Nuk jemi shtet komunist për ta ekspozuar Kim Jongun diktatorin e ndyrë

  • 05 November 2019 - 21:33
Nuk jemi shtet komunist për ta ekspozuar  Kim Jongun diktatorin e ndyrë

Hapësira e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është vërshuar me portretin e Kim Jong-un dhe Kim Il-Sung. Është një pamje që për një çast duket surreale dhe e pabesueshme. Portretet e Kim Jong-un dhe Kim Il-Sung qëndrojnë në një radhë me portretet e Jeronim de Radës dhe Naim Frashërit në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Është instalacion fotografik “Gardianët e parajsës, zemrat dhe mendjet në Korenë e Veriut” të regjisorit norvegjez, Morten Traavik, që u hap të enjten në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Çfarë lidhje ka kjo në ndikimin e mentalitetit tonë? Pse pikërisht kjo figurë te ne? Provokim i shterur dhe i vakët është ky sepse Kosova fare nuk e jetësoi këtë lloj arti as më herët e as tash e as që ka nevojë. Çfarë tenton të thotë ky artist me këtë? Se te ne pranohet kjo apo kemi qenë komunist dhe po i ringjallim kohërat dhe ëndrrat tona? Jo gabim i madh ky.

Pak më duket si ide e ngatërruar, ekspozimi i këtij instalacioni në Bibliotekën Kombëtare. Në ndonjë hapësirë dhe shtet tjetër që ka përkrahur dhe vuajtur do rrinte më mirë. Shtrohet pyetja këtë lloj arti tashmë bota e ka tejkaluar se nëse analizohen portretet janë me proporcione të bëshme, patetike, muskuloze, gra me uniforma ushtarake, parada me uniformitet të pabesueshëm lëvizjesh të njësuara, fëmijë me shalle të kuqe e ngjyra jete nga shteti më i izoluar në botë. Ngjajnë me ato piktura dhe skulptura në Shqipërinë kur sundonte realizmi socialist.

Është art i gërditshem me të cilin bota dhe Ballkani është ngop. Kjo kohë te ne nuk ekziston më. Artisti si duket ngatërron kohën tonë, mendon se ende jetojmë në këtë kohë me këso arte. Aty shohë një jetë të largët të Koresë, por pse këtu mu në Bibliotekë?

Kim Jong-il ishte një diktator i tmerrshëm vrasës që sundoi Korenë e Veriut nga viti 1994 e deri në vitin 2011.

Vitet ’90 ishin aq të tmerrshme për vendin e tij sa miliona njerëz kishin vdekur nga uria. Ai kishte bërë përparimet më të mëdha në zhvillimin e programit bërthamor të vendit të tij – që sot është kërcënim serioz për sigurinë globale.

Ilir Muharremi, kritik i artit


(Kosova Sot Online)