harron se ‘fuqizimi’ ishte gjithmonë pjesë e muzikës, sidomos për artistet (femrat).

Meqë pjesën më të madhe të kohës e kaloni në Londër, sa ndiheni e lidhur me Kosovën?

Kosova më ka definuar në një masë të madhe. Kemi një sens të çmendur të bashkësisë. Është e vërtetë se njerëzit shpesh i dinë punët tua më mirë sesa që i di ti, por ata gjithmonë kanë shprehur një dashuri të madhe ndaj meje. Dikush më tha në një rast se kam etikë pune prej imigranti. Kur vjen nga një vend si Kosova, apo Shqipëria, e ke këtë stigmë që të rrethon.

A ka dallim midis audiencës në Amerikë dhe në Evropë?

Amerikanët janë më brutalë. Çdo gjë që bën shikohet me një llupë zmadhuese. Njerëzit duan ta pengojnë rritjen tënde. Ata të kritikojnë dhe të tregojnë se si duhet të dukesh dhe si duhet t’i presh flokët. Duhet të jesh tepër e fuqishme. Ata që publikisht mbështesin feminizmin, kur flasin si anonimë online, janë sulmuesit më të mëdhenj ndaj femrave.

Ishte “Twitter” ai ku dëgjuat komentin e Wendy Williams që ju quajti “Doola Peep”

Dhe, “Twitter” ka bërë që të mos e harroj atë. Por, kjo është ‘cool’. Unë nuk e shikoj Wendy Williamsin, kështu që kjo ishte hera e parë që përjetova diçka në lidhje me emisionin e saj. E pyesja veten kush është kjo grua? Mundohem që t’i marr gjërat me gjakftohtësi, sepse përndryshe njeriu çmendet.

Si vendosni kur të përgjigjeni, e kur të injoroni?

Kur u takova me Katy Perry-n, ajo më thoshte: “Shpresoj se nuk bën kërkime në internet në lidhje me emrin tënd”. Ajo më tha se vet ajo e bënte këtë në fillim të karrierës, ku shqetësohej në lidhje me çdo shkrim të tabloideve në lidhje me të. Ajo më këshilloi që të mos lexoja ato pallavra, meqë do të më pengojnë që të bëj gjërat që i dua më së shumti. Këtë ma tha edhe Chris Martin, i cili më këshilloi që të jem vetvetja. Në fillim nuk e kuptova këshillën e tij, por duke lexuar sulmet ndaj meje, ajo mu bë më e qartë. Nuk mund të lejoj që mendimet e të tjerëve rreth meje, të përcaktojnë atë që ndjej për veten time.

Njerëzit mezi presin të dëgjojnë këngët nga albumi juaj i dytë, në të cilin jeni duke punuar. Çka mund të na thoni?

Ai album do të jetë përzierje e gjërave, nga ajo se si ndihesha duke u rritur, si vajzë, duke pasur frikë të ecja natën deri në shtëpi, deri te ajo se si ndihesh kur tërë bota të dëshpëron, por edhe si ndihesh kur fillon përsëri ta shijosh jetën. Shpresoj që këtë album ta nxjerr deri në fund të vitit, apo në fillim të vitit tjetër. Ende nuk e kam caktuar listën e këngëve, por që tëgjitha do të jenë këngë të cilat mund t’i këndoni edhe ju me mua. Fundja, njeriu bën muzikë në mënyrë që të tjerët të mund të këndojnë me të, por edhe për ta thënë një ngjarje me shpresë se edhe dikush tjetër ndihet sikurse ju.

A e keni atë frikën e albumit të dytë, se do të dështoni?

Nuk e shoh të udhës që të kem frikë. Si artiste e re, unë garoj me njerëz që kanë albume dhe vite të tëra para meje në muzikë dhe që janë shumë më të suksesshëm. Kjo është vështirë. Por, kam shumë më shumë besim që ta them atë që e mendoj. Duhet vazhdimisht të prodhosh muzikë. Disa gjëra do të kenë sukses, të tjerat jo. Do të vazhdoj të bëj muzikë me të cilën krenohem sepse më përfaqëson ashtu si jam. Dua që t’i siguroj fansat e mi se kanë mbështetur ‘kalin’ e duhur.

(Kosova Sot)