Intervistë me këngëtaren Elita Reçi: Muzika shqiptare është në mëshirë të fatit, nga 'mafia' muzikore ku janë bërë klane tek të cilët nuk depërton dot

  • 20 prill 2020 - 12:30
Intervistë me këngëtaren Elita Reçi: Muzika shqiptare është në mëshirë të fatit, nga 'mafia' muzikore ku janë bërë klane tek të cilët nuk depërton dot

"Loti s'është tharë" mbetet një prej këngëve më të bukura të muzikës shqipe, interpretuar shkëlqyer para disa vitesh nga këngëtarja e njohur nga Struga Elita Reçi, e cila deri më tani ka realizuar tri albume muzikore të cilat janë mirëpritur nga publiku, si ai në Maqedoni ashtu edhe nga publiku në Kosovë dhe Shqipëri.

Deri më tani Elita ka marrë pjesë nëpër shumë festivale duke filluar nga festivali i muzikës popullore ”Këngë Jeho” në vitin 1992 kur i ka pasur vetëm 9 vjeç e deri tek “Nota Festi” ku në vitin 2001 u vlerësua me çmimin e tretë nga juria profesionale ndërsa një vit më vonë me çmimin e dytë.

Image

Në festivalin “Alba Fest” në Shkup ka fituar çmimin e parë me këngën e kantautorit Ardit Gjebrea.

Me këngën “Loti s’është tharë” të Adrian Hilës, Elita prezanton Shqipërinë në festivalin ballkanik ku fiton çmimin e dytë të jurisë profesionale.

Në Prill 2005, Elita Reçi merr pjesë në "Top Fest 2" me këngën "Ti", derisa vitin e kaluar ishte pjesmarrëse në festivalin "Kënga Magjike" me këngën "Patenta për dashuri".

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja dhe profesoresha e muzikës Elita Reçi përgjigjet në shumë pyetje: Cilat janë këngët e saja më të dashura, çfarë kujton nga fëmijëria, si po i kalon ditët e pandemisë, për këto e shumë gjëra të tjera, ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim…

Image

“Kosova Sot Online”: Kënga e fundit që keni publikuar, titullohet “Zemërgur”, në duet me këngëtarin Ramadan Krasniqin – Danin, kush janë autorët dhe sa jeni ndarë i kënaqur me këtë projekt?

Elita Reçi: Në fillim dua të theksoj që të bashkëpunosh me një artist të madh dhe me eksperiencë siç është Dani, vërtetë mendoj që është kënaqësi për çdo artist, jo vetëm për mua, aq më tepër që Dani përveç që është një mbret i muzikës tonë shqiptare, ai është edhe një njeri i mrekullueshëm, me shumë edukatë dhe që di të vlerësojë artistet jo vetëm për talentin e tyre, por ai vlerëson edhe njerëzit në aspekt të vyrtyteve të larta njerëzore që posedojne ata/ato...

Jemi ndarë shumë të kënaqur nga ky bashkëpunim dhe besoj që do kemi edhe duete të tjera në të ardhmen...

Autor i tekstit, muzikës, orkestracionit është kompozitori Edlir Begolli nga Tirana, të cilin e falenderojmë shumë për punën që ka bërë.

“Kosova Sot Online”: Gjatë karrierës, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Elita Reçi: Mendoj që për çdo artist, të gjitha këngët janë të bukura, përndryshe nuk do pranonte që ti merrte ose ti këndonte, por edhe mes atyre këngëve, përseri ka disa qe i kemi më perzemër...

Do veçoja: “ Loti s’është tharë”, “ E vogla e nones “ , “ Se kuptoj “ , “ Patenta për dashuri” etj.

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Elita Reçi: Të gjithe ne, mbajmë në zemrën tonë, kujtime të bukura dhe emocionuese nga fëmijëria jone. Do kujtoja momentet magjike kur mami më lexonte përralla, përqafimet që me jepnin siguri, mbrojtje, dashuri e lumturi, lojërat aq të këndshme me motrat, vëllaun si dhe shokët e shoqet...

Vendlindja dhe fëmijeria janë kujtimet më të bukura, të cilat njeriun e shoqërojnë gjatë gjithë jetës, ato nuk shlyhen asnjëherë...

Image

“Kosova Sot Online ”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Elita Reçi: Po më ka ndodhur, shumë rrallë në fakt, sepse gjithmonë para se ti kërkoj një këngë kompozitorit, secili mundohet të dëgjojë këngët që kam punuar më parë, dhe pak a shumë dëgjon stilin dhe mënyren time të të kenduarit, lulet që karakterizojnë zërin tim dhe në bazë të këtyre elementeve kompozon këngen për mua, por rrallë herë mund të ketë ndodhur që kam kërkuar diçka tjetër sepse nuk më është përshtatur sipas zërit dhe stilit tim, por kjo ka ndodhur vetëm një ose dy herë jo më shumë!

