Natën e parë e vuajtëm të nesërmen e kritikuam Notre Dame-n

  • 20 April 2019 - 09:00
Natën e parë e vuajtëm të nesërmen e kritikuam Notre Dame-n

Shkruan: Ilir Muharremi

Notre Dame, si thesar i pakrahasueshëm duhet të shërbej si shembull për vetëdijen tonë të brishtë

Maja e katedrales digjej dhe sytë e tërë botës ishin drejtuar kah ajo, kjo vërtet ishte diçka e jashtëzakonshme. Dukej një flakë mbi rozetën qendrore ajo tashmë ishte ngritur ndërmjet dy kambanave, flaka bëhej edhe më e çrregullt dhe shumë e furishme. Vërehej edhe fryma, e cila shpërndante më shumë flakën dhe tymi rritej. Tashmë kjo flakë kishte marrë pothuajse gjithçka, dy ullukë ishin bërë si dy gryka, dhe nga kjo binte rrebesh shiu i zjarrtë dhe currilket tashmë ishin të argjendta dhe arrinin të jepnin shkëlqim vetëm pjesës së poshtme të fasadës. Karli i Madh, i ka pas vene gurin e pare, dhe Filip Augusti, i ka pas vene gurin e fundit.

Ditën e parë të gjithë e vuajtjet shuarjen e kambanave të Notre Dame. Disa nga ju shpërndanit fotografi të huazuara nga ‘google’ e disa prej jush çastet “selfie” pranë panoramës në të cilën dominonte fasada e skuqur nga qielli që kuqëlonte i pasdites. Shumë shpejt e vuajtët zonjën e Parisit të vërshuar nga flaka, tymi dhe errësira. Vajtuat dhe u krijua përshtypja se të gjithë e admironi dhe unë e kuptova krejt natyrshëm këtë plagë sepse ishte edhe plagë për mua. Tash të gjithëve po na mungon ai zgjimi i Esmeraldës, e cila kishte kohë që nuk flinte. Po më kujtohet në film se si një rreze e diellit e cila sapo lindi “theu dritaren” dhe preku fytyrën e Esmeraldës. Në dritare, tok me diellin u shfaq një imazh i frikshëm, konstrukti i Kazimodos. Shikimi i saj qe i ftohtë dhe i mbylli sytë.

Ajo tentonte të flinte, por më kot përbindëshi tashmë u bë faktor dhe qepallat ngjyrë vjollcë të ciganes shfaqnin fytyrën e shëmtuar me një sy dhe me dhëmbë të prishur. Koka e tij prej monstrumi dhe zëri i tij i vrazhdë tentonin të krijonin një atmosferë dashurie duke u përpjekur ta bind Esmeraldën se Kazimodo është miku i saj më i ngushtë.“Erdha të shihja nëse po flinit”, ishin fjalët e tij. Në një fare forme ai kënaqej vetëm teksa e vështronte e nëse ajo e ka bezdi mund t’i mbyllte sytë. Ai u fsheh prapa murit dhe kërkoj nga ajo t’i hapte sytë. E bukura qëndronte në atë theksimin e fjalive “Cigania e ngashëryer, hapi sytë.” Ai u fsheh pas një qoshe të murit, rrinte shumë i brengosur e unë si shikues i këtij filmi ndjeja dhimbje për të. Edhe Esmeralda ndjente të njëjtën dhimbje andaj e thirri “Ejani”. Ai kujtonte se ajo e dëboi e pranoj këtë si ofendim, ashtu duke çaluar, e mos guxuar t’ia lëshonte shikimin, i dëshpëruar u largua. Thirrjet e saj ishin të njëpasnjëshme, ai nuk kthehej, ajo vrapoj kapi krahun e tij duke tentuar ta fus në hapësirën e saj, por ai nuk hyri, qëndroi vetëm deri te pragu.

