Azem Shkreli - ikonë e poezisë shqipe

  • 27 maj 2019 - 17:15
Azem Shkreli - ikonë e poezisë shqipe

(Fjalë e shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi në"Takimet letrare Azem Shkreli", mbajtur në qytetin Ennepetal të Gjermanisë)

Në "Takimet letrare Azem Shkreli", që u mbajtën dje në Ennepetal të Gjermanisë, me ç'rast, nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve nga Gjermania, krijues të shumtë nga diaspora, përkujtuan poetin tonë të madh, tashmë ikonë të poezisë shqipe, u promovuan edhe veprat e historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi "KOSOVA" I-V si dhe romani "Dosja B".

Me këtë rast, autori Buxhovi, pasi që evokoi disa kujtime nga jeta dhe vepra e Azem Shkrelit si krijues dhe veprimtar i rëndësishëm i kohës i kyçur në të gjitha proceset e kthesave të tyre, u ndal te disa aspekte që lidhen me konceptin historiografik të "KOSOVËS" si dhe hapjen e çështjeve që zgjuan reagime të shumta në disa qarqe shkencore dhe politike në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë - nga ato objektive e deri te refuzueset dhe anatemueset e përmasave linçuese, siç ishin nga Akademia e Sebe e Shkencave dhe Arteve, të cilave, në njëfarë dore, iu bashkuan edhe disa "akademikë" dhe "historianë" nga Kosova! Sipas autorit, reagimet nga Beogradi ishin të pritshme,ngaqë për herë të parë, nga një autor shqiptar kundërshtoheshin gënjeshtrat historike për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe tezat e tyre shoveniste për "autoktoninë e mjegulluar të shqiptarëve në mesjetë" e shpifje të ngjashme me të cilat është ushqye politika antishqiptare në dy shekujt e fundit me pasoja tragjike për shqiptarët.

Ndërsa reagimet e ngjashme nga Prishtina, autori i lidh me mendësinë e historiografisë serbe dhe recidivet e tyre të thadruar te shumë prej tyre si dhe frikën se rrënimi i tyre rrënon edhe "kredibilitetin shkencor" të veprave të tyre! Sidoqoftë, sipas Buxhovit, "Kosova" theu këtë diskurs dhe i hapi udhën një qasjes tjetër në historiografinë shqiptare drejt lirimit nga kthetrat e ideologjisë si dhe nga diktati i Beogradit dhe kornizave antishqiptare.

"KOSOVA" po ashtu u hapi rrugën edhe rishqyrtimeve të domosdoshme brenda historiografisë shqiptare në raport me antikitetin, ku teza pellazge fiton legjitimitet ndaj rrudhjes te ilirishtja si dhe ridefinimi i raporteve iliro-romake dhe atyre me Bizantin dhe kundrimit e "pushtuesi", me ç'rast dardanët dhe ilirët shihen ndërtues të tij, ku duhet kërkuar edhe zanafilla e shtetësisë shqiptare dhe identitetit të tyre perëndimor, gjëqë arbërit i vendos në qendër të perandorisë dhe assesi në margjina apo në periferi të saj. Buxhovi këtë e arsyetoi me perandorët dardanë-ilir Konstandinin e Madh dhe Justiniani si dhe reformat e tyre me cilat Iliriku dhe Dardania morën rolin e rikthimit të saj në histori për dhjetë shekuj.

Me këtë rast, autori u ndal edhe te aktualiteti politik për të cilin tha se është në shperputhje të thellë me aspiratat historike të shqiptarëve për liri,demokraci dhe përkatësi perëndimore nga shkaku se procesi i shtet-ndërtimit u shfrytëzua nga ata, të shumtën "çlirimtarë të rremë", të cilët, të ndihmuar edhe nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, idealin e shtetit, e kanë kthyer në plaçkë për pasurim dhe despotizëm politik. Autori, romanin "Dosja B" e quan kundërpërgjigje këtij zhvillimi antihistorik, vepër kjo që pa ashtu u promovua gjatë këtyre takimeve. Autori, tha se historia nuk mund të kthehet në fakt jetësor pa letërsinë dhe artin, dhe se romani "Dosja B" i ka shërbyer që luftës së fundit që ishte heroike dhe e drejtë t'ia nxjerr në pah edhe anët e errëta, veçmas kur në to kyçen strukturat kriminale, heronjtë e rremë dhe gjithfarë ujemi, zhvillime këto që janë të pashmangshme dhe pjesë e dramave dhe tragjikes së tyre, por që ato bëhen apokaliptike kur "çlirimtarët" uzurpojnë pushtetin dhe kthehen në pushtues të brendshëm!

(Kosova Sot Online)