Image

“Kosova Sot Online ”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Elita Reçi: Hmmm..., paraqitja e jashtme skenike natyrisht që luan rolin e vetë tek një artist, sepse në një mënyrë kompleton paraqitjen e tërësishme te një artisti, dhe jam shumë dakord që përveç zërit dhe këngës që janë dy elementet bazë që duhet të jenë në nivel artistik, edhe veshja luan rolin e vetë, sepse krijon imazh të bukur për syrin e spektatorëve. Por nuk jam dakord që veshja të jetë vullgare dhe artisti të dalë në skenë vetëm për të provokuar jashtë çdo norme, sepse duhet menduar që atë përformancë mund ta shikojnë edhe fëmije të mitur, te cilët marrin shembull dhe mendojnë se ajo është rruga e duhur për të ecur sa i përket artit, edhe pse për fat të keq sot numri më i madh i artisteve femra, provokojnë shumë në skenë dhe kështu depertojnë tek syri i të rinjëve ( jo tek veshi) por tek syri, unë nuk kam në plan ta bëj këtë, sepse po mendoj për vajzen time, se cilës duhet dhënë një shembull i mirë nga mami i vetë, që kur të rritet dhe të shikojë përformancat e mia, ajo të ndjehet krenare për mua dhe jo t'më gjykojë ose të ndjehet keq!

Image

“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Ballkani po përballet me luftën kundrejt koronavirusit, si po i kalon këto ditë Elita në karantinë?

Elita Reçi: Është e vërtetë qe po kalojmë ditë të vështira, sepse gjatë gjithë kohës me sy e vesh tek lajmet që shumë herë na kanë mërzitur me shifrat e të infektuarve, sidomos me shifrat e atyre që kanë ndërruar jetë! Secili nga ne kemi familje, prindër, fëmijë dhe duhet pasur kujdes për të mbrojtur njëri tjetrin...

Ana pozitive e gjithë kësaj periudhe izolimi, mendoj që është koha që po kalojmë afër fëmijëve sepse kaq shumë dashuri dhe vëmendje, nuk ju falim dot kur jemi në punë, sepse vetë jeta ka dinamiken e vetë që të rrëmben dhe harron shpeshherë gjërat që kanë më shumë vlerë në jetë...

Të shpresojmë që sa më shpejt të lirohemi nga kjo gjë dhe pa pasoja, unë mundohem të jem në komunikim të vazhdueshëm me studentët e mi, duke ju dhënë mësime online, meqë jam profesoreshë në shkollë të mesme të muzikës në Strugë, herë pas here po mendoj rreth projekteve të mia të ardhshme e kështu me radhë...

Image

“Kosova Sot Online”: Keni marrë pjesë në disa festivale, po cila mbetet për ju paraqitja më mbreslënëse që e kujtoni dhe pa modesti thoni që në këtë paraqitje kam qenë e kompletuar?

Elita Reçi: Kam marrë pjesë në disa festivale, ku kam fituar dhe çmime, por veçoj gjithmonë, festivalin e interpretuesve të muzikës popullore në Tiranë, ku gjithçka ishte live, nën shoqërimin e orkestrës së RTSH-së, ku edhe pse isha shumë e re, në konkurencë me emra të medhenjë të muzikes tonë, këndova shkelqyeshëm këngen "Mi gezofsh këpucet me take” ku dhe u shpërbleva me çmim të tretë.

Image

“Kosova Sot Online”: Me cilin këngëtarë/e do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim, qofshin ata shqiptarë, por pse jo edhe artistë ndërkombëtar?

Elita Reçi: Për momentin nuk e di, nuk kam menduar për ndonjë bashkëpunim, në të ardhmen pse jo...shohim.

“Kosova Sot Online”: Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, pasi ligjëroni lëndën e muzikës a jeni e kënaqur me standartin aktual, apo duhet ndryshime urgjente?

Image

Elita Reçi: Amatorizmi ka pushtuar sot tregun muzikor, ndërsa emrat jo profesionistë po sjellin një muzikë që është larg vlerave dhe shijeve që kërkon publiku! Sa i përket televizioneve, shumë pak vëmendje i kushtohet promovimit të vlerave të mirëfillta muzikore, jemi përballë një realiteti ku askush nuk ju kushton vëmendje artistëve të vërtetë! Dhe nga vullgariteti në muzikë, shumë mundohen të përfitojnë! Me një fjalë sot, muzika shqiptare është në mëshirë të fatit, megjithatë ka edhe këngë të bukura, por janë pak, sepse nuk depertojnë dot !!!

Image

“Kosova Sot Online ”: A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2020?

Elita Reçi: Kam në plan një version unplugged të kënges që realizova vjet me kompozitorin Edi Balili “E vogla e nones“ për ti bërë një videoklip, por na duhet të presim pak kohë për te mundur të fillojmë punën, që dihet për arsye të izolimit që po kalojmë kam dhe plane të tjera, nuk po i zbuloj, le të mbeten suprizë...

Image

“Kosova Sot Online”: Cila është motoja që Elita përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Elita Reçi: Motoja ime është: Mendo para se të flasësh dhe fol me edukatë, dashuro shumë, puno fort sepse asgjë në jetë nuk është e pamundur...

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot Online)