Ai shumë e vlerësonte atë sa që kishte frikë ta shikonte drejt në sy. Shikoheshin, heshtja i pushtonte, ajo analizonte çdo detaj të shëmtuar të tij, fillonte nga këmbët e shtrembëta, gunga në shpin deri te syri. Disi mendonte në vete se kjo është krijesa më e shëmtuar në botë. Në njërën anë ajo kishte mëshirë, butësi sa që mëshirohej me të. Buzëqeshja e tij ishte e pakontrolluar kaloi edhe në hidhërim.

 Muze kryeveprash botërore

Ishte i shkretë dhe vetë vajza e trajtonte si të shkretë e kjo kthehej nga ai në hidhërim. Ajo ishte shumë e bukur e ai shumë i shëmtuar. Ajo vërente brengën e thellë të tij dhe vështirë i artikulonte fjalitë, por ai asgjë nuk dëgjonte. Ai tha: “Kurrë s’e kisha ndjerë shëmtimin tim kaq fort sa tani. Kur e krahasoj veten me ju, më vjen keq për veten time, për një përbindësh të mjerë siç jam unë. Pa më thoni: unë ju dukem si ndonjë egërsirë pylli, apo jo? Ju jeni një rreze dielli, një cirkë vese, një këngë bilbili. Kurse unë jam diçka e llahtarshme, as njeri dhe as kafshë; jam një send më i vrazhdë, më i shëmtuar dhe më i përçmuar se një copë gur!”. Mua si shikues ma copëtonte zemrën, por edhe sot kur e shikoj këtë film.

Çdo parisieni, çdo njeriu në botë i rri në kujtesë kjo. Atë natë të gjithë e kujtuan, e qanë, isha shumë dakord disi mu duk se populli ynë është me shpirt plot art, e njeh të bukurën, arkeologjinë, teatrin, pikturën dhe librin. Atë natë m’u duk se të gjithë shtëpitë i kanë të mbushura me piktura origjinale dhe muret i kanë me rafte librash sepse me shpirt e mbronin Notre Dame-n. Sa bukur tingëllonte ky popull mu atë natë, aspak revoltë nuk kishte, mirëpo të nesërmen e kritikuan, sepse kryeministri Ramush Haradinaj ndau një ndihmë simbolike si mbështetje për katedralen. Ky qe një gjest i mirë, sepse ishte edhe muze kryeveprash botërore, aty u inspirua Viktor Hugo. I mbijetoj luftërave dhe shtatë shekuj qëndroi, por u dogj për disa orë. Absurde, por e vërtetë, sepse ky është ligji i poshtër njerëzor dhe tokësor. A e kërkon ndihmën tonë Franca? Natyrisht që jo, por ne i treguam se me ndihmë simbolike si popull e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore, sepse mos të harrojmë Franca e ndihmoi shumë Kosovën në momente më kritike.

Kritikat vërshuan të ndryshme disa të tjerë pohuan se fondet që ndau qeveria do të ishte mirë t’i destinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Nuk po kuptoj se çka lidhet kjo me Notre Dame-n. Derisa e gjithë bota vuan nga varfëria, krimi, korrupsioni dhe ndihmon një vlerë kulturore e nuk bën këso krahasime banale, përse edhe Kosova të mos veprojë ashtu? Aq është Franca e ndjeshme sa për dy ditë ka grumbulluar një miliard euro donacion për rikonstruktiimin e Notre Dame de Paris. Pse të befasohemi nga kjo kur dihet se populli francez është dorë shlirë për ndihmë ndaj të gjithëve. Franca është shtet solidar human dhe shumë kulturor. Te ne në Kosovë asnjë biznesmen nuk e ndihmon trashëgimin dhe kulturën tonë. Tregomëni sa para janë dhënë për shkencën, mjekësinë, spitalet, të varfrit... Këngëtaret limonada, tmerret e vendit marrin para të majme dhe nuk i paguajnë fare taksa shtetit. Biznesmenët tonë më parë do derdhin shuma të majme në ndonjë koncert të Labit, Medes, dasmave ekstreme sesa kulturës ose eliminimit të varfërisë.

Notre Dame nuk është vetëm e Francës

Atë ditë e pashë një vetëdije si fryma të ndryshueshme të këtij populli të çuditshëm, i cili as që lexon, e as që ka njohuri për vlerat shekullore. Nuk po them mos ta ndihmojmë varfërinë në vend, por duhet ndarë nga vlera shekullore. Sa pak jemi mirënjohës më këtë gjest edhe ndaj Evropës, po harrojmë se bota dhe Evropa e ka ndihmuar dhe po ndihmon Kosovën, edhe ne duhet ta ndihmojmë Francën. Shumë pashë mosmirënjohës dhe njerëz egoist. Edhe jemi shumë egoist. Ra kjo tragjedi e u pamë se kush jemi. I bie se Evropa nuk ka varfëri dhe mos ta ndihmoj asnjë shtet për rreth.

Duhet të solidarizohemi me Notre Dame-n, mos përdorni logjikë egoiste o njerëz të “kulturuar”. Notre Dame nuk është vetëm e Francës, por e tërë botës. Shtrohet pyetja a u dogj qëllimisht dhe a dihet fajtori, apo rastësisht? Sido që të jetë Kosova e tregoj veten me ndihmën simbolike. Nuk po them se ne nuk duhet të qajmë për katedralet tona, për kujtesën, për arkeologjinë, të gjitha ato që i kemi humbur, duhet të jemi human ashtu siç është bota humane me ne. A e duam Parisin si vlerë estetike kulturore, sepse në këtë vend jetuan Albert Camus, Viktor Hugo, Zhan Pol Sartre, Klod Mone, Van Goghu, edhe shumë artistë, filozofë francezë e jo francezë, sepse Franca është e të gjithëve. Parisi është poetik, pikturë dhe orientim artistik dhe historik. Mirëpo, nuk vërejta sinqeritet te populli ynë, te një shumicë e tyre sepse Parisin po e duan vetëm për një vizë, ta kalojnë jetën e luksit, për Moulin Rouge e jo për dritat e tij. Mos e krahasoni me asnjë objekt te ne, sepse vërtet janë krahasime absurde këto, sidomos kur vijnë nga mendimet e njerëzve të shkolluar.

Ne nuk dimë t’i çmojmë vlerat tona dhe ato janë zhbërë, Notre Dame si thesar i pakrahasueshëm duhet të shërbej si shembull për vetëdijen e brishtë të popullit tonë të ruajtjes së çdo vlere të vjetër. Kjo zonjë tashmë po qan për të gjithë, por do të shkëlqej shumë shpejt. Pse ndodhin tragjeditë gjithmonë me 15 prill. Diku kam lexuar se sipas “gjahtarëve të datave”, përgjatë historisë, më 15 prill kanë ndodhur disa nga tragjeditë më të mëdha dhe ngjarje që kanë tronditur botën. Më 15 prill 1865, presidenti Abraham Lincoln u vra pasi ishte qëlluar një natë më parë nga aktori John Wilkes Booth. Më 15 prill 1912 anija me e madhe e kohës, “Titaniku”, u fundos ne oqeanin Atlantik, duke lënë më shumë se 1500 viktima. Më 15 prill të vitit 2013, dy bomba shpërthyen gjatë maratonës së Bostonit në SHBA, duke vrarë tre njerëz dhe plagosur 264 të tjerë. Më 15 prill të vitit 2014 u shënua masakra më e madhe e luftës civile në Sudanin e Jugut. Të paktën 200 njerëz u vranë teksa kërkonin shpëtim në spitale dhe institucionet e kultit. Ndërsa 15 prilli i 2019 iu shtua kësaj listë të zezë, si dita kur do kujtohet përgjithmonë djegia fatale e një prej pasurive më të famshme të trashëgimisë së kulturës botërore, “Nodre Dame”.

(Kosova Sot)