Intervistë me këngëtaren Adelina Thaçi: Më mungojnë mëngjeset kur prindërit na puthnin dhe na vendosnin nga një çokolladë ndër jastëk

  • 01 January 2020 - 16:19
Intervistë me këngëtaren Adelina Thaçi: Më mungojnë mëngjeset kur prindërit na puthnin dhe na vendosnin nga një çokolladë ndër jastëk

Tash e sa vite në skenë, këngëtarja e mirënjohur Adelina Thaçi është ndër të paktat artiste shqiptare e cila ka mbaruar Akademinë e Arteve për Solo-këndim në Prishtinë dhe Master në Akademinë e Arteve për Solo-këndim në Shkup, njëherit është anëtare e Filharmonisë së Kosovës.

Ndër vite ajo ka marrë pjesë në shumë festivale, është shpërblyer me shumë çmime dhe me këngët e saj i ka dhuruar publikut shumë emocione.

Image

Albumi i saj i parë "Për liri duhet flijime" publikohet në vitin 1998.

Me këngën "Pres një çast" mori pjesë në Festivalin e 39' të Rtsh-së, derisa me këngën "Të pres" u shpallë fituese e festivalit "Polifest" (2003), me këngën "Po u mërzite" rrëmbeu çmimin "Çesk Zadeja" në "Këngën Magjike" 2013.

Pa i harruar edhe hitet e saja që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: "Shko", "Nënë moj", "S'dua të lësh gjurmë", "Sonte" e shumë të tjera.

Pas disa viteve mungesë, këngëtarja Adelina Thaçi vjen në një intervistë ekskluzive për gazetën "Kosova Sot Online", ku përgjigjet në shumë tema rreth jetës dhe karrierës të padëgjuara më parë.

Image

“Kosova Sot”:Keni vite që jeni në skenë, megjithatë viteve të fundit po të shohim rrallë e përmallë me projekte muzikore, cila është arsyeja?


Adelina Thaçi: Kjo pyetje më bëhet shumë shpesh, në disa raste më të drejtë, por që unë ndoshta s'kam bërë këngë të reja e klipe, por aktive kam qenë në disa forma tjera, s'kam pushuar asnjëherë me paraqitje të ndryshme, qoftë klasike, argëtuese etj.

Më vjen mirë nga ju dhe shumë njerëz dashamirë që gjatë gjithë kohës më shkruajnë dhe nuk më harrojnë, kjo flet shumë për mua dhe punë time tashmë e sa vite.

Unë përveç si ligjëruese në fakultet, pastaj profesoreshë në shkollën e mesme të muzikës, si "Vocal Coach" në studion time, pastaj Ansambli Zanat, dhe si Soliste, është goxha angazhim, pune etj etj, dhe thjeshtë ende s'kam hasur në ndonjë këngë që m'ka përvetësuar, po pres momentin!

Image

“Kosova Sot”:Gjatë karrierës, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Adelina Thaçi: Vështirë të ndahen këngët, sepse secila në kohën e vetë ka emocionin, mesazhin e peshën e vetë, por po mundohem me i veçu këngët: Shko dhe Po u merzite.

Image

“Kosova Sot”:Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Adelina Thaçi: Fëmijëria është pjesa më e bukur e një njeriu, ku ti ndërtohesh, tash në kohë ushqehesh e i kujton me mallë shumë gjëra.

Ngjarje kam shumë, shumë, dhe shumë të bukura, por më mungojnë mëngjeset kur prindërit na puthnin në mëngjes dhe na vendosnin nga një qokolladë ndër jastëk, atëherë i kishim të preferuarat tona, ua qfarë qejfi, pastaj lojën e futbollit në Stadiumin e atëhershëm me babin bashkë,etj etj!

Image

“Kosova Sot”:A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshatur karakterit tend?

Adelina Thaçi: Po, më ka ndodhur nja katër herë, edhe i kam refuzuar pikërisht për shkak të muzikes dhe tekstit, që s'kishin të bëjnë fare me mua!

Image

“Kosova Sot”:Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyer sot pa provokime?


Adelina Thaçi: Në përgjithësi dhe çdo vend në shumicë, pëlqehen zhveshjet, apo provokimet, por secili vendos për vetën e vetë si dëshiron të jetë, duke filluar nga niveli, respekti etj, andaj unë mendoj që lë të provokojë për të mirë arti që bëjmë e jo pamja!

Image

“Kosova Sot”:Përveçse këngëtare ju punoni dhe profesoreshë e muzikës, jeni e angazhuar në Filharmoninë e Kosoves dhe poashtu me grupin “Zanat”, sip o ia arrini t’i kordinoni të gjitha dhe si është të punosh me nxënës, a po mbështetën talentët nga institucionet tona?

Adelina Thaçi: Kjo pyetje me vend, jam mësuar me këtë ritëm të angazhimeve, unë problem e kam me organizu kohën kur jam e lirë, se kur kam angazhime jam mësuar dhe funksionoj shumë më mirë.

Të punosh me talentë, është mrekulli, unë punoj me mosha të ndryshme, dhe hasi në talentë të jashtëzakonshëm, unë kënaqem ngase e dua fillimisht punën time, mandej është kënaqësi të punosh me nxënës, student të talentuar!

Image

“Kosova Sot”: A e kanë trashëguar talentin për të kënduar ndonjëra nga dy vajzat tua?

Adelina Thaçi: E kam vështirë të flasë për vajzat, meqë jam vetë në kete fushe, dhe mundohem sa më diskret, por që talentin dhe rrjedhën e gjeta e s'mund ti ndalim ne,me këtë dua të them që kanë shumë talent, por sa do ta zhvillojnë, sa do të kenë dëshirë për ta vazhduar aty nuk e di, në qoftëse dëshirojnë shumë e punojnë, mbështetjen time e kanë 100%!

Image

“Kosova Sot”:A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2020?

Adelina Thaçi: Kam plane, dhe shpresoj të më realizohen si i kam menduar!

Image

“Kosova Sot”:Cila është motoja që Adelinës që e përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë, dhe një për fund një urim për Vitin e Ri?

Adelina Thaçi: Motoja ime sidomos kohëve të fundit është, jeni vetja juaj, mos u bëni kopje e dytë e dikujt, jeni modest, pa komplekse, dhe mos ngulni këmbë në diçka që s'jeni ju por vetëm se po e kerkon koha, sepse herë do kurë, s'do mbetet gjë nga ju!

Gëzuar të gjithëve, shëndeti e fati ju përcjelltë edhe përgjatë vitit 2020.

Image
Intervistoi: Armend Preteni
